Qeveria e re dhe Politikat e Sigurisë
Nga Burim Ramadani – Përveç synimit të pakontestuar për themelimin e Ushtrisë së Kosovë, synimi kryesor duhet të jetë përmirësimi dhe promovimi i “Sigurisë së Butë”, që mbi të gjitha ka në cak kryesor sigurinë e individit, sigurinë ekonomike, shëndetësore, ushqimore, të ambientit, sigurinë publike, sigurinë profesionale, statusore, arsimore, privatësinë, liritë civile, të drejtat e njeriut dhe aspektet e ngjashme.
Politikat e sigurisë duhet të jenë prioritet. Duhet marrë vëmendjen profesionale në Qeverinë e re. Duhet konceptuar veprimet institucionale për Sigurinë Nacionale dhe për Sigurinë Humane.
Vetëm si të përbashkëta, edhe Siguria Nacionale edhe Siguria Humane, mund të ndërtojnë një stabilitet dhe siguri të synuar dhe kërkuar në Kosovë. Patjetër se aspektet e “Sigurisë së Fortë”, siç është themelimi i Ushtrisë së Kosovës, janë të domosdoshme. Porse, synimi kryesor duhet të jetë përmirësimi dhe promovimi i “Sigurisë së Butë”, që mbi të gjitha ka në cak kryesor sigurinë e individit, sigurinë ekonomike, shëndetësore, ushqimore, të ambientit, sigurinë publike, sigurinë profesionale, statusore, arsimore, privatësinë, liritë civile, të drejtat e njeriut dhe aspektet e ngjashme.
Tek e fundit, Barry Buzan dhe Richard Ullman, para rreth 30 vjetësh, kanë rikonceptuar mënyrën e të menduarit për sigurinë, për institucionet e sigurisë, për kolektivitetin, për individin. Të gjitha këto, realisht, i kanë bërë duke u nisur nga pyetja themelore rreth aftësisë së politikave klasike të sigurisë në përballjen me kërcënimet e sigurisë kombëtare.
Përgjigja fillestare, e cila më pas është kthyer në një shkollë të të menduarit tashmë 30 vjet, nuk i ka përparësi kërcënimeve ushtarake ndaj sigurisë kombëtare. Duke pasur gjithnjë në ‘katalogun e kërcënimeve’ ato ushtarake, Buzan e Ullman qartësuan se Siguria Kombëtare mund të kërcënohet në mënyrë edhe më të vrazhtë nga fushat tjera që nuk kanë të bëjnë fare me kërcënimet ushtarake.
“Shkolla e Kopenhagës” rrëzoi argumentet ‘historike’ se siguria kombëtare është e garantuar kur nuk ekzistojnë kërcënimet ushtarake. Këso lloj argumentesh patën ndërtuar filozofë e burrështetas (princër e sundues) për shekuj me radhë, përfshirë Tomas Akuinin, Makiavein, Hobsin e deri tek Riçard Tilly, i vitit 1975, pra pak para se të përfundonte Lufta e Ftohtë.
Sidoqoftë, Qeveria e re e Kosovës duhet të orientohet në të dyja dimensionet e sigurisë, duke pasur parasysh rëndësinë e veçantë që sot ka siguria humane.
Politika të reja të sigurisë, rishikim të strategjive aktuale, rishikim funksional të institiucioneve të sigurisë, të komunikimit mes tyre, të identifikimit të rreziqeve-sfidave-kërcënimeve të sigurisë, sigurinë kibernetike, ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin që shpie në terrorizëm, liritë civile, privatësinë, klasifikimin dhe ruajtjen e informacioneve, verifikimin e sigurisë, të drejtat e njeriut, sigurinë publike dhe dimensione të këtilla esenciale.
Të githa këto, sigurisht, duhet të fillojnë me hartimin e Strategjisë së re të Sigurisë së Kosovës. Një Strategji e cila do të draftohet profesionalisht, duke marrë për bazë aspektet teorike dhe praktike, vlerësimet e detajuara të sigurisë, vlerat dhe idealet nacionale, sikurse edhe nevojën për krijimin e institucioneve të reja apo rishikimin e institucioneve ekzistuese të sigurisë.
Në dimensionin tjetër të veprimeve institucionale, Qeveria e re duhet të fokusohet në të paktën këto synime:
Së pari dhe mbi të gjitha, duhet që lufta kundër krimit të organizuar dhe transnacional do të jetë e një prej politikave kryesore të sigurisë. Duhet të zhduken rrjetet kriminale të drogës e prostitucionit, të skllavërimit e punës së detyruar të fëmijëve, sepse pikërisht këto rrjete kriminale po shkatërrojnë të rinjtë në Kosovë, po shkatërrojnë familjet dhe, rrjedhimisht, po shkatërrojnë Kosovën.
Sot drogat janë më të shpërndara në Kosovë si asnjëherë më parë. Madje, edhe në klasat e 6-ta të shkollës fillore fëmijët kthehen në përdorues të drogave të lehta. Kjo është e patolerueshme.
Së dyti, politikat kundër-korrupsionit duhet të mundësojnë që korrupsioni të jetë ekstremisht i ndëshkueshëm dhe të ndëshkohet pa përjashtim. Nëse një i emëruar politik në qeverinë e re do të jetë i gatshëm të korruptohet, shumëfish më të rënda duhet të jenë dënimet në këtë profil. Çfarëdolloj kalkulimi, sikurse ka ndodhur në qeveritë e deritashme, do të ishte fatal për Kosovën. Sepse, askush më nuk do të jetë në gjendje të durojë një poshtërim të këtillë. Dhe, kjo nuk mund të parashikojë reagimin qytetar.
Së treti, poshtërimi rajonal i Kosovës duhet të merr fund, sikurse kishte marrë fund në qershor të vitit 1999. Po pra, edhe atëherë mori fund pikërisht në partneritet me SHBA-të dhe të tjerët. Njëjtë tash, partneriti me SHBA-të dhe të tjerët, para së gjithash me Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar, nuk guxon të luhatet dhe as konfuzohet. Në një situatë të këtillë, Qeveria e re e Kosovës do të largonte përgjithmonë tendencat e Serbisë për të gjunjëzuar Kosovën, 18 vjet pas gjunjëzimit të Serbisë.
Së katërti, politikat e sigurisë në dimensionin ekonomik duhet të kthejnë Kosovën në vendin qendror për investimet, nga jashtë, nga diaspora dhe nga brenda. Bashkë me sundimin e ligjit, veprimet e hollësishme, të përkushtuara dhe mirë-planifikuara mund të vendosin Kosovën në qendër rajonale për investime. Kjo nuk do mend se mund të bëhet, pikërisht duke u ndërlidhur edhe me tri dimensionet tjera të përshkruara më lartë.
Së pesti, Kosova duhet të ketë Ushtrinë e saj dhe duhet të nis përparimin me hapa të mëdhenj drejt anëtarësimit në NATO. Kjo do të ndihmonte pakrahasueshmërisht në Sigurinë Nacionale të Kosovës dhe do të kontribuonte ndjeshëm në sigurinë rajonale.
Së gjashti, por jo më pak e rëndësishme, politika të sigurisë që përmirësojnë komunikimin ndër-institucionale të sigurisë dhe zbatimit të ligjit janë të domosdoshme, në mënyrë që të ndërtohen mundësi për shpërndarje informacioni në kohë reale.
Mund të listohet edhe shumë dimensione tjera. Sigurisht. Por, fushat më të ndjeshme të brishtësisë sonë si shtet gjithsessi lidhen me këto.


