Ryshfetet në kufi godasin biznesin shqiptar
Dyshohet se oligarkët e pushtetit e mbështesin mafinë tregtare
Përfaqësues të bizneseve kosovare ditë më parë, në një takim të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane dhe në prani të medieve, kanë denoncuar se po ndodh mitëmarrje në kufirin në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, në Doganën e Morinës. Përfaqësues të bizneseve kosovare, por edhe analistë ekonomie, kanë folur për atë se si po detyrohen maunat kosovare që të paguajnë “bakshish të detyrueshëm” në Morinë.
Sipas përfaqësuesve të bizneseve, nëse nuk jepen ryshfet rreth 8 euro kamionët detyrohen të presin me ditë në kufi. “Nëse nuk i jep qëndron kamioni një ditë, dy ditë”, kanë denoncuar ata. Për më tepër biznesmenë të tjerë deklarojnë se si mallrat që po kalojnë nga Shqipëria për të hyrë në Kosovë, po detyrohen që të shkojnë në terminalin doganor të oligarkëve të favorizuar të Edi Ramës dhe Hashim Thaçit, që si dihet është i Shkëlqim Devollit.
Andaj, analistët pyesin se përse Prokuroria e Shtetit po fle në të dyja anët e kufirit dhe po tolerojnë paligjshmëritë që po bëhen në kurriz të bizneseve dhe për përfitim të pushtetarëve, mafio-oligarkëve dhe zyrtarëve në institucione. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të Prokurorisë Speciale të Shtetit dhe të Doganave të Kosovës, por edhe në adresë të kompanisë së vëllezërve Devolli, gazeta nuk ka marrë ndonjë përgjigje në pyetjet e dërguara.
Bizneset presin përkrahje, jo bllokada
Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, për gazetën,”Kosova Sot”, tha se përfaqësues të bizneseve kanë denoncuar se po ndodh mitëmarrje në kufi në Morinë, dhe kjo është skandaloze në shekullin 21 në ekonominë e tregut. “Të ketë ende ryshfet, kjo nuk ka kurrfarë justifikimi, Republika e Kosovës duhet të reagojë dhe të koordinohet me zyrtarët e Doganës së Shqipërisë për të parandaluar këtë fenomen çoroditës, biznesi ka nevojë për mbështetje jo për haraç”, theksoi ai. ” Sipas përfaqësuesve të bizneseve, nëse nuk jepen ryshfet rreth 8 euro kamionët detyrohen të presin me ditë në kufi, nga ju erdhi kjo ide s’mund ta kuptoj, bizneset kosovare dhe ato shqiptare kanë nevojë për mbështetje jo për haraç, duke parë se importi kryesisht vjen nga Republika e Serbisë, shtetet tona duhet hartuar politika favorizuese jo diskriminuese”, vlerëson analisti Beqiri.
Sipas tij, Prokuroria është në gjumë. “Nuk mund të pajtohem me një gjendje të tillë karshi biznesit, i cili po ballafaqohet dhe atakohet nga të gjitha anët e mundshme”, u shpreh ai. Ndërsa, analisti Florim Rudhani, për “Kosova Sot”, tha se denoncimi i bizneseve se po u ndodh mitë-marrje në kufirin në mes të Kosovës dhe Shqipërisë në Doganën e Morinës, nuk përbën një lajm të ri. “Kjo është traditë e kahershme e doganierëve të Shqipërisë, që nga liberalizimi dhe demokratizimi i Shqipërisë. Andaj, lajmi se bizneset kosovare po detyrohen që për maunat kosovare të paguajnë ” bakshish të detyrueshëm ” në Morinë, është një lajm i vjetër, aq më tepër kjo punë bëhet edhe në vendin ku ka kamera”, u shpreh ai. “Një e keqe tjetër edhe më e madhe është “fakti që nëse nuk i jep këto para kamioni juaj do të qëndrojë në kufi jo një ditë, por dy ditë”, potencoi Rudhani
