Uji Dea

Kosova në geto, politika mashtroi me demarkacionin

/ 8 minuta lexim
ARKATANA

Demarkacioni është një temë e harruar dhe si i tillë ishte një mashtrim ordiner i kryeministrit dhe të tjerëve aty.

“Asnjëherë ajo çështje, për të cilën është bërë shumë zhurmë dhe që ka ngjallur shumë konfrontime politike dhe private, nuk është marrë si çështje për t’ia dhënë zgjidhjen adekuate. Tashmë obligative për të dhënë përgjegjësi ndaj kësaj çështje është edhe qeverisja e kaluar, që e kryesonte kreu i LDK-së, ashtu edhe kjo e tanishmja, me kryeministër z. Ramush Haradinaj”, u shpreh analisti Arsim Haziri për “Kosova Sot”

Askush nga Qeveria e Kosovës nuk është prononcuar se çfarë po ndodh me rishikimin e fakteve për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Analistët dhe qytetarët me të drejtë pyesin se përse as miratimi i demarkacionit nuk i dha fund izolimit dhe liberalizimit të vizave. Ata veç tjerash duan përgjigje nga pushtetarët aktualë se përse çështja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, që ishte top temë për 3 vjet me radhë, sot është bërë një temë gati e harruar. Një pyetje tjetër që shtrohet është se përse deputetët e as Qeveria nuk po formojnë grupet punuese për analizimin e fakteve, e paraparë me aneks-marrëveshjen për rishikimin e marrëveshjes për vijën kufitare Kosovë-Mali i Zi. Sipas njohësve të situatës politike, kjo ishte edhe një gënjeshtër e mashtrim shtesë nga Qeveria, por edhe nga vetë opozita.

Manipulimi me marrëveshjen

Eksperti i fushës së integrimeve evropiane, Jeton Kelmendi, për gazetën “Kosova Sot” tha se çështja e demarkacionit për tri vite me radhë ishte një telenovelë në skenën politike dhe njëra nga çështjet më të keqpërdorura në mënyrë të paskrupullt, duke u keqpërdorur kryesisht nga familja Haradinaj.”Fatkeqësisht këtu u keqpërdorën edhe ekspertët që argumentuan humbje territori në mënyrë shkencore dhe aty ishte një gabim dhe veç saj këtu ndikoi edhe presioni ndërkombëtar që veçse ishte rritur. Andaj dhe e tëra kjo bëri që të dorëzohen deputetët që e kundërshtuan demarkacionin, duke përfshirë edhe disa deputetë të LDK-së”, u shpreh ai.”Më pas ndodhi ajo që ndodhi tani dhe demarkacioni ështënjë temë e harruar dhe si i tillë ishte një mashtrim ordiner i kryeministrit dhe të tjerëve aty”, vijoi më tutje Kelmendi.”Këtu kam një zhgënjim, sepse gjykatat tona këtu duhet që ose ta dënojnë Hashim Thaçin për atë nënshkrim që e ka dëmtuar Kosovën ose që ta dënojnë sërish Hashim Thaçin sërish, por kësaj radhe për mashtrimin dhe nënshkrimin e kësaj marrëveshje me presidentin Vujanoviqi nga Mali i Zi. Andaj Kosova po humb kohë me këso tema pa rëndësi, sepse edhe atëherë kam qenë skeptik, sepse ka tema më të rëndësishme sesa demarkacioni dhe ajo është luftimi i korrupsionit që i bie që pushtetarët ta luftojnë vetveten që Ramushi ta luftojë Thaçin, që Thaçi ta luftojë Kadriun e Kadriu që të luftojë të dy këta, dhe natyrisht që të tretë janë të përfolur në afera të ndryshme, por edhe vartës të tjerë, sepse kjo qeveri ka në aktakuza, përfshirë edhe ministra e deputetë që janë nën hetime”, potencoi ai.

“E tërë kjo ishte një skenar i parapolitikës për ta sjellë djalin e madh të Haradinajve, Ramushin, në krye të Qeverisë së Kosovës dhe këto djallëzi i ka inskenuar mjeshtri ‘Gjarpri’, pra Hashim Thaçi, i cili e kishte ca frikë nga djemtë e Haradinajve, por nuk e kishte frikë që e kishte shitur tokën, sepse më pas Haradinajve ua bëri djalin e madh në krye të qeverisë, ndonëse nuk e pyet për gjëra të tjera, mirëpo z. Haradinaj i mjafton që të ulet në karrigen e kryeministrit”, tha Jeton Kelmendi për “Kosova Sot”

“Ishte thënë se do të përcillet me disa ndryshme që janë reflektim institucional i të dyja shteteve. Gjykoj se është po e njëjta marrëveshje dhe me asnjë tendencë ndryshimi”, tha Arsim Haziri për “Kosova Sot”

