“Breshka” KQZ, një muaj për rezultat
Tejzgjatja e numërimit, shpalljes dhe certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme 11 qershorit të këtij viti, sipas njohësve të këtij procesi, po e zbeh gjithnjë e më shumë besimin në KQZ.
MILIONAT U DHANË, ENDE NUK KA PËRMBYLLJE TË PROCESIT ZGJEDHOR
Kërkohet reformë urgjente ligjore
“Në të kaluarën ka pasur dyshime se komisionerët janë ata që po i zgjedhin deputetët, duke e transformuar kështu vullnetin e qytetarëve .Vonesa në numërimin e votave nga KQZ-ja ka ngjallur dyshime se përpunimi i votës është bërë sipas grupeve të ndryshme të interesit. Për disa orë kishte defekte edhe në tabelën për numërimin e votave, që lë vend te njerëzit për dilemën e dyshimit”, tha Skënder Mulliqi për “Kosova Sot”
Tejzgjatja e numërimit, shpalljes dhe certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme 11 qershorit të këtij viti, sipas njohësve të këtij procesi, po e zbeh gjithnjë e më shumë besimin në KQZ.
Besimi po vazhdon të zbehet akoma më shumë me këto lojëra zinxhirore të dyshimeve dhe verifikimeve të pafundme të rezultatit të zgjedhjeve, siç ishte ky i fundit për rinumërim të 117 kutive, ditën e hënë.
Sipas ekspertëve të kësaj fushe, me këto veprime të pafundme rreth numërimit, rinumërimit, auditimit e riverifikimit të votës, sipas tekeve të partive politike, KQZ-ja është shndërruar në një nga institucionet më të pabesueshme për menaxhimin e votës së qytetarëve, në një makineri të përpunimit të votës sipas grupeve kriminale të interesit. Derisa në Shqipëri dhe vendet e tjera fqinje rezultati zgjedhor përpunohet dhe finalizohet brenda javës, në Kosovë nuk po mjafton edhe gati një muaj i plotë për numërimin, verifikimin dhe certifikimin e rezultatit zgjedhor, prandaj nga legjislatura e re që del nga këto zgjedhje kërkohet reformë urgjente e krejt sistemit zgjedhor, duke përfshirë edhe reformimin dhe depolitizimin e vetë KQZ-së.
Komisionin e prishën partitë
Eksperti i kësaj fushe, Blerim Burjani, tha se duhet ndryshuar procesin teknik, pra kërkohet një reformë teknike, që kuptohet se do të përfshinte edhe atë zgjedhore, në këtë proces dhe KQZ-në, ngase këtë institucion e kanë prishur partitë politike.”Degradimi dhe deformimi i KQZ-së ka ndodhur, ngase ky institucion përbëhet prej anëtarëve të partive, të cilat shpesh e bllokojnë KQZ-në në shumë procese, siç ndodh rreth mospajtimit edhe me rezultatin, edhe pse mund të jetë real dhe i saktë. Tani janë rreth 25.000 anëtarë të partive politike që numërojnë vota në KVV dhe pikërisht problemet më të mëdha ndodhin në numrin e votave të partive dhe kandidatëve të tyre”, është shprehur ai. “Duket që problemi më i madh gjithmonë ka qenë numërimi i saktë i votave të kandidatëve të partive për deputetë, vjedhja e votave dhe të gjitha format e tjera të keqpërdorimeve që ndodhin fillimisht në KVV. Po ashtu ka pasur dhe ka raste edhe të situatave kur në KKZ të kenë ndodhur shtrembërime të rezultatit zgjedhor që ka ardhur nga KVV, prandaj këto raste procedohen nga KQZ-ja përmes QNR-së dhe aty ka rinumërim të votave të partive dhe të kandidatëve”, potencoi Burjani. Sipas tij, për të pasur një proces më të besueshëm dhe pa ndërhyrje të politikës, pa burokraci dhe manipulim politik, edhe KQZ-ja duhet sa më parë të depolitizohet plotësisht nga partitë politike, e ky depolitizim duhet të përcillet në mënyrë zinxhirore dhe në trupat e tjera zgjedhore, KVV dhe KKZ.”Konsideroj se më së miri do të ishte që edhe KVV të fuqizohet me ligj dhe të depolitizohet plotësisht, sepse aty fillohet me numërimin e votave të partive dhe kandidatëve të partive”, potencoi Burjani për “Kosova Sot”.
Ligji për zgjedhjet duhet ndryshuar
Sipas politologut Gurakuq Kuqi, vonimi i certifikimit përfundimtar të rezultateve nga KQZ-ja nuk është në vetvete komplet faji i KQZ-së, sepse vetë ndërtimi i këtij institucioni është që të jetë i varur nga partitë politike.”Duke qenë e tillë, KQZ-ja mbetet peng i partive politike të cilat përfaqësohen. Pastaj ka një problem ligjor sa i përket çështjes së afateve për përgatitjen e punëtorëve të të gjitha kategorive për mbarëvajtjen e para, gjatë dhe pas të procesit zgjedhor dhe numërimit. Megjithatë, problemi kryesor tek vonesa për certifikimin e rezultateve dyshoj se është infiltrimi i drejtpërdrejtë i partive politike, të cilat në këtë mënyrë përfitojnë kohë për pazare politike, pasi siç e dimë me certifikimin e rezultateve koha për koalicione dhe ndërtimin e qeverisë është e afatizuar”, tha Kuqi për “Kosova Sot”.
