Drejtësia shantazhon politikanë e zyrtarë, që nuk u binden mafio-oligarkëve
Në Shqipëri po vazhdon procesi i VETTING-ut, pastrimi i plotë i institucioneve të drejtësisë, kurse së fundi Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi “arrest shtëpie” edhe për ish-ministrin Saimir Tahiri. Menjëherë pas këtij vendimi reagoi edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara, me anë të një deklarate se mirëpret përparimin e bërë nga Shqipëria në luftën e saj kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Sado që në Republikën e Kosovës opinionistët e ndryshëm dhe pjesëtarë nga Shoqëria civile po e kërkojnë një proces të tillë të pastrimit të politikës dhe institucioneve të drejtësisë, kjo nuk po ecën përpara, politika nuk po merr veprime që ta fillojë një gjë të tillë. Me të drejtë tani edhe nga njohësit e kësaj fushe po shtrohet pyetja… Pse në Kosovë jemi aq larg nga ky veprim e përparim në sundimin e ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në vend të fuqizimit të sundimit të ligjit, në Kosovë analistët dyshojnë se drejtësia po përdoret vetëm për të shantazhuar politikanë e zyrtarë të caktuar, të cilët nuk u binden mafio-oligarkëve për vendimet e tyre kriminale. Prokuroria Speciale dhe ato themelore, edhe përkundër faktit se kanë shumë lëndë të kallëzimeve penale që i kanë të deponuara nga qytetarët, i mbajnë në zyrat e tyre në STATUS QUO për shumë vite ose edhe i mbyllin, pasi që bëhet fjalë për padi e kallëzime kundër ministrave, kryetarëve të komunave dhe kundër mafio-oligarkëve të inkriminuar të lidhur me politikanë e pushtetar, që zakonisht paraqesin e përbëjnë “treshen më kriminale në vend”! Kur është kjo gjendje, fitohet bindja e plotë se drejtësia kosovare është zhytur në kaos të plotë, kur prokurorët as që guxojnë të merren e hetojnë seriozisht me njerëzit e fuqishëm që janë bërë të paprekshëm nga Prokuroria Speciale si “multimilioner e miliarderë”, kurse edhe nëse ndodh ndonjë aktakuzë “e lodhtë” për ta, ajo së pari stërvonohet derisa të prishen provat nga policia e stërkequr dhe hetuesit sekserë e mandej edhe nga vetë gjyqësori i blerë dhe i nënshtruar ndaj mafio-oligarkëve dhe mafio-politikanëve pushtetarë të tej inkriminuar dhe në fund kështu përfundon odisejada pa ndonjë rezultat, ngase të kriminalizuarit në Kosovë janë dhe po mbeten “mbi ligjin”, e të cilët pa ligj po e sundojnë këtë vend të nënshtruar e të nëpërkëmbur nga kriminelët e lartpërmendur
Zeqa: Prokurorët nuk guxojnë të hetojnë njerëzit e fuqishëm
Analisti politik Florim Zeqa thotë për “Kosova Sot” se për dallim nga Shqipëria, që po zhvillohet një proces serioz të vendosje së shtetit ligjor në binarët e shëndoshë, në Kosovë nuk kemi akoma lëvizje minimale pozitive. Sipas analistit Zeqa, vetëm presioni i ngjashëm ndërkombë- tar edhe mbi Kosovën mund t’i lëvizë proceset përpara. “Përparimi i vogël, por evident në luftimin e krimit të organizuar në Shqipëri, ku Gjykata e Krimeve të Rënda, më në fund, vendosi masën më të lehtë të mundshme “arrest shtëpie” për ish-ministrin Saimir Tahiri, duhet të shërbejë si shembull i mirë për sistemin e drejtësisë kosovare. Edhe pse në dukje të parë ne në Kosovë jemi larg nga ky veprim e përparim në sundimin e ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, nuk është i pamundur! Me angazhimin e drejtpërdrejtë të SHBA-së, përkatësisht të mekanizmave të drejtësisë amerikane në zbulimin e krimeve të rënda, shumë shpejt edhe Kosova do të realizonte kthesën e madhe dhe të shumëpritur në sistemin e drejtësisë. Pa presionin e SHBA-së ndaj pushtetarëve dhe mbështetjen e prokurorëve dhe gjykatësve me integritet profesional STATUS QUO-ja e deritanishme do të vazhdojë edhe për shumë vite të tjera në Kosovë, ngase Prokuroria Speciale dhe ato themelore, edhe përkundër faktit se kanë shumë lëndë të kallëzimeve penale të deponuara nga qytetarët, i mbajnë në sirtarët e zyrave të tyre nga frika e ballafaqimit me të fortët e politikës, pasi që aty bëhet fjalë për padi e kallëzime kundër ministrave, kryetarëve të komunave dhe kundër mafio-oligarkëve të inkriminuar të lidhur me politikanë e pushtetarë, që përbëjnë ‘treshen më kriminale në vend’.
