Isa Mustafa pozicionohet fort kundër Thaçit, Veselit e Haradinajt
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se do të jetë rrënuese e shtetit të Kosovës iniciativa për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Ai më këtë veprim ka dalë kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Ramush Haradinajt.
Në një postim në Facebook, Mustafa ka thënë se përkrah qëndrimin e grupit parlamentar për këtë çështje.
“Si kryetar i LDK-së i konsideroj rrënuese për shtetin tonë dhe të dëmshme për drejtësinë iniciativat për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. E përkrah plotësisht qëndrimin e grupit tonë parlamentar për këtë çështje”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Për shfuqizimin e këtij ligji, që do të bëhej përmes një ligji të ri të sponsorizuar nga Qeveria, do të duhej shumicë e thjeshtë e votave, pra 61 votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