Ai pohon se ky problem nuk është që po ndodh për herë të parë dhe kjo na lë edhe dyshime të tjera, që kjo tejzgjatje e certifikimit të rezultateve dhe vakumi politik që po krijohet lejojnë që të keqpërdoren fondet publike dhe buxheti i Kosovës nga Qeveria dhe dy partitë, të cilët janë në largim nga qeverisja.”Tani shpreh edhe dyshimin që kjo lojë me afatet e finalizimit të këtij procesi mund të shkojë deri në akordimin e një procesi tjetër zgjedhor për zgjedhjet e reja parlamentare, nga pamundësia e bërjes së Qeverisë, së bashku me ato lokalet në tetor”, theksoi Kuqi.”Këtu duhet që së pari të ndryshohet Ligji për zgjedhjet, por jo me patjetër edhe sistemi zgjedhor ku do të bëheshin përmirësime në afatet ligjore, që sigurisht do të interferonte edhe ligje të tjera. Pastaj përbërja e KQZ-së duhet të ndryshojë plotësisht, duke mos pasur përfaqësues nga partitë politike dhe fuqi vendimmarrëse nga politika. Por që të bëhen këto ndryshime duhet prapë një vullnet politik i njerëzve që janë pro ndërtimit të një shteti demokratik, gjë që është e pamundur të pritet një ndryshim i tillë nga klasa e tanishme politike”, potencoi Kuqi.
Neglizhencë e pafalshme institucionale
Analisti politik Hidajet Ahmeti pohon se është fakt që KQZ-ja çdoherë ka shfaqur anshmëri politike, duke keqpërdorur institucionin publik për interesa të ngushta politike. “Në mënyrën se si ka funksionuar institucioni i KQZ-së deri më tani, në kontinuitet ka zbehur besimin në opinion publik. Kjo vazhdimësi e kësaj logjike të punës së KQZ-së, e në përgjithësi institucioneve publike të pavarura, ka krijuar një perceptim negativ, duke zbehur besimin e duke humbur shpresën për ndryshime pozitive. Hierarkia e ndërtuar brenda logjikës së instrumentalizimit politik, duke vepruar e punuar jashtë kornizës mandatore e ligjore, jo që humb besimin qytetar, por krijon perceptim negativ nga organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtarë”, tha Hidajet Ahmeti. Tepër kritik për këtë lojë pa shpjegim bindës është edhe politologu Arsim Haziri.”Edhe një javë bëhet një muaj kur vendi iu nënshtrua një procesi të parakohshëm zgjedhor, proces i cili akoma nuk është arritur prej institucionit përkatës, KQZ-së, për t’u verifikuar në aspektin e numërimit. Kjo neglizhencë institucionale flet shumë për mosseriozitetin e aktorëve relevantë në procese të rëndë- sishme”, tha Arsim Haziri për “Kosova Sot”.
Vonesat ngrenë dyshime Analisti Skënder Mulliqi i tha gazetës se rezultatet zgjedhore është fakt se janë vonuar shumë të publikohen nga KQZ-ja dhe këto vonesa nuk justifikohen.”Në të kaluarën ka pasur dyshime se komisionerët po janë ata që po i zgjedhin deputetët, duke e transformuar kështu vullnetin e qytetarëve .Vonesa në numërimin e votave nga KQZ-ja, ka ngjallur dyshime se përpunimi i votës është bërë sipas grupeve të ndryshme të interesit. Për disa orë kishte defekte edhe në tabelën për numërimin e votave që lë vend tek njerëzit për dilemën për dyshim”, tha Mulliqi për “Kosova Sot”.
Ai kërkon që në këtë institucion të ketë më shumë profesionalizëm dhe pavarësi veprimi, që të ruhet besimi në votë.”Bashkëveprimi i të gjitha institucioneve të cilat merren me garantimin e të drejtës së votës duhet në të ardhmen t’i largojnë të gjitha defektet jo të vogla, duke ua pamundësuar futjen e duarve grupeve të ndryshme të interesit, nëse dëshirojmë që të kemi mbarëvajtje të rregullt të zgjedhjeve”, tha Skënder Mulliqi, duke insistuar edhe në një auditim detal për gjithë procesin zgjedhor.
Presion politik dhe mungesë kapacitetesh
Se kjo lojë me rezultatin e zgjedhjeve nuk po ndodh për herë të parë konstaton edhe politologu Albrim Badallaj.
Ai thotë se pos mungesës së kapaciteteve në njerëz, të angazhuar në këtë proces, ndikojnë edhe presioni politik, por edhe mungesa e përgatitjes së disa personave që marrin pjesë në këtë proces.”Besoj që kjo stërzgjatje është abuzim me detyrën, të cilën e ushtrojnë dhe mosrespekt ndaj votuesit dhe kandidatëve, meqë dihet se mundësitë për ndërhyrje te votat janë më se të vogla për arsye se secila parti i ka përfaqësuesit e tyre në këtë proces. Unë nuk dua të besoj që KQZ-ja nuk është e pavarur nga presioni politik, por që nga e kaluara, mirëpo edhe e tashmja shihet se persona të caktuar nga pozitat që kanë ushtruar në KQZ janë avancuar pastaj në pozita të tjera jashtë këtij institucioni”, theksoi ai. “Unë besoj që sovrani e ka dhënë verdiktin e tij dhe rezultati nuk mund të ndryshoje në masë të madhe, as pas procesit të rinumërimit, por që është një tregues që edhe Kosova duhet të avancojë në procesin e votimit, duke e shfrytëzuar teknologjinë, që nënkupton të ketë votim online, e pastaj edhe rezultatet janë më shpejt të gatshme”, tha Badallaj për “Kosova Sot”.


