Besimi i qytetarëve në këtë klasë politike ka rënë përtokë
Në saje të klasës politike të pasluftës dhe që kryesisht është në tërësi e inkriminuar, qofshin ata në pozitë apo në opozitë, për Kosovën është bërë tepër shqetë- suese rënia e madhe e besimit të qytetarëve në spektrin politik vendor.
Ndaj me të drejtë analistët dhe qytetarët thonë se rënia e besimit në këtë skenë politike të degraduar e të bastarduar flet për atë se qytetarët e kanë shumë problem që ta ndajnë ndonjë parti, e cila nuk është e lidhur me krimin e organizuar dhe korrupsionin e përditshëm dhe galopant. Sipas tyre, të gjitha partitë në këtë punë të ndyrë bëjnë gara se kush do të përfitojë më shumë kriminalisht nga paratë e buxhetit dhe qytetarëve.
Andaj analistët me të drejtë vlerësojnë se komplet politika kosovare, pozitë e opozitë, u kriminalizua në udhëheqjen e pushtetit nëpër komuna dhe në pushtetin qendror, deri në atë shkallë saqë sot qytetarët të zhgënjehen tek të gjithë, duke mbetur pa alternativë për t`ia dhënë dikujt besimin as në zgjedhjet komunale e as në zgjedhjet qendrore që do të vijnë.
Analisti politik Arsim Haziri thotë për “Kosova Sot” se aktualisht politika është shndërruar në rrugë drejt pasurimit enorm. Ai thotë se tashmë po bëhen afro 19 vjet dhe premtimi i përditshëm politik për një shtet ligjor asnjëherë nuk u realizua, në këtë kuptim ka humbur shpresat dhe pritjet e qytetarëve tanë. “Instalimi i kësaj mendësie ka nxitur deportimin e të rinjve kosovarë në shtetet ku ekziston jetesa e dinjitetshme”, është shprehur ai. Sipas Hazirit, qytetarët aktualisht kanë humbur besimin rreth ndryshimeve pozitive dhe çdo i dyti prej tyre është i orientuar drejt shteteve me ekonomi të zhvilluar.
Burjani: Humbja e besimit u shfaq në zgjedhjet e fundit
Njohësi i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani, për “Kosova Sot” theksoi se besimi ka humbur kaherë, por ai sidomos është shpërfaqur në zgjedhjet e fundit parlamentare, ku ka rënë elektorati, andaj, sipas tij, me të drejtë qytetarët tanë janë skajshmërisht të pakënaqur, të zhgënjyer ndaj partive politike, qofshin në pushtet apo opozitë, duke i cilësuar ato gënjeshtare. “Flasin fjalë të mëdha derisa të marrin votat e qytetarëve e pastaj zhvatin buxhetin e qytetarëve, duke i bërë 21 ministri me 78 zëvendësministra”, është shprehur ai. Burjani vlerëson se shumica e kësaj qeverie aktuale renditet si analfabetike, e paaftë dhe e paedukuar institucionalisht, përderisa shumë ministra dyshohen për vepra penale dhe nuk japin dorëheqje dhe as nuk i ndërron partia. “Po të ishte për mosbindje ndaj liderit kaherë ishin larguar, ndërsa për matrapazllëqe dhe dyshime për hajni mbeten të njëjtit në karrigen e ministrit”, është shprehur ai. Burjani thotë se është për të ardhur keq që kjo klasë politike e ka mbyllur qarkun e zhvillimeve normale dhe së këndejmi koha është për ndryshime. “Qytetarët janë lodhur nga këta njerëz që nuk kanë lidhje me politikën, por janë grabitës dhe hajna ordinerë”, është shprehur Burjani teksa ka shtuar se Kosova ka nevojë për një klasë të re politike, sa më parë aq më mirë, që t’i largojë këta njerëz të kriminalizuar, grabitës dhe zhvatës të buxhetit. Analisti politik Ali Hertica për “Kosova Sot” theksoi se tani thuajse dëshpërimi, të cilin e ka përjetuar qytetari gjatë të gjitha këtyre viteve nga një legjislacion i pakoncept dhe pa shtytje të zhvillimit ekonomik dhe sundimin e ligjit, duhet shprehur me votë.”Kjo kastë e tmerrshme politike është e inkriminuar dhe promotor i së keqes për shoqërinë kosovare, prandaj edhe ka humbur besimi i qytetarëve”, është shprehur ai.
Qytetarët e zhgënjyer
Edhe qytetarët e anketuar nga ana e gazetës thonë se ata janë të zhgënjyer tej mase në klasën politike vendore. Ata mendojnë se për çdo dite po bie besimi në këtë klasë politike, prandaj edhe qytetarët u zhgënjyen nga të gjitha pushtetet, qofshin në nivelin qendror apo edhe në nivelin lokal të pushtetit. Qytetari Nehat Pacolli theksoi për “Kosova Sot” se nuk ka asnjë dyshim se besimi i qytetarëve tanë në të dyja nivelet e pushtetit ka rënë pa masë, ngase ata vetëm po na rrejnë që nga paslufta dhe të njëjtit po bëjnë dallavere me popullin dhe në vend se të jenë në shërbim të qytetarëve, ata janë bërë njerëz që po e plaçkitin dhe po e vjedhin buxhetin e vendit. Ai shton se me kësi politikanë të korruptuar çfarë i kemi në të dyja nivelet e pushtetit edhe nuk ecet përpara. Kurse qytetari Reshit Gashi theksoi për “Kosova Sot” se në përgjithësi ka rënë shumë besimi në spektrin politik të Kosovës dhe atë jo pak, por aq shumë saqë më nuk beson askush në politikanët.”Unë personalisht bashkë me shumë shokë të tjerë të mi jemi nga sektori i ndërtimtarisë, më askush nuk u beson gënjeshtrave dhe premtimeve elektorale të politikanëve tanë, ngase deri më tash në të dyja nivelet kanë dominuar krimi e korrupsioni”. Qytetari Gashi theksoi se kësisoj është duke u qeverisur vendi kudo. “Unë po flas duke ia filluar që nga komuna jonë, e Malishevës, e kushdo që janë në politikë të kyçur janë bërë njerëz shumë të pasur. Kanë shtëpi, kanë vila e pasuri, kurse ne qytetarët e tjerë që po punojmë për një rrogë minimale prej 300 eurove mezi po mbijetojmë. Andaj më nuk do të dal në zgjedhje dhe Kosova ka nevojë për një klasë të re politike që është e shkolluar dhe nuk është e korruptuar”, është shprehur ai. Gashi thotë se nuk ka asnjë dyshim se e tërë politika kosovare, qofshin ata të pozitës apo ata të opozitës, dyshohet se janë kriminalizuar së tepërmi qoftë në udhëheqjen e pushtetit nëpër komuna apo edhe deri në pushtetin qendror. Qytetari Shkumbin Krasniqi theksoi për “Kosova Sot” se besimi në liderët tanë politikë ka rënë, ngase premtimet e tyre elektorale megalomane për jetë më të mirë dhe mirëqenie sociale nuk po i realizojnë asnjëherë dhe popullin po e manipulojnë çdoherë dhe nuk ka vende të reja pune. Unë jetoj jashtë Kosovës dhe vij një herë në vit nga Londra dhe me secilin nga familjarët dhe qytetarët që të bisedosh ata janë së tepërmi të zhgënjyer në spektrin politik vendor dhe ata po ankohen në garniturat e pushtetarëve tanë të pasluftës”, është shprehur ai.
(Kosova Sot)

