Eko Higjiena

Mafio-politikanët dhe mafio-oligarkët e zhytën popullatën në varfëri

/ 10 minuta lexim
FIDANISHTJA

Analistë të ekonomisë tërheqin vërejtjen se Kosova është duke kapitulluar ekonomikisht për shkak të kësaj klase politike të inkriminuar, e cila që nga paslufta po e zhvat e tejzhvat pasurinë e shtetit, duke e zhytur popullatën në varfëri.

Kjo popullatë që nga paslufta u pasurua jashtëligjshëm, qoftë me paratë e fondeve të popullit të “Vendlindja Thërret” dhe ato të fondit ‘3 për qind’ të Qeverisë ‘Bukoshi’, dhe duke marrë pastaj nën kontroll të plotë shumë biznese monopoliste, të cilave bazat ua kanë regjistruar tanimë në ‘parajsa fiskale’ dhe kanë bërë nga disa qindra miliona euro, duke e vjedhur popullin përmes të dyja niveleve të pushtetit, si në atë qendror po ashtu edhe në atë lokal. Ata thonë se në këtë mënyrë popullata po varfërohet e plaçkitet dhe nuk po ka perspektivë për zhvillim ekonomik të bizneseve që nuk janë të lidhura me pushtetin e inkriminuar. Bizneset që nuk janë të lidhura me pushtetin sillen në rreth vicioz dhe e kanë pothuajse të pamundur që të përparojnë dhe të zhvillohen për shkak të pengesave e bllokimeve që iu bëhen, qoftë në nivelet komunale, apo ato qendrore të pushtetit. Sipas analistëve, pa marrë parasysh se cila parti qeveris, qoftë në komuna apo në qeveri qendrore, bllokojnë bizneset që nuk janë të lidhura me to, gjegjësisht ndihmojnë vetëm bizneset e tyre që i financojnë partitë të cilat udhëheqin qoftë në komunë apo në qeveri.

Kadriaj: Nga problemet politike është bllokuar e ardhmja ekonomike

Analisti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për “Kosova Sot” theksoi se nga grumbullimi i shumë problemeve politike dhe ekonomike gjatë luftës dhe mbas luftës e deri më tani pothuajse është bllokuar e ardhmja ekonomike dhe perspektiva e Kosovës si shtet.”Mendoj që politika ditore tani e tutje nuk duhet të merret seriozisht, edhe deklarimet dhe akuzat ndaj njëra-tjetrës, sepse vetëm kur iu humb mbështetja tek qytetari i ngritin disa çështje për keqpërdorime gjatë luftës së fundit, por në momentin që fillojnë kundërakuzat heshtin gjërat, sepse këta njerëz të politikës edhe kauzën kombëtare e kanë keqpërdorur, duke luajtur me ndjenja kombëtare të qytetarëve”, është shprehur ai. Kadriaj thotë se si rezultat i keqpërdorimit të atyre fondeve sot dyshohet që shumë biznese i kanë shpërlarë ato mjete, si të fondit të ‘3 përqindëshit’, po ashtu edhe të fondit “Vendlindja thërret”.

Ai thotë e është e papranueshme që mbas 20 viteve çlirim, si rezultat i këtyre njerëzve të politikës, sot Kosova të paguajë faturën politike dhe ekonomike sepse me këtë nivel të korrupsionit të skenës politike bashkësia ndërkombëtare e ka stopuar perspektivën e Kosovës, ndërsa në anën tjetër politika ditore çdo ditë po e rëndon jetën ekonomike dhe të bërit biznes. “Sot në Kosovë vetëm ato biznese që janë në shërbim të politikës dhe që i shpërlajnë paratë e pista të politikës ditore notojnë në këto ujëra të turbullta, ndërsa bizneset e pavarura rënkojnë dhe janë pa perspektivë në të ardhmen. Sot në Kosovë nuk kemi drejtësi të pavarur, nuk kemi ekonomi të pavarur, nuk kemi mendim politik të pavarur, nuk kemi votë të deputetit të pavarur, sot nuk mund të marrë asnjë ministër vendim të pavarur, sepse duhet të përgatitet që të nesërmen t’i vijë vendimi për shkarkim. Sot kemi institucione dhe administratë, por nuk kemi pavarësi në vendimmarrje, pra sot mafiooligarkia është prezent si në pushtet dhe në biznese”, është shprehur Kadriaj.

