Mobi Casa

Gjyqtarët avancohen duke u shërbyer politikanëve të korruptuar

/ 8 minuta lexim
ARKATANA

Njohësit e fushës së të drejtës me shqetësim po e përcjellin situatën e krijuar në drejtësinë kosovare, ku sipas tyre me të madhe po dirigjohen gjyqtarët nga pushtetarët e inkriminuar të nivelit të lartë dhe mafio-oligarkët në Kosovë, edhe për fatin e lëndëve gjyqësore në procedurë vendosin ata lart, kur kanë interes për t`u refuzuar apo për t`u miratuar, duke shpërblyer gjyqtarët me gradim nga Gjykata Themelore në atë të Apelit, apo nga Gjykata e Apelit në atë Supreme.

Njohësit e kësaj fushe dhe analistët theksojnë se e gjithë kjo po bëhet duke e pasur nën kontroll me votat e tyre Këshillin Gjyqësor të Kosovës, ku gjyqtarët e kuptojnë se po avancohen në pozita ende pa marrë as edhe një vendim zyrtar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Ish- kreu i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, vlerëson se në gjykatat e Kosovës dhe prokurorinë, të kontrolluara nga politika, mbizotëron një kaos total.”Askush nuk merret me administrimin e lëndëve nëpër gjykata, nuk kanë evidencë të saktë, shumë lëndë zvarriten me vite, shumica e lëndëve që arrijnë në Gjykatën e Apelit kthehen prapë në rigjykim. Ballafaqimi në mes KGJK-së dhe KPK-së është i domosdoshëm, të analizohen se si po trajtohen lëndët, të përgjigjen prokurorët për lëndët e humbura nëpër gjykata, gjykatat t’i analizojnë punët e secilit gjyqtar veç e veç, sa raste i kanë të fituara dhe sa i kanë të humbura. Këto raporte duhet të vendosin se një gjyqtar a duhet të avancohet apo të degradohet”, theksoi ai. “Duhet që gjyqtarët dhe prokurorët të vlerësohen në bazë të punës që bëjnë, të identifikohen me numrin e rasteve dhe me specifikat e rasteve. E përcolla një punë të tillë në Shqipëri kur kandidoheshin për kryeprokuror, N. N prokurori e ka trajtuar këtë dhe këtë rast, kandidati tjetër këtë e këtë rast”, tha Preteni për “Kosova Sot”.

KELMENDI:FATI I LËNDËVE GJYQËSORE NË PROCEDURË DIRIGJOHET NGA PUSHTETARËT DHE MAFIO-OLIGARKËT

Analisti Naim Kelmendi thotë se në sistemin e drejtësisë së kontrolluar nga mafio-politika gjyqtarët dirigjohen nga pushtetarët e inkriminuar të nivelit të lartë dhe mafiooligarkët e krimit të organizuar edhe për fatin e lëndëve gjyqësore në procedurë, kur ata kanë interesin e tyre për t’u miratuar apo për t’u refuzuar, pra duke trafikuar drejtësinë, e që më pas sigurisht se rezulton duke shpërblyer gjyqtarët edhe me gradim nga Gjykata Themelore në atë të Apelit apo nga ajo e Apelit në Supreme.”Pra, për fatin e keq të drejtësisë dhe degradimit të saj rastis që gjyqtarët e kuptojnë se po avancohen në pozita ende pa marrë as vendim zyrtar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, në të vërtetë kjo tregon se në Kosovë nuk ka drejtësi të vërtetë ligjore, por mbase ka inkriminim të thellë në vetë sistemin e drejtësisë. Kjo paraqet shqetësim për gjendjen e sistemit të drejtësisë në Kosovë, i cili domosdo duhet të vetëpastrohet nga Vetting-u me mbikëqyrjen amerikane dhe të FBI-së”, potencoi Kelmendi për “Kosova Sot”.

