Eko Higjiena

Kur mungesa e fakteve zëvendësohet me trillime dhe epitete fyese

/ 21 minuta lexim
KKVITI

Nga Sinan Sadiku – Në punimin tim “Degradimi i shprehjes poetike”, shkrova për librin “Zjarri poetik” të Shefik Shkodrës, në të cilin libër janë masakruar poezitë e poetëve të komunës së Dardanës. Duke e pasur qëllim parësor prezantimin e vetvetes si më të mirin poet të komunës në fjalë, Shkodra poezitë e të tjerëve nuk i ka prezantuar në libër ashtu siç i kanë shkruar poetët, por të dëmtuara. Disa i ka dëmtuar me qëllim që t`ua ulë vlerat, e të tjerat sepse nuk ka qenë i zoti as t`i përshkruajë në mënyrë besnike, ashtu siç kanë qenë në librat prej të cilave i ka marrë.

Tri çështjet kryesore me të cilat përballen hartuesit e antologjive janë: përzgjedhja e poetëve, poezitë e të cilëve përfshihen në antologji, numri i poezive me të cilat përfaqësohet secili poet dhe përzgjedhja e poezive më të bukura nga poetët e prezantuar. Te hartuesi i “antologjisë” për të cilën po shkruaj çështje kryesore ka dalë të jetë prezantimi besnik, origjinal i poezive në përzgjedhjen e tij, çështje të cilën ka dështuar ta bëjë. Derisa çështjet e tjera janë të komplikuara dhe zgjidhja e tyre kërkon dije e shije, kulturë letrare, objektivitet, parimësi, etikë… kjo e fundit nuk kërkon shumë as dije e as profesionalizëm. Këtë të fundit, pra përshkrimin nga libri i autorit në antologji, mund ta bëjë secili që ka mësuar shkrim-lexim dhe ia kushton pak kohë kësaj pune.

As këtë nuk ka arritur ta bëjë intelektuali, poeti, teoricieni, polemisti Shefik Shkodra dhe në vend se të skuqet del me shkrimin “Plutokrati i ri i një oaze në veprimtarinë letrare” (botuar më 28.05. 2017, në portalin “Rajoni press”) , në të cilin shkrim trillon, imagjinon, etiketon duke m`i m`veshur me dhjetëra epitete fyese, të cilave shihet se nuk ua di as kuptimin dhe të cilat as teorikisht nuk ka mundësi t`i ketë një person. Ky grindavec egocentrik, narcisoid, mendon që i ka zgjidhë të gjitha problemet me faktin që më ka etiketuar mua me dhjetëra epitete fyese, nganjëherë edhe nga tri e katra në një fjali. Unë po i them: nuk ke bërë gjë tjetër veçse e ke shëruar egon e tënde primitive. “Antologjia” jote ka mbet ajo që ishte, një përzgjedhje në të cilën janë shëmtuar poezitë e poetëve të Dardanës.

Shumica e poezive të dëmtuara në substancë

Në punimin e mëparshëm i kam prezantuar vetëm disa nga dëmtimet konkrete. Nuk është fjala as për “gabimet e rastit dhe ato teknike të këtij libri, si te çdo botim tjetër”, as për “ndonjë pikë të shmangur apo të shtuar”, siç tenton t`i minimizojë Shefiku, por kemi të bëjmë me rastet kur janë hequr një ose dy vargje, kur është shtuar një varg i ri, kur u është ndërruar vendi vargjeve; kur janë hequr fjalë, janë shtuar fjalë; është ndërruar renditja e fjalëve; është zvogëluar numri i vargjeve, duke bërë kombinime të çuditshme; janë hequr ose janë shtuar strofat… Këto nuk janë gabime që gjenden në çdo libër. Këto janë gabime që nuk gjenden në asnjë libër.

Në shkrimin e kaluar konkretisht e kam dëshmuar masakrimin e poezive të poetëve: Baki Krasniqi, Gani Sadiku, Halil Matoshi, Hasije Selishta-Kryeziu dhe Shpresë Ajvazi, por e vërteta është se janë të dëmtuara në substancë shumica e poezive, ndërsa pa u dëmtuar mund të kenë mbetur poezitë e hartuesit dhe të dy-tre poetëve të tjerë.

