Fundamenti

KMSHK mbron qytetarin nga shkrimet joetike dhe të pavërtetat

/ 4 minuta lexim
KKVITI

Sot, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) shënoi 12 vjetorin e themelimit të tij. Në fjalën e tij hyrëse, Nehat Islami, drejtor ekzekutiv i KMShK-së, tha se Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës mbron qytetarin nga shkrimet joetike dhe të pavërteta, si dhe gazetarët nga akuzat e pabaza që mund të vijnë. “Ajo që vlenë të theksohet në veçanti është se Kodi i Mediave mbron qytetarin dhe gazetarin duke mbajtur lart prestigjin profesional. Shtimi i numrit të ankesave për dyzetë herë në krahasim me vitet e para, tregon se ai tani është më i besueshëm”, shtoi ai.

Dinka Živalj, shefe e sektorit për komunikim/zëdhënëse e Zyrës së BE-së në Kosovë, në fjalën e saj, uroi Këshillin për shënimin e 12 vjetorit, dhe tha se është e rëndësishme që mediat të marrin rolin kryesor për të ndaluar gjuhën e urrejtjes, lajmet e rreme, dhe propagandën.
“Etika në media dhe standardet e larta të gazetarisë janë detyrë e secilit gazetar dhe redaktor, dhe një fushë ku Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës jep kontributin kryesor duke ngritur reputacionin dhe respektin profesional. Gjithashtu, është e rëndësishme që qytetarët t’i shohin mediat si bashkëpunëtore për të kërkuar llogaridhënie nga të zgjedhurit e tyre”, tha ajo.

Marina Tuneva, drejtoreshë e Këshillit të Mediave të Shkruara të Maqedonisë, e cila foli në emër të projektit “Ndërtimi i Besimit në Media në Europën Juglindore dhe Turqi”, ndër të tjera tha: “Ne po mbështesim mekanizmat llogaridhënës të mediave, pasi ata luajnë rol kryesor në ngritjen e standardeve profesionale dhe etike, duke i bërë bashkë lexuesit, publikun dhe mediat”.

Agron Bajrami, kryeredaktor në gazetën Koha Ditore, dhe njëherit njëri ndër anëtarët më të vjetër të Këshillit, foli për kohërat kur u themelua KMShK, i cili arriti që me punën e tij, duke zëvendësuar Komisionin i Përkohshëm për Media, të bëjë bashkë të gjitha mediat e shkruara, dhe përkundër pikëpamjeve që i dallonin atëherë, KMShK arriti të krijojë vetëorganizim në bazë të parimeve të qarta etike.

Balázs Ëeyer, anëtar i Bordit të Aleancës së Këshillave të Pavarur të Mediave të Europës, duke folur për besimin e publikut në lirinë e mediave, shtoi se: “Liria e mediave nuk është vetëm formalitet. Nuk ka të bëjë vetëm me ligjet dhe rregullimin. Liria është e rrënjosur thellësisht në besimin e publikut. Ky besim është rrjedhë për lirinë e mediave dhe cilësinë e tyre, sepse kur nuk ka besim, nuk ka rëndësi se çfarë shkruajmë dhe publikojmë”.

Uji Dea

Besa Luci, kryeredaktore e Kosovo 2.0, tha se me kohë ka ndryshuar gazetaria, e njëkohësisht edhe Këshilli. Nëse kemi parasysh që në vitin 2010 Kosovo 2.0 nuk ka mundur të anëtarësohet në KMShK pasi ka qenë media online, sot, ky Këshill pothuajse 80% të anëtarëve i ka nga mediat online.
“Mediat online në këtë kohë janë një kusht i praktikuarit të gazetarisë”, shtoi ajo.

Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin përfaqësues të Aleancës së Këshillëve të Pavarur të
Mediave të Evropës dhe Këshillëve të Mediave të rajonit, diplomatë, përfaqësues të BE-së në Kosovë, përfaqësues të OSBE-së, përfaqësues të organizatave që merren me media, si dhe gazetarë e redaktorë të mediave.

Ngjarja u organizua në kuadër të projektit ‘Ndërtimi i Besimit në Media në Europën Juglindore dhe Turqi’, i cili financohet nga Komisioni Evropian dhe zbatohet nga UNESCO.

Në këtë ceremoni u prezentua edhe raporti për punën 12 vjeçare të Këshillit./rajonipress/