Ndodh kështu për faktin se drejtësia është zhytur në kaos të plotë”, është shprehur analisti Florim Zeqa për gazetën “Kosova Sot”. Prokurorët, sipas tij, as që guxojnë të hetojnë njerëzit e fuqishëm që janë bërë të paprekshëm nga Prokuroria Speciale si “multimilionerë e miliarderë”, kurse edhe nëse ndodh ndonjë aktakuzë “e lodhët” për ta, ajo së pari stërvonohet derisa të prishen provat nga policia e stërkequr dhe hetuesit sekserë e mandej edhe nga vetë gjyqësori i blerë dhe i nënshtruar ndaj mafio-oligarkëve dhe mafio-politikanëve pushtetarë të tejinkriminuar, për t’i dhënë fund kështu odisejadës gjyqësore pa ndonjë rezultat, ngase të kriminalizuarit në Kosovë janë dhe po mbeten “mbi ligjin”, e të cilët në kundërshtim me ligjin e Kushtetutën po e sundojnë këtë vend të nënshtruar e të nëpërkëmbur nga kriminelët e të gjitha llojeve e ngjyrave.
KELMENDI: LIDHJET E MAFISË POLITIKE ME NËNTOKËN E KRIMIT JANË TË FORTA
Analisti dhe publicisti Naim Kelmendi konsideron se në Kosovë akoma vazhdon të sundojnë krimi dhe korrupsioni i nivelit të lartë dhe për këtë gjykatat tona sikur bëjnë sehir. Madje ai thotë se jo në pak raste edhe ndodhin devijime të mëdha “Në vend që të gjykohen bartësit e krimit e korrupsionit të këtij niveli, ndaj tyre ngrihen vetëm disa aktakuza kot së koti, sa për të përmbushur statistikat dhe krejt kjo del një hipokrizi e drejtësisë kosovare në raport me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit edhe ndaj zyrtarëve shtetërorë. Kjo mendësi e gjykatave dhe drejtësisë kosovare, duke u tërhequr dhe duke mos gjykuar bartësit e korrupsionit e krimit të organizuar, kur janë në pyetje zyrtare shtetërore e institucionale, mund të themi se e ka degraduar dukshëm vetë drejtësinë kosovare dhe Kosovën si shtet të sundimit të rendit dhe ligjit. Fatkeqësisht është fakt i pamohueshëm se në Kosovë lidhjet e mafisë politike me nëntokën e krimit dhe mjafte organizata kriminale janë të forta qoftë brenda apo edhe jashtë”, theksoi analisti Naim Kelmendi për “Kosova Sot”.