Konkretisht: poezitë e Ibrahim Ibishit kanë qenë të ndara në strofa, ndërsa në “antologji” janë pa strofa; poezisë “Toka ime” të Mehmet Surdullit i janë hequr dy vargjet e fundit (Ajo është kopshti im/ unë jam rojtar i saj); poemës së Mehmetali Rexhepit i është dëmtuar në substancë pjesa e tretë, duke ia hequr vargun e parafundit “e urta në urtësi”, duke ia ndryshuar vargun para tij dhe…; poezia “Labirinteve të shpirtit” e Nebih Bunjakut është dëmtuar në substancë duke e bërë fjalën “shikime” “shike” dhe fjalën tjetër “sensuale’ “seksuale”; të dy poezitë e Raif Gashit janë të dëmtuara në substancë. Heqje të strofave, ngjitje të fjalëve ose ndryshim të një shkronje që e ndryshon kuptimin e vargut dhe e dëmton poezinë gjejmë edhe te poezitë e : Alketë Spahiut, Haki Bunjakut, Muharrem Shahiqit, Mustafa Morinës dhe të Shaban Cakollit. Këto nuk janë trillime as imitime të mësuara përmendësh nga të tjerët. Këto janë fakte. Edhe po të ishin në pyetje vetëm dëmtimet e poezive të pesë poetëve të fundit çdo njeri i përgjegjshëm do t`i tërhiqte kopjet e librit dhe pas korrigjimeve do t`i drejtohej shtypshkronjës për shtypje të sërishme. Për një libër me nëntëdhjetë faqe, vetëm gabimet teknike që nuk i kam përmend do të ishin tepër. Dhe hartuesi i saj ka pritë nga unë që këtë libër (nëse mund ta quajmë libër) ta përkrahu, ta përuroj dhe ta afirmoj! Ta përuroj një libër i cili poezinë e krijuesve të komunës së Dardanës e prezanton në mënyrë të shëmtuar!
Për të nuk kanë kurrfarë peshe as faktet, as e vërteta, as…

Për të gjitha ato që kam shkruar kam ofruar fakte, të cilat fakte gjenden në “antologjinë” e Shefikut, dhe është shumë lehtë të argumentohen, ndërsa ai konstatimet e veta, epitetet fyese, trillimet nuk i ka mbështetë në asnjë argument. Ky është njeri që asnjëherë, (edhe në grindjet që i ka pasur me të tjerët) nuk ka prezantuar fakte , por duke u shërbyer me një terminologji e cila nuk ka asnjë lidhje me faktet, me realitetin , me njerëzit për të cilët shkruan, mundohet ta bind lexuesin për aftësitë e tij intelektuale, për kulturën e tij letrare. Armiku më i madh i tij është e vërteta.

Sa i përket “polemikës” me mua objekti është konkret, është “antologjia” “Zjarri poetik” e cila lexuesit të interesuar ia prezanton lakuriq hartuesin e saj. Secili lexues që është i interesuar ta gjejë të vërtetën këtë mund ta bëjë duke i krahasuar poezitë e prezantuara në antologji me poezitë origjinale që gjenden në librat e poetëve. Kuptohet, të paktë do të jenë njerëzit që do të merrem me “antologjinë” në fjalë. Edhe më të paktë do të jenë ata që do ta krijojnë opinionin e vet për polemikat midis nesh. Këtë do ta bëjnë poetët e prezantuar në “antologji” dhe një numër i kufizuar i lexuesve e dashamirëve të poezisë që janë në lidhje të ndryshme me ata. Eventualisht edhe ndonjëri që e ka pasion leximin dhe që i intereson poezia e krijuesve të Dardanës. Të gjithë ata do ta gjejnë të vërtetën dhe shpifjet, epitetet fyese, vetë lëvdimet, ligjëratat e grindavecit 69 vjeçar, Shefik Shkodra, do ta arrijnë të kundërtën e asaj që ka synuar.

Askush nuk mundet të të paraqes as më të mirë e as më të keq seç je. Portretin tënd, fytyrën tënde, personalitetin tënd në mënyrën më besnike e shpërfaq vepra jote, qoftë kur përpiqesh të hartosh antologji, qoftë kur i verbuar nga urrejtja grindesh me të tjerët. Vepra për të cilën po shkruaj, hartuesin e saj e prezanton si një “intelektual” që nuk di as të kopjojë, as të imitojë e të mos flasim për të krijuar.

