S’mungojnë ligjet, por guximi i gjyqtarëve
Ndryshimet në Kodin e ri Penal janë vlerësuar të nevojshme, mirëpo monitorues dhe njohës të çështjeve të drejtësisë shprehin shqetësim në mungesën e vullnetit dhe të guximit të gjykatave për zbatimin praktik të Kodit Penal dhe të Kodit të Procedurës Penale. Ata thonë se as Kodi i vjetër nuk është zbatuar si duhet nga gjykatësit, të cilët kanë shqiptuar dënime më minimale sesa është paraparë aty, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Ndalimi i ushtrimit të profesionit për zyrtarët e lartë deri në 10 vjet, në rastet kur janë dënuar për vepra penale korruptive, “Penalizmi i dhunës në familje” si vepër penale e veçantë e deri te dënimi me burg të përjetshëm për veprat penale “Të terrorizmit” janë vetëm disa nga ndryshimet që janë bërë në Projekt-Kodin e ri Penal.
Këto ndryshime janë pritur shume mirë nga njohës të çështjeve të drejtësisë, shkruan më tutje “Zëri”.
Mirëpo, ata kanë frikë se mënyra se si është hartuar dispozita ligjore sa i përket kufizimit të së drejtës së zyrtarëve publikë për të ushtruar funksione publike u jep hapësirë të madhe vetë gjykatësit ose trupit gjykues për të vlerësuar dhe për të vendosur me aktgjykimin.
Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se kufizimi i të drejtës së zyrtarëve publikë për të ushtruar funksione publike në rastet kur ata janë dënuar për vepra penale korruptive është një hap i rëndësishëm drejt pastrimit të administratës publike, por edhe i zbatimit në praktikë të parimit të qeverisjes së mirë dhe nga persona me besueshmëri e integritet.
Një qasje e tillë, sipas Miftarajt, do të eliminojë në praktikë raste që persona të dënuar nga gjykata të kenë të drejtën që në një afat kohor deri në dhjetë vjet, varësisht se sa e përcakton gjykata të mundë të ushtrojnë funksione publike.