KAPITI:POLITIKANËT DHE GJYQTARËT NË KOSOVË IDENTIFIKOHEN ME ANTILIGJIN, ME KORRUPSIONIN DHE ME HAJNINË

Analisti Skënder Kapiti vlerëson se sistemi i drejtësisë në Kosovë ka hyrë në një rreth vicioz dhe është pothuajse e pamundur dalja prej tij dhe po i pamundur është edhe ndryshimi e reformomini i tij pa aplikimin e VETTINGut.”Politikanët dhe gjyqtarët në Kosovë identifikohen me antiligjin, me korrupsionin dhe me hajninë dhe për pasojë nuk mund të pritet që ata të bëhen engjëjt e moralit dhe të ndershmërisë. Nuk mund të bëhet reformë në drejtësi, as në politikë, duke qarkulluar dhe duke u ricikluar në sistem pikërisht ata të cilët duhet të dëbohen, të përjashtohen, si dhe të ndëshkohen edhe penalisht për padrejtësitë dhe për poshtërsitë që kanë bërë me pushtetin, me drejtësinë, me krimin dhe me korrupsionin, me pronat dhe me pasuritë e Kosovës dhe të qytetarëve të saj”, u shpreh ai.”E keqja pjell vetëm të këqija. Këtë po e vërtetoj me një fakt: Pse është realiteti shumë i rëndë sot në Shqipëri pasi kemi 27 vite që prej kur u vetëshemb komunizmi? Përgjigjja është kjo dhe vetëm kjo, sepse pas komunizmit politik, ekonomik, ligjor dhe mediatik e dirigjuan dhe e udhëhoqën pikërisht ish-komunistët dhe ish-gjyqtarët e ish-prokurorët e komunizmit dhe madje edhe sot me këtë Rilindjen mashtruese të Edi Ramës politikën, pushtetin dhe administratën e sundojnë pinjollët dhe trashëgimtarët e ish-komunizmit”, tha ai për “Kosova Sot”. Sipas Kapitit, kjo vërehet edhe në Kosovë, ku politikën, administratën, mediet dhe drejtësinë e dirigjojnë pothuajse ata që u formësuan dhe u edukuan në titizëm, por edhe të tjerë që i përshtaten përvojës komuniste të Shqipërisë. “Duhet një ligj i Lustracionit apo një ligj VETTING-u për t’i dëbuar dhe për të pastruar si politikën ashtu edhe drejtësinë kosovare nga rrangallat dhe mbeturinat e ish-komunizmit, si dhe nga ata të cilët janë të mbushur me rekorde dhe me kusure hajnie e krimi, si në politikë ashtu edhe në drejtësi”, tha Skënder Kapiti për “Kosova Sot”.

United Hospital

ZEQA: NË KOSOVË NUK KA DREJTËSI TË VËRTETË E LIGJORE, KA DREJTËSI TË DYFISHTË DHE SELEKTIVE

Analisti Florim Zeqa vlerëson se përderisa në secilin vend të zhvilluar dhe demokratik gjyqtarët gradohen, gjegjësisht avancohen në poste në bazë të performancës së tyre në aspektin profesional, tek ne, në Kosovë, ndodh e kundërta.”Gjyqtarët avancohen në përputhje me shërbimet që u bëjnë politikanëve të korruptuar në fshehjen dhe stërzgjaten e lëndëve të aferave korruptive dhe kriminale deri në pambarim. Pas çdo gradimi të gjyqtarëve nga Gjykata Themelore në atë të Apelit apo nga Gjykata e Apelit në atë të Supremes fshihet nga një aferë e madhe korruptive apo kriminale e pushtetarëve, të cilët me votat e gjyqtarëve të shantazhuar me poste dhe joshje me para të pista e mbajnë nën kontroll të plotë Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK-në)”, u shpreh ai.”Kjo flet qartë se në Kosovën pas pavarësisë nuk ka drejtësi të vërtetë e ligjore, ka drejtësi të dyfishtë dhe selektive, shkaku i implikimit të thellë të sistemit të drejtësisë në krim të organizuar dhe korrupsion në të dy nivelet e pushtetit (qendror dhe lokal)”, tha Zeqa për ‘Kosova Sot’.

Standardi i dyfishtë i drejtësisë

Sipas njohësit të kësaj fushe, Naim Miftari, pushtetarët e sotëm, por edhe ish-pushtetarët e kaluar të korruptuar, gjithnjë janë kujdesur që në organe të drejtësisë dhe të ndjekjes të kenë njerëzit dhe servilët e tyre, që do të mbronin çdo hetim apo ndjekje kundër tyre, prandaj lufta kundër krimit të organizuar ka dështuar tërë- sisht. “Jemi të gjithë dëshmitarë se ligji dhe organet e ndjekjes veprojnë vetëm kundër qytetarëve të thjeshtë, madje nganjëherë kundër kundërshtarëve politikë të pushtetmbajtësve dhe se ligji nuk është i njëjtë për të gjithë dhe krejt varet kush dhe çka punon ligjthyesi. Këtu mund të marrim si shembull atë se çka dallon ta zëmë lotsjellësi i Albin Kurtit nga lotsjellësi i Ramush Haradinajt, ndërsa njëri arrestohet, dënohet dhe maltretohet, edhe kafshohet si kafshë nga polici i Kosovës, tjetrin, që tani është kryeministër i Kosovës, as që guxon kush ta ftojë së paku në gjykatë. Ose është rasti tjetër tek shkuarja dhe mosshkuarja e Kadri Veselit në gjykatë lidhur me hedhjen e lotsjellësit në Kuvend. Pra, me sekserët politikë të tipave si gjyqtari Kalludra e shumë KALLUDRANË dhe Hajdarë të tjerë sot i kemi të mbushura organet e gjykatave dhe prokurorisë, pra zyrtarë që në vend të zbatimit të ligjit janë vetëm kukulla të politikës dhe parasistemeve politike të mafisë, e këtu e kam fjalën për shumicën e partive politike dhe se ligji nuk është i njëjtë për të gjithë”, theksoi ai.”Mosdhënia e llogarisë nga vetë organet e drejtësisë, si prokurorë e gjyqtarë, tregon se si shpërblim për mbrojtjen që u afrojnë mafisë politike dhe ekonomike, organeve të drejtësisë nuk u kërkohet llogaridhënie, qoftë edhe për dështimin total të drejtësisë që kemi sot në Kosovë. Përfundimisht duhet të konstatojmë se pa pastrimin total të drejtësisë nga ndikimi politik dhe i nëntokës që janë të njëjtit njerëz, nuk do të ketë kurrë drejtësi juridike, shtetërore dhe ligjore në Kosovë”, tha Miftari për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.