Ajo vepër në mënyrë pak më të maskuar, ndërsa shkrimi “Plutokrati i ri i një oaze në veprimtarinë letrare”, krejtësisht hapur, autorin e saj e shpërfaqin si një tip narcisoid, të dashuruar në vetvete, tip ky i cili i ka braktisur idhujt dhe ikonat për ta shndërruar veten në ikonë, së cilës i beson më shumë se besimtarët Zotit. Andaj shohim se për të nuk kanë kurrfarë peshe as faktet, as e vërteta, as parimet, e as mendimet dhe vlerësimet e ekspertëve.

Asgjë nuk ka peshë përveç shijes së tij, ndërsa shija e tij tregon se ai është poet shumë më i mirë se Halil Matoshi, se është shumë më objektiv dhe më kompetent se Agim Vinca, se origjinaliteti është cilësi e tij të cilën nuk ja ka dhuruar Zoti (në të cilin nuk beson), por ia ka dhuruar ai, vet, vetvetes! Ky është Shefik Shkodra, me shije supreme për vlerat dhe jovlerat letrare, të cilën shije nuk guxon, nuk ka të drejtë t`ia kontestojë askush, se pastaj ai kalon në një gjendje jonormale dhe nuk di çka shkruan, çka konstaton, çka imagjinon, çka shpikë, çka trillon e çka fyen. Çka t`i bësh, për Shefikun unë nuk i kam ato mendime, ato bindje, ato besime që i ka ai për vete dhe kam marrë guximin ta kontestoj me argumente shijen e tij supreme; kam marrë guximin edhe t`i evidentoj të gjitha ato dëmtime, masakrime e shëmtime që ua ka bërë poezive të bashkëvendësve të vet, herë për shkak se e ka urrejtjen në shpirt, e herë për shkak se i mungojnë dija dhe profesionalizmi.

Ato që i ka shkruar Shefiku për mua, në një gjendje kur urrejtja i ka errësuar mendjen, më duhet t`i tregoj, se nuk kanë asnjë ndikim në mua dhe për mua, mbesin vetëm dëshira të tij, asgjë më tepër. Dëshirat e tij, që burojnë nga urrejtja pse unë nuk e çmoj punën e tij ashtu siç e çmon ai duke qenë një tip ekstrem narcisoid, nuk ndryshojnë asgjë sa më përket mua. Duke qenë tip narcisoid ai “ia vjerr nalt veti” edhe si poet, madje nga shkrimet e tij shihet se beson që bënë pjesë, së paku, në rrethin e ngushtë të poetëve më të mirë shqiptarë, në mos qoftë më i miri! Duket se “Antologjia” me poezitë e poetëve të Dardanës ka qenë fillimi i një projekti shumë më ambicioz, projekt ky që do të vazhdonte, me poetët e Regjionit të Gjilanit, të Kosovës dhe të mbarë shqiptarisë. Antologjia e fundit, me poetët e mbarë shqiptarisë, do ta promovonte Shefik Shkodrën si poetin më të madh kombëtar!

Të shohim në çka e bazon bindjen se bën pjesë, së paku, në rrethin e ngushtë të poetëve më të mirë shqiptarë. Nuk e bazon në asgjë tjetër, përveçse në shijen e vet. Shija e vet i thotë: ti je njëri ndër poetët më të mirë shqiptar dhe kaq i mjafton! Ky njeri i cili tani i ka gati 69 vite, që poezinë e parë e ka botuar në vitin 1966, po të kishte qenë, bile deri diku aty ku mendon dhe ku “ia vjerr veti”, nuk do të kishte mbetur pa u zbuluar. Për poezinë e tij do të kishin shkruar së paku disa nga kritikët dhe studiuesit më të mirë shqiptarë, do të ishte prezantuar nëpër antologji të nivelit kombëtar, do të ishte nderuar me çmime, mirënjohje dhe shpërblime të llojllojshme dhe do të ishte përkthyer në gjuhë të ndryshme. Këto nuk ka ngjarë dhe as që pritet të ngjajnë.

Për këtë poet, nuk kanë dëgjuar, madje, as një numër i madh i dashamirëve të letërsisë dhe krijuesve letrarë nga Gjilani e Dardana, e të mos flasim për të tjerët. Është një poet i zakonshëm, që nuk hynë në rrethin e dhjetë poetëve më të mirë të komunës së Dardanës. Pra, e ka gënjyer, e ka mashtruar shija e vet supreme dhe jeton në iluzione. Ka të drejtë. Le të jetojë e të kënaqet!