MIFTARI: EDHE POLICIA, EDHE GJYQËSIA, PARLAMENTI, PRESIDENCA DHE INTELIGJENCA JANË TË KAPUR NGA MAFIA POLITIKE
Njohësi i fushës së sigurisë, Naim Miftari, pohon se pastrimi i pushtetit në Shqipëri apo Vetting-u dalëngadalë po jep rezultate dhe se edhe arresti shtëpiak për ish-ministrin e punëve të brendshme është një hap tutje përpara.”Problemi i Kosovës është më kompleks sesa i Shqipërisë, pasi vendi ynë nuk është shtet i pranuar akoma nga BE-ja, por as nga OKB-ja, prandaj edhe stafet diplomatike të huaja në Kosovë janë më të lodhëta, nuk e kanë atë forcën e duhur dhe nivelin diplomatik ndërkombëtar për të ndikuar më fuqishëm siç është situata në Shqipëri. Po ashtu, problemi i Kosovës është se edhe një pjesë e konsiderueshme stafi diplomatik deri diku është i komprometuar, por edhe i korruptuar nga mafia politike që sundon Kosovën që nga paslufta. Gjithashtu edhe opozita në Kosovë, që do të duhej të bënte më shumë trysni nga brenda, është më e dobët sesa opozita e Shqipërisë dhe pos VV-së, e cila nuk ka qenë asnjëherë deri më tani në pushtet, të gjitha partitë e tjera kanë qenë dhe janë pjesë e mafisë politike dhe koketojnë ose kanë koketuar me krimin e organizuar, sidomos me tenderë dhe shitje të pasurive shoqërore”, është shprehur Miftari për gazetën “Kosova Sot”. “Këtu edhe Policia, edhe Gjyqësia, Parlamenti, Presidenca dhe Inteligjenca janë të kapur nga mafia politike. Kapja e shtetit është më masive dhe më agresive pasi dihet shumë mirë se sundimi i ligjit në Kosovë vlen vetëm për qytetarët e rëndomtë dhe për njerëz pa krah, por kur vijnë në pyetje oligarkët dhe bosët e nëntokës atëherë sundimit të ligjit nuk i dëgjohet zëri fare. Kjo tregon qartë se Kosova e ka edhe më pisk punën me krimin e korrupsionin sesa Shqipëria”, theksoi analisti Naim Miftari për “Kosova Sot”.
Osmani:Qytetarët e Kosovës po përjetojnë një pakënaqësi kolektive
Analisti Azem Osmani thotë se qytetarët e Kosovës po përjetojnë një pakë- naqësi kolektive shkaku i ngecjeve të mëdha të shtetit të tyre të ri, nga institucionet e të cilit kanë pritur një tjetër fizionomi përmbajtjesore. Sipas Osmanit, bazuar në rrethanat e së kaluarës më të re, një pjesë dërmuese e qytetarëve kanë pasur rastin t’i shikojnë nga afër shtetet perëndimore, të cilët në jetën e përditshme zakonisht e marrin model shtetin gjerman, meqë atje ka lëvizur pjesa më e madhe e qytetarëve, shumica e të cilëve në rolin e refugjatit apo të strehuarit politik.”Pikërisht modeli i Gjermanisë i ka bindur se kur në një shtet sundon në mënyrë shumë të suksesshme ligji, e sidomos sistemi i drejtësisë, ai shtet i ka të gjitha predispozitat të jetë shtet ekonomikisht i zhvilluar dhe të sigurojë mirëqenie për qytetarët e vet. Përderisa politikanët gjermanë i kanë hapësirat e ngushta për manipulim, atje që në fillim nisja e shtegtimit politik të individëve bëhet nëpërmes rrugës së drejtë dhe e pajisur me ide e filozofi për një të ardhme të ndritur. Duke qenë se qytetarët tanë janë të vetëdijshëm për këtë model, si i vetmi që mund ta avancojë shtetin në interes të qytetarit, atëherë kur ata shohin realitetin e hidhur në shtetin e tyre, është normale se pakënaqësia e tyre prek brigjet e depresionit si shoqëri. Kjo bindje qytetare bazohet në sistemin e kapur të drejtësisë nga ana e politikës”, është shprehur analisti Azem Osmani për gazetën “Kosova Sot”.
(Kosova Sot)