ARKATANA

Shumë zhurmë për asgjë

Analisti politik Arsim Haziri për “Kosova Sot” tha se çështja edemarkimit të kufirit me Malin e Zi prej shumë subjekteve më shumë është konsideruar si një rrugë ose orientim për të përfituar politikisht, kjo ka qenë shumë evidente dhe më çdo kusht është shfrytëzuar për atë arsye.”Asnjëherë ajo çështje për të cilën është bërë shumë zhurmë dhe që ka ngjallur shumë konfrontime politike dhe private, nuk është marrë si çështje për t’ia dhënë zgjidhjen adekuate. Tashmë obligative për të dhënë përgjegjësi ndaj kësaj çështje është edhe qeverisja e kaluar, që e kryesonte kreu i LDK-së, ashtu edhe kjo e tanishmja, me kryeministër z. Ramush Haradinaj”, u shpreh ai. “Demarkacioni, përkatësisht kalimi i tij, nuk e orienton vendin drejt thyerjes së izolimit të përgjithshëm, këtë e kanë thënë edhe vetë zyrtarët e Bashkimit Evropian. Kosova sa për dijeni ka probleme bazike me veten dhe përderisa kemi këtë masë të madhe stagnimesh, vështirë e kemi si shoqëri t’i prekim disa nga proceset relevante”, vijoi më tej Haziri.”Sa i përket aneks-marrëveshjes për rishikimin e marrëveshjes për vijën kufitare Kosovë-Mali i Zi, mendoj se një veprim i tillë nuk do të ndërmerret, pasi është e njëjta marrëveshje si e mëhershmja”, ka thënë ai.

Qytetarët, të dëshpëruar

Edhe qytetarët e anketuar nga ana e gazetës thonë se janë shumë të pakë- naqur me heshtjen e institucioneve për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Ata kanë dhënë vlerësimet e tyre dhe pakënaqësitë lidhur me çështjen se çfarë po ndodh me rishikimin e fakteve për vijën kufitare me Malin e Zi. Ngase edhe qytetarët janë të pakë- naqur se përse miratimi i demarkacionit nuk i dha fund izolimit dhe liberalizimit të vizave. Sipas qytetarëve, kjo ishte edhe një gënjeshtër dhe mashtrim nga qeveria lidhur me rishikimin e fakteve për vijën kufitare me Malin e Zi. Qytetari Ramadan Ferizi thotë për “Kosova Sot” se e befason fakti që as deputetët e Kuvendit të Kosovës, por as edhe Qeveria, nuk po i formojnë grupet punuese për analizimin e fakteve, që është e paraparë edhe me aneks-marrëveshjen për rishikimin e marrëveshjes përvijën kufitare Kosovë- Mali i Zi.”Me formimin e këtyre grupeve që do të përbëheshin nga të gjitha partitë politike me daljen në teren dhe në vendin e ngjarjes atje do të mund të verifikoheshin shumë lehtë lëshimet dhe gabimet e bëra nga pala kosovare”, vlerësoi Ferizi.

Sipas tij, kjo nuk po bëhet qëllimisht nga ana e Kuvendit dhe Qeverisë sonë, sepse këto komisione shumë lehtë do të mund të verifikonin faktet që edhe një herë do të tregonin se Kosova ka humbur më shumë se 8600 hektarë tokë.”Kjo ishte edhe një gënjeshtër dhe mashtrim i radhës nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës lidhur me rishikimin e fakteve për vijën kufitare me Malin e Zi”, vlerësoi ai. Kurse, qytetari Reshat Salihu, për “Kosova Sot”, tha se premtimet e pushtetarëve se me miratimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi do të lëvizim lirshëm dolën të jenë një gënjeshtër e kulluar, sepse edhe miratimi i demarkacionit nuk u dha fund izolimit dhe liberalizimit të vizave.”Heshtja e pushtetarëve është e qëllimshme, sepse ata kanë për të plotësuar edhe konditat e tjera sikurse që është fillimi i luftës kundër krimit dhe korrupsionit që ka qenë dhe mbetet njëri nga kriteret kryesore të BE-së karshi Kosovës”, vlerësoi më tutje ai.

Edhe qytetari Mirsad Krasniqi për gazetën “Kosova Sot” tha se që nga fillimi është ditur se demarkimi i kufirit me Malin e Zi nuk do të sjellë liberalizim të vizave, sepse premtimet e pushtetarëve ishin të kota.”Ishte kërkesë strikte e BE-së se nuk ka lëvizje të lirë pa luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Andaj premtimi i koalicionit se pas demarkimit do të ketë lëvizje të lirë në BE e them lirshëm se kjo ka qenë njëra nga gënjeshtrat e radhës së kësaj qeverie”, vlerësoi ai.

(Kosova Sot)