FIDANISHTJA

Mua ma ka marrë inat, ka filluar të më urrejë, për arsye se në faqen 178 të librit “Rendi i vlerave në poezinë bashkëkohore shqiptare” (botues Sh.B. “Beqar Musliu”, 2013) nuk e kam përmend në mesin e 8 poetëve nga Regjioni i Gjilanit poezitë e të cilëve e kanë merituar të jenë të përfshira në dy antologji të poezisë shqipe, njëra e hartuar nga A. Podrimja e tjetra nga A. Vinca.

Për të qenë korrekt me lexuesin, diku tjetër në librin në fjalë, në kuadër të një rrethi më të gjerë të poetëve e kam shënuar edhe emrin e tij. Njësoj si atëherë, kur nuk kemi pasur mosmarrëveshje, mendoj edhe tani, sepse vlera e poezive mbetet ajo që ka qenë, pra, as nuk shtohet e as nuk zvogëlohet në varësi të raporteve tona personale. Çështja se si ka mundur të shkruajë poezi të nivelit mesatar një njeri i cili nuk ka qenë i zoti as t`i përshkruajë poezitë e të tjerëve, për mua mbetet e paqartë. Ka shumë mundësi. Njëra prej tyre është që poezitë e tij t`i ketë (për)punuar dikush tjetër.

Mundësia e dytë është që poezitë t`i ketë shkruar vet dhe të njëjtat t`ia ketë redaktuar ndonjë profesionist, por tani pleqëria e ka bërë të veten. Mundësia e tretë është që ai, megjithatë, di të kopjojë, di të përshkruajë, por kur janë në pyetje poezitë e të tjerëve punën e kryen shkel e shko dhe nuk brengoset fare nëse ato dëmtohen, që bie ndesh me përbetimin e tij se: “Nuk kam pasur kurrfarë përfitimi, pos dëshirës dhe vullnetit tim që të bëj diçka për Dardanën”. Nuk përjashtohet edhe një mundësi tjetër e ajo është që mania e tij për të qenë origjinal me çdo kusht ta ketë nxitur që poezitë e të tjerëve t`i përpunojë sipas shijes së vet!

Urrejtja ndaj atyre që i kontribuojnë avancimit të jetës letrare

Në shkrimin e tij Shefiku thotë se për të shkruar për “antologjinë” e tij mua më kanë nxitur, bindur dhe ndihmuar edhe disa të tjerë. Si narcisoid egocentirik që është mendon që bota sillet rreth tij, mendon që të gjithë nuk kanë punë të tjera, veçse të merrem me të. Mjerim! Nëse është i bindur në ato që shkruan nuk e di pse nuk del me emra. Në diktaturat komuniste kur është zbuluar ndonjë armik, jo vetëm që janë hulumtuar bashkëpunëtorët e tij, por shpeshherë janë fabrikuar të tillët për të krijuar grupe dhe për të dënuar njerëz. Ky grindaveci, fatmirësisht nuk e ka atë mundësi.

Ai flet edhe për ndonjë Dr. të shkencës, që nuk di, e që më lëvdon mua, sepse i njëjti qenka i varur nga unë për t`ia mundësuar ndonjë botim përmes K. letrar. Imagjinatë e jashtëzakonshme! Për librat e mi kanë botuar shkrime doktorët e letërsisë: Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik, Faik Shkodra, profesor i fakultetit, Besim Muhadri, profesor (edhe i lëndës Poezi e sotme) në Universitetin e Gjakovës dhe Zejnepe Alili – Rexhepi, profesoreshë në Universitin e Tetovës. Që të gjithë këta intelektualë të shquar asnjëherë nuk kanë qenë të varur nga unë për ndonjë botim në klubin letrar apo diku tjetër. Secili i ka nga disa libra të botuar dhe të gjithë i kanë të hapura mundësitë e botimit, ku të duan në: Prishtinë, Tiranë, Shkup, Tetovë…