Ai shton se me këtë mosseriozitet në të gjitha institucionet Kosova nuk pret perspektivë politike dhe ekonomike, sepse bashkësia ndërkombëtare ka vendosur kushte për luftim të korrupsionit.”Me këtë skenë politike nuk ka shpresë ndërsa shoqëria civile është në shërbim të po kësaj politike, pra është frika që do të vijë situata në pikën zero dhe ndodh ndonjë luftë qytetare, që ne si popull nuk dimë ta menaxhojmë, si në rastin e trazirave në vitin 2004″, është shprehur Kadriaj.

Guraziu: Mafio-bizneset ekonomike po i ngulfasin sipërmarrjet private

Analisti Ragip Guraziu për “Kosova Sot” theksoi se mafio- bizneset ekonomike po i ngulfasin sipërmarrjet private dhe Kosova ekonomikisht po kapitullon. “Kështu kjo klasë politike e inkriminuar e pasluftës e ka tejzhvatur dhe zhytur popullatën në varfëri, duke u pasuruar jashtëligjshëm. Kjo fillimisht ndodhi me paratë e fondeve të popullit, të “Vendlindja Thërret” dhe ato të fondit ‘3 për qind’ të Qeverisë ‘Bukoshi’, duke marrë pastaj nën kontroll të plotë shumë biznese monopoliste, të cilave bazat ua kanë regjistruar tanimë në ‘parajsa fiskale’ dhe kanë bërë nga disa qindra miliona euro, duke e vjedhur popullin përmes të dyja niveleve të pushtetit, si në atë qendror po ashtu edhe në atë lokal”, është shprehur Guraziu. Sipas Guraziut, në këtë mënyrë po varfërohet e plaçkitet popullata dhe nuk po ka perspektivë për zhvillim ekonomik të bizneseve që nuk janë të lidhura me pushtetin e inkriminuar. “Kjo ngase shumë nga bizneset që nuk janë të lidhura me pushtetin po sillen në rreth vicioz dhe e kanë pothuajse të pamundur që të përparojnë dhe të zhvillohen për shkak të pengesave e bllokimeve që u bëhen qoftë në nivelet komunale, apo ato qendrore të pushtetit. Pa marrë parasysh se cila parti qeveris, qoftë në komuna apo në qeveri qendrore, ato bllokojnë bizneset që nuk janë të lidhura me to, gjegjësisht ndihmojnë vetëm bizneset e tyre, që i financojnë partitë, të cilat udhëheqin qoftë në komunë apo në qeveri”, është shprehur Guraziu për gazetën “Kosova Sot”.

FIDANISHTJA

Neziraj: Shumë biznese u rritën në mënyrë të paligjshme

Ndërsa ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, për gazetën “Kosova Sot” theksoi se është për keqardhje se raportet prestigjioze ndërkombëtare, që merren me çështje të ekonomisë, e radhisin Kosovën të fundit sa i përket ambientit të biznesit dhe investimeve. “Në të njëjtën kohë, raportet vendore tregojnë se ekonomia joformale është duke penguar zhvillimin e ekonomisë së tregut të lirë dhe konkurrencën fer në treg”. Ai ankohet se asnjëra nga qeveritë e deritashme nuk kanë qenë të interesuara në formalizimin e tregut, sepse me këtë thyhet edhe fuqia e shtetit dhe kontrolli që shteti ka mbi bizneset.”Politikat e deritanishme në vend më shumë ka favorizuar importin sesa prodhimin vendor apo eksportin. Në Kosovë shumë biznese u rritën në mënyrë të paligjshme dhe kanë krijuar kapital që është vështirë të arrihet për këtë kohë sa janë në biznes, prandaj një biznesmen pati thënë se mos më pyet për milionin e parë se si e kam bërë, se këta të tjerët i kam fituar në mënyrë ligjore, ndaj lirshëm them se tek ne jo vetëm milionat e parë, por shumë miliona janë bërë në mënyra jashtëligjore”, është shprehur ai. Neziraj shpreson se Qeveria ‘Haradinaj’ do të veprojë me dinamikë të shtuar edhe për përmirësimin e gjendjes në biznes.

