Për qentë që lehin dhe karvanin drejt greminës
Nga Imer Mushkolaj – Dikur Hashim Thaçi, e tash njerëz të partisë së Ramush Haradinajt po i fyejnë të gjithë ata që guxojnë të kritikojnë e të çohen në protesta kundër keqqeverisjes. Atëherë Thaçi thoshte se protestuesit po ikin “me bisht ndër shalë”, duke i krahasuar me qen, e tash nga partia e kryeministrit thonë se “këta që po lehin”, pra qentë, nuk kanë dhënë kurrfarë kontributi për Kosovën. E “qentë po lehin” për ta ndalur karvanin që po ecën drejt greminës.
Në shkurt të vitit 2016 Hashim Thaçi, atëherë zëvendëskryeministër, i kishte ofenduar mijëra qytetarë që ishin mbledhur shesheve të Prishtinës, për të protestuar kundër qeverisë së udhëhequr nga Isa Mustafa. Në protestën e organizuar nga opozita e atëhershme ishin bërë bashkë jo veç anëtarë partish, por edhe qytetarët të rëndomtë, që kërkonin dorëheqjen e qeverisë. Në mesin e tyre edhe Ramush Haradinaj.
Thaçi kishte thënë se, ishin bërë gati për të pritur opozitën, por ata ishin kthyer mbprapsht si qyqarë, me bisht ndër shalë. Pra, mijëra vetë i kishte quajtur qen.
Dy vjet e gjysmë më pas, i njëjti diskurs ofendues po përsëritet. Kësaj radhe jo nga Thaçi, por nga njerëz të partisë së kryeministrit Haradinaj. Deputetja Time Kadrijaj nuk ka hezituar t’i krahasojë me qen të gjithë ata që po e kritikojnë shefin e saj dhe qeverisjen e tij. “Me i pyet këta që po lehin cili ashtë kontributi i juaj për Kosoven valla do të befasoheni sepse vlerësimi i këtij kontributi është një zero e madhe”, ka thënë ajo. Sipas Kadrijajt, duke “kontaminuar ambientin e popullatën” me temën e veteranëve, kritikuesve “po u pengon puna” e Haradinajt.
“Përkthyer” në shqip kjo i bie se qentë që po lehin nuk mund ta ndalin karvanin e suksesshëm, që po çan përpara drejt sukseseve të reja.
Fjalori i gjuhës shqipe për shprehjen “qentë le të lehin, karvani shkon përpara” thotë: “armiqtë le të flasin e të shpifin sa të duan, ne s’bëhemi merak, por punojmë e përparojmë”. Po ky fjalor e shpjegon kështu fjalën karvan: “Varg i madh kafshësh, të ngarkuara me plaçka ose me ushqime e të shoqëruara nga qiraxhinj, që bëjnë udhëtime të largëta (në vende ku mungojnë rrugët automobilistike – varg njerëzish, kafshësh ose automjetesh që udhëtojnë bashkë ose lëvizin në të njëjtin drejtim.
Fyerja nga deputetja erdhi pak ditë pasi kryeministri e quajti “hajn të pulave” prokurorin Elez Blakaj. Sipas studiuesve, ta quash dikë qen don të thotë se ai është mishërim i të keqes, është fyerje e përbuzje për njeriun e pabesë dhe shumë të ulët, pabesinë, për tiparet e ligësisë, ku besnikëria e tij venitet si shërbëtor ndaj padronit.
Por, kjo duket se nuk iu bën përshtypje njerëzve të pushtetit, të cilët verbërisht, pa zgjedhur formë as mjete, mbrojnë shefat e tyre.
* * *
Furtuna e sharjeve e fyerjeve ndaj atyre që dolën kundër kryeministrit Ramush Haradinaj në betejën e tij me sistemin e drejtësisë po vazhdon. Në shënjestër janë vënë të gjitha ata që kritikuan qasjen e Haradinajt ndaj skandalit me listat e veteranëve, ndërhyrjen e tij flagrante në sistemin e drejtësisë dhe gjuhën e ulët të përdorur nga ai ndaj prokurorit të dorëhequr. Qytetarët që organizuan protestën javën e kaluar, e që po e organizojnë tjetrën këtë javë, njerëz të Haradinajt i cilësuan të shitur e të instrumentalizuar nga opozita. Të mjerëve, mendja ua thotë se, pasi janë shitur vetë, pa respekt e dinjitet, edhe të tjerët shiten e blihen për interesa financiare e përfitime pushteti. Por, protestuesit nuk ishin në shesh pa shkas, ata nuk ishin aty “që të lehin”, por ta ngrenë zërin kundër skandalit me listat e veteranëve, të kërkojnë dorëheqjen e kryeprokurorit Aleksandër Lumezi dhe fillimin e procesit të vettingut në gjyqësor. Ata ishin aty për t’u treguar pushtetarëve se nuk pajtohen me mënyrën si ata qeverisin, thua se vendin e kanë pronë të veten dhe bëjnë me të çfarë të duan.
Duhet të jetosh jashtë realitetit, që të marrësh guximin e t’i ofendosh qytetarët se “po lehin” për të penguar punën e mirë që po e bëka qeveria e udhëhequr nga Haradinaj. Qeveria e ashtuquajtur e “punëve të mëdha, e cila doli të jetë qeveri e shpenzimeve të mëdha, e punësimeve të mëdha partiake, qeveri e mbingarkimit me ministra, zëvendësministra e këshilltarë – qeveri e skandaleve të mëdha .
Ai që dikur ofendohej nga Hashim Thaçi, duke u cilësuar bashkë me protestues të tjerë qen “që ikë me bisht ndër shalë”, tash i jep mbështetje të parezervë Thaçit në aventurat e tij të rrezikshme. Ndërkaq, zyrtarë të partisë së tij i krahasojnë qytetarët me qen. Mjerueshëm dhe gërditshëm.
* * *
Qytetarët që po dalin në protesta dhe të tjerë që po i mbështetin ato nuk janë qen që lehin. As kritikët ndaj kryeministrit dhe qeverisjes së tij nuk janë qen që lehin. Janë qytetarë të ndërgjegjshëm që duan ta shpëtojnë karvanin e pushtetit, që po ecën drejt greminës. Janë njerëz që e duan Kosovën jo për ta zhvatur e plaçkitur, por për ta shndërruar në vend më të mirë për të gjithë. Janë njerëz që duan ta ndalin të keqen. Vetë nuk do të ndalen, por karvani po.