Shkruan me keqdashje dhe urrejtje për klubet letrare e veçmas për njerëzit që i kanë themeluar dhe i drejtojnë ato , ani pse nëse e njeh dikush e njeh pikërisht falë hapësirës që ia kanë krijuar ato klube, qoftë duke ia promovuar ndonjë libër, qoftë duke e caktuar nëpër juri dhe të ngjashme. Ky i urren njerëzit që punojnë për ta zhvilluar dhe begatuar krijimtarinë letrare, duke i afirmuar krijuesit letrarë, duke i botuar dhe përuruar vlerat letrare, duke i përkujtuar dhe nderuar ikonat letrare të regjionit të Gjilanit. Këtë e pengon, ia zë rrugën gjithkush që punon. Ky qyqan ka ambicie të mëdha e aftësi të vogla dhe fajin për dështimet e veta e kërkon te të tjerët. Po kush të ka penguar o i mjerë që të veprosh, të punosh?! Edhe t`i ke mundur dhe ende mund të themelosh klube letrare, t`i kontribuosh letërsisë, t`i ndihmosh krijuesit, por për t`i bërë këto nevojiten disa vlera që nuk i ke. Ato janë kultura, dija letrare, shpirti human, dashamirësia, altruizmi, aftësia dhe shfrytëzimi i saj për të bërë gjëra të mira e shumë e shumë të tjera. Mbase e ke provuar dhe ke dështuar.

Në përpjekjet për ta dëshmuar nivelin e lartë intelektual e përdorë një terminologji të cilës nuk ia di kuptimin dhe e cila nuk ka lidhje me realitetin për të cilin mundohet të shkruajë. Kjo hetohet qysh në titullin e shkrimit të tij “Plutokrati i ri i një oaze në veprimtarinë letrare”. Për të qenë plutokrat duhet të jesh i pasur dhe të kesh pushtet. Unë as nuk jam i pasur e as nuk kam pushtet. Këtë e di çdokush që më njeh. Plutokratët janë njerëz të pasur që kanë ardhur në pushtet, por të cilët pasurinë e kanë krijuar para se të vinin në pushtet e jo duke e shfrytëzuar pushtetin. Ka mendime mjaft të argumentuara se plutokratët sundojnë në Botën e përparuar Perëndimore. Po dihet, xhaxhi Enver ka shkruar me urrejtje për njerëzit e tillë. Edhe fjala oazë nuk i shkon asaj që ka dashur ta thotë. Para se të jetë simbol i izolimit, oaza është simbol i gjelbërimit, i jetës dhe i bukurisë. Të jesh oazë në mes të shkretëtirës nuk është keq, por as nuk është Dardana oazë e as Kosova shkretëtirë, në asnjë aspekt.

Nga ana tjetër klubi letrar “Nositi” të cilin e kemi themeluar ne krijuesit letrarë të Dardanës, përveçse ua ka zgjatë dorën dhe i ka ndihmuar krijuesit ka krijuar dhe mban lidhje me shumë klube e asociacione të ngjashme nga e gjithë hapësira shqiptare. Pra, izolimi është trillim. Këtë e di edhe Shefiku, por…. Revista letrare që e nxjerr klubi, librat e botuara, ndër të cilat edhe panorama letrare me krijuesit e komunës së Dardanës e titulluar “Etje e pashuar” e dëshmojnë të kundërtën e asaj që ka shkruar ai. Ai mund të shkruajë çka të dojë, por të gjitha botimet e klubit (rreth 20 libra, 11 numra të revistës letrare, panorama “Etje e pashuar”) , me mbi 3000 faqe , nuk i kanë as një të tretën e gabimeve teknike që i ka “antologjia” “Zjarri poetik”. Po shkruaj për gabime teknike e të mos flasim për dëmtime substanciale të cilat nuk gjenden te botimet e “Nositit”, sepse ne kemi punuar me përkushtim dhe dashamirësi.

