KKVITI

Pa Vetting nuk ka shtet ligjor

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Muhamet Kelmendi – Tash, pas skandalit me kryeprokurorin e Kosovës, Aleksandër Lumezi, po kërkohet VETTING në polici, në prokurori dhe nëpër gjykatat e Kosovës. Këtë mekanizëm për spastrimin e drejtësisë ka kohë që unë nëpër punimet e ndryshme në gazetën “Kosova Sot” kam kërkuar, por edhe vetë gazeta ka dokumentuar me fakte çështjen e spastrimit të organeve të sistemit juridik nga forcat e ndryshme dhe kriminale në vend. Ka vite që kam sjellë fakte dhe tash theksoj se pa VETTING nuk do të ketë kurrë shtet ligjor në Kosovë.

Këtu mendoj se VETTING-u duhet të mbështetet në disa fakte dhe ngjarje shumë domethënëse për vendin. Me VETTING duhet të spastrohen policia, prokuroria dhe gjykatat nga këto kategori të njerëzve. 1. Të gjithë policët, prokurorët dhe gjyqtarët që kanë shërbyer në ish-sistemin serbomadh pas ndërrimeve kushtetuese në vitin 1989, kur Kosovës iu hoq Autonomia, duhet të largohen nga organet e Kosovës dhe kundër tyre lypset të hapen hetimet penale për veprat kriminale që i kanë bërë ndaj popullit shqiptar. 2. Largimin e të gjithë atyre që nuk janë në gjendje që pasurinë e vet të paluajtshme apo të luajtshme të mbulojnë me të ardhura legale nga puna. Asnjë personi nuk duhet pranuar huat apo ndihmat që gjoja populli i ka dhënë këtyre njerëzve. 3. Asnjë polic, prokuror a gjykatës që mban edhe një punë tjetër jashtë punës zyrtare nuk duhet lejuar në këto institucione.

Në këto organe pagat janë mjaft të mëdha dhe nuk ka fare nevojë për punë të dytë, duke lënë punën si polic, prokuror a gjyqtar në gjysmë në emër të honorarit. 4. Çdo subjekt fizik, polic, prokuror a gjyqtar, që në një mënyrë a tjetër e ka neglizhuar punën ose ka treguar dobësi në kuadër të lidhjeve shoqërore, lokale e familjare, nuk duhet të ketë vend në këto organe të shtetit. 5. Të gjithë ata që nga partia a pushteti është dërguar në polici, në prokurori dhe në gjykata duhet të largohen nga organet e tilla të drejtësisë dhe 6. Të përzgjidhen kuadrot e kualifikuara, të pastra dhe me moral të shëndoshë, që e duan shtetin tonë. I thashë këto fakte për të treguar rrugën nga duhet të shkojë VETTING. Nuk ka absolutisht asnjë fakt që të mos merren këto fakte si bazë për spastrim të Policisë së Kosovës, të Prokurorisë dhe të gjykatave. Fillimi duhet të bëhet të Aleksandër Lumezi dhe te prokurorët e Prokurorisë Speciale, pikërisht të z. Millaku, z. Hoxha etj.

Fundamenti

Pa e spastruar prokurorinë nga prokurorët që janë të mbështjellë në vellon e fakteve të theksuara nuk ka hetime ligjore. Ky aktivitet kërkohet të shtrihet nëpër gjykata, sidomos në Gjykatën e Apelit, si dhe në Gjykatën Supreme, ku mendohet se ka elementë të tillë. Por, e përbashkëta e gjithë kësaj është spastrimi i strukturës komanduese të Policisë së Kosovës dhe të AKIsë nga elementet që vijnë ndeshur apo që i kanë rrethanat e theksuara. Dhe, natyrisht, ky është vetëm fillimi, sepse VETTING-u duhet të vazhdojë edhe në institucionet tjera të shtetit, nëpër parti, në Kuvend e në ansamble, deri te administrata e Kosovës. Prapa nuk duhet të mbesin as komunat dhe as subjektet ekonomike shtetërore dhe publike. Edhe atje ka korrupsion dhe krim. Duhet një spastrim gjenerik.

(Kosova Sot)