Fondet e luftës u zhvatën për interesa personale

Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, për gazetën”Kosova Sot” theksoi se vërtet është për keqardhje që me paratë e fondeve të popullit, “Vendlindja Thërret” dhe fondit të “3 përqindëshit”, të Qeverisë “Bukoshi-Mustafa” përfituan biznesmenët profitabilë e monopolistë, të cilët pas lufte e kanë marrë në kontroll totalisht, që do thotë e kanë zhvatur dhe zhytur popullatën në varfëri.”Tashmë ka ardhur koha që doemos dikush të përgjigjet për zhvatjen e qindra miliona eurove, duke e vjedhur popullin në nivele të ndryshme dhe fondeve të ndryshme, si “Vendlindja Thërret” dhe ato të “3 përqindëshit”, është shprehur ai. Sipas Grapcit, janë BukoshiMustafa dhe ata të krahut të luftës, që të dyja palët duhet të përgjigjen dhe duhet dhënë llogari dikujt dhe nuk duhet të jenë të lirë derisa nuk zbardhen marifetet e këtyre dy grupeve. “Andaj edhe kjo është njëra nga arsyet se përse po varfërohet e plaçkitet në këtë mënyrë popullata dhe nuk po ka perspektivë për zhvillim ekonomik të bizneseve që nuk janë të lidhura me pushtetin e inkriminuar”, është shprehur ai. Grapci thotë se bizneset që nuk janë të lidhura me pushtetin e kanë pothuajse të pamundur që të përparojnë dhe të zhvillohen për shkak të pengesave e bllokimeve në nivelet komunale, apo ato qendrore të pushtetit.

Rrudhani: Me këta pushtetarë nuk ka shanse të ketë zhvillim ekonomik

Ndërsa afaristi Ramadan Maloku, ndryshe anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, thotë për “Kosova Sot” se e kemi këtë situatë të brishtë në ekonomi dhe jemi në prag të falimentimit, ngase kjo nuk arrihet pa një treg të brendshëm, pa ekonomi të lirë e pa strategji të zhvillimit ekonomik.”Situata është e tillë sepse kemi zbatueshmëri minimale të ligjeve, që nuk është as 40 për qind. Veç saj, kemi rreth 150.000 biznese të regjistruara, prej të cilave gjysma afarojnë “nëndheshëm” edhe po aq afarojnë të paregjistruara, duke sabotuar hapur sistemin juridikokushtetues, ekonomik e politik të shtetit”, është shprehur ai. Sipas Malokut, këta janë një lloj i diversantëve ekonomikë që trashen duke e zhvatur shtetin dhe qytetarin, kurse këtë e bëjnë me kontrabandë e veprime të evazionit fiskal, ku marrin pjesë edhe institucionet e zyrtarët e shtetit dhe partitë politike, edhe asociacionet e biznesit. Shton se kjo arrihet edhe me korrupsion, tenderomani, klientelizëm, meritokraci, privatizime të kriminalizuara në përmasa industriale”. Analisti Florim Rudhani theksoi për gazetën “Kosova Sot” se me këta pushtetarë, pa marrë parasysh se cila parti po qeveris, qoftë në komuna apo në qeveri qendrore, ata po i bllokojnë bizneset që nuk janë të lidhura me pushtetarët, gjegjësisht ndihmojnë vetëm bizneset e tyre që i financojnë partitë, të cilat udhëheqin qoftë në komunë apo në qeveri. Ai shton se e keqja është se edhe në komunat tona është prezent favorizimi i bizneseve të lidhura me pushtetin, ato që nuk janë të lidhura falimentojnë. “Po ndodh që po rrihen biznesmenët e ndershëm nga sekserët e kryetarëve të komunave, po shantazhohen duke paguar haraç”, është shprehur ai.

(Kosova Sot)