Ai nuk polemizon, por grindet

Të shohim çka thotë Shefiku për mua si poet. Ai shkruan: “Veç më duhet të them pa modesti para lexuesve, unë jam poet, ti jo! E sa shihet kurrë nuk do të bëhesh…!”, për të vazhduar: “Ke kërkuar që të mos prezantohesh në këtë vepër, pasi ta kam gjetur një “poezi”, sa për të mos lënë anash, meqë ke bërë disa veprime me klube letrare, pas asaj thirrje të kam hequr”. Disa rreshta më poshtë vjen fraza: “Po ti nuk deshe të botohen vargjet e tua nën firmën time, si jo (aq) ‘intelektual’ e i pa informuar, sidomos në lëmin e letërsisë, pikërisht në poezi si mendon ti.” Realisht qenia ime si poet, vlera e poezive të mia etj, nuk varen as nga shkrimet e tij, as nga shijet e tij e as nga dëshirat, mllefi dhe urrejtja që i manifeston. Megjithatë diçka nuk shkon në këto arsyetime. Janë shumë kontradiktore. Së pari është përbetuar: “Unë kam shijen time letrare, jo hatrin” ndërsa më pas deklarohet se e ka gjetur një “poezi” timen për të mos më lënë anash, për të ma shpërblyer çështjen, se i paskam bërë disa veprime me klube letrare. Ky po të ishte parimor dhe i bindur se poezitë e mia nuk kanë vlera nuk do të duhej të më prezantojë në “antologji” për hatër se i kam bërë disa veprime me klube letrare, edhe po t`i pëlqenin ato veprime. Pra, nëse vërtetë ka qenë i bindur se unë nuk jam poet dhe poezitë e mia nuk kanë vlera, në momentin që ka vendosë ta përfshijë një poezi timen e ka shkelë parimin, ka punuar me hatër. Puna bëhet edhe më interesante po që se e lexojmë me vëmendje shkrimin e tij rreth klubeve ku e shohim se ai punën e tyre, e veçmas punën time në ato klube, e vlerëson negativisht. Pra si punë të keqe. I bie se ai ka dashur ta shpërblejë punën time të keqe në klube! Nuk ka mundur e as nuk ka ditur të arsyetohet dhe pa dashje i ka informuar lexuesit se ka dashur të më përfaqësojë në “antologjinë” e tij, edhe atë jo për të m`i shpërblyer punët e këqija në klube, (sepse punët e këqija nuk i shpërblen askush) por sepse edhe shija e tij i ka evidentuar disa vlera. Ka shkruar se ka dashur të më prezantojë me një “poezi”, ndërsa e vërteta mund të ketë qenë ndryshe, për shembull, që të ketë dashur të më prezantojë me dy, me tri apo me një gjysmë poezie! Sidoqoftë është e vërtetë që nuk ia kam besuar poezitë e mia dhe ajo që ka bërë me poezitë e të tjerëve më ka dhënë të drejtë.

Shefiku nuk është polemist, sepse polemisti ofron fakte përmes të cilave i argumenton mendimet, konstatimet, kualifikimet… e veta. Ai është grindavec i cili nuk ofron fakte por trillon, shpikë, imagjinon dhe në bazë të tyre ndërton kualifikime, epitete fyese dhe gjëra të ngjashme të cilat nuk kanë lidhje me realitetin e as me atë të cilit i vërsulet, ndaj të cilit hedh helm e vrer. Duke qenë grindavec, ai nuk polemizon, por grindet dhe falë primitivizmit të tij beson se e ka mundë kundërshtarin , jo me fakte, por me arrogancë, me retorika të vrazhdëta fyese, duke mos e ditur se lexuesit u binden fakteve e jo kualifikimeve dhe epiteteve fyese që shpërndajnë urrejtje. Nuk është lehtë të shesësh “dushk për gogla”. Përpjekja për ta gënjyer, për ta mashtruar lexuesin është përpjekje për ta nënçmuar atë. I mjeri nuk e di që secili nga poetët poezitë e të cilëve i ka dëmtuar, menjëherë e vërteton këtë gjë; nuk e di që ata poetë komunikojnë mes veti dhe e vërteta del në shesh. Pastaj Shefik zeza duhet ta dijë se asnjëri nga poetët poezitë e të cilëve i ka dëmtuar… nuk e ndien veten të lumtur, siç nuk do ta ndiente edhe ai po t`ia kishin bërë të njëjtën gjë.

Megjithatë “foli Zensë, foli stensë”! Andaj, unë e kreva timen. Përmes fakteve, argumenteve… arsyetimeve e njoftova lexuesin se poezia e poetëve të komunës së Dardanës nuk është ajo që e prezanton “antologjia” “Zjarri poetik”. Është krejtësisht tjetër. Shumë më e bukur. Meqë e arrita qëllimin, nuk e kam në plan që në portale, gazeta etj. të grindem me Shefikun, t`ia tejkaloj atij “me sharje e degradime”. Ai ka prirje për gjëra të tilla, jeton, kënaqet me to, ndërsa unë kam punë të tjera, më sublime.

Dardanë, 5 qershor 2017