“Së këndejmi, të dyja shtetet, si Kosova ashtu edhe Shqipëria, duhet që të fillojnë urgjentisht t’i hetojnë këto raste, ndryshe bizneset e vogla dhe të mesme në të dyja shtetet do të mbyllen mbase edhe këtë vit, dhe e tëra kjo do të ndodhë për shkak të ryshfeteve që po u kërkohen nga doganierët e Shqipërisë në Morinë”, theksoi për “Kosova Sot”eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci
Drejtësia të veprojë ndaj përgjegjësve
Ekonomisti Mustafë Kadriaj, për ” Kosova Sot “, tha se ky trajtim aspak dinjitoz i njerëzve të pushtetit po i dëmton çdo ditë bizneset dhe kjo dukuri duhet te jetë një alarm për prokurorin që të hetojnë dhe t’i nxjerrin përgjegjësit para drejtësisë, sepse këto veprime e dëmtojnë perspektivën ekonomike. “Me veprimet korruptive të zyrtarëve doganorë po bëjnë dy shkelje. Së pari, nëse është e ligjshme që maunat duhet të kontrollohen dhe të ndalen për dy ditë kjo është në rregull, por nëse është vetëm karrem i tyre për t’i plaçkitur bizneset kosovare këtu ka nevojë për drejtësi”, u shpreh ai. “Drejtësia duhet që të jetë shumë vigjilente, sepse kjo dukuri e dëmton imazhin e Kosovës në nivel ndërkombëtar si një vend jo i përshtatshëm të të bërit biznes. Mendoj që kjo është dëshmia më e mirë që bizneset dhe qytetarët më së paku kanë nevojë për patriotizëm folklorik në të dy anët e kufirit, pra në vend që të lehtësojë bashkëpunimin ekonomik dhe lirinë e lëvizjes çdo ditë e më shumë po krijon ndarje”, vlerësoi analisti Kadriaj. “Këto ndarje nuk janë nga presioni ndërkombëtar, por me barriera dhe kufi pushtetarët i vjelin bizneset dhe qytetarët dhe këto veprime janë në kundërshtim me aspiratat e drejt Bashkimit Evropian”, shtoi më tej ai.
Politika pas inkriminimit të biznesit
Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, për ” Kosova Sot”, tha se kjo ka qenë e ditur që para momenteve kur ka filluar pagesa për Rrugën e Kombit, dhe jo vetëm maunat, por edhe transportet me vetura të vogla së shpejti do të detyrohen që të japin ryshfet ose të kthehen mbrapa. “Ndërkaq, e tëra kjo po ndodh, ngase kufitarët gjithmonë e kanë luajtur një lojë të ndyrë, në interes të biznesmenëve të korruptuar dhe atyre të cilët e kanë pasur synim zgjerimin e tregut për interesa të tyre personale”, shpjegoi ai.
Sipas Grapcit, korporata “Devolli”, gjithmonë ka pasur kontrata të fshehta sekrete me Edi Ramën dhe Hashim Thaçin, edhe pse Thaçi asnjëherë nuk është zbuluar haptas që është krejt prapa kësaj afere të mitë-marrjes. “Së këndejmi, të dyja shtetet, si Kosova ashtu edhe Shqipëria, duhet që të fillojnë urgjentisht që t’i hetojnë këto raste, ndryshe bizneset e vogla dhe të mesme në të dyja shtetet do të mbyllen mbase edhe këtë vit, dhe e tëra kjo do të ndodhë për shkak të ryshfeteve që po u kërkohet nga doganierët e Shqipërisë në Morinë”, theksoi Grapci. “Nevojitet se të gjitha bizneset, të cilët operojnë në Kosovë dhe maunat që hyjnë në territor të Kosovës, duhet që të protestojnë kundër kësaj, dukurie të plaçkitjes nga autoritet doganore të Shqipërisë, duke e bojkotuar Terminalin Doganor të Kompanisë Devolli dhe duke e përdorur Terminalin Doganorë – Prishtina 3, që është 50 për qind më i lirë”, propozoi ai.
Sipas analistit Grapci, institucionet e Kosovës nuk duhet të qëndrojnë symbyllur ndaj këtij problemi, por duhet që të merren me hulumtimin e tij seriozisht dhe mos të kenë fare mëshirë për asnjë biznesmen, i cili është i inkriminuar ekonomikisht dhe politikisht./kosova sot/


