Serbia rikthen në tryezë ndarjen e Kosovës
Analistët politikë, duke parë pozicionin gjithnjë e më të dobësuar të Kosovës në diplomacinë ndërkombëtare dhe mosfunksionimin e brendshëm të shtetit me platformë të mirëfilltë nacionale, e pa ndonjë konsensus gjithëpërfshirës politik me interes nacional, paralajmërojnë rrezikun e kthimit të sërishëm në tryezat e ndërkombëtarëve të temës së ndarjes së Kosovës.
Asociacioni, mekanizëm antikushtetues në duart e Beogradit
“Vuçiqi jo vetëm që arriti të bëhet lider i pakontestueshëm në Serbi, por tani me 9 deputetë në Kuvend, 10 kryetarë komunash, dhe fuqinë brenda Qeverisë ‘Haradinaj’, do të synojë të kapitalizojë drejt plan-synimit të ardhshëm, ndarjes së Kosovës!”, theksoi për gazetën “Kosova Sot” analisti Florim Zeqa
Analistët politikë, duke parë pozicionin gjithnjë e më të dobësuar të Kosovës në diplomacinë ndërkombëtare dhe mosfunksionimin e brendshëm të shtetit me platformë të mirëfilltë nacionale, e pa ndonjë konsensus gjithëpërfshirës politik me interes nacional, paralajmërojnë rrezikun e kthimit të sërishëm në tryezat e ndërkombëtarëve të temës së ndarjes së Kosovës.
Ky rrezik po i troket shtetit të Kosovës, për t’u bërë temë e serioze me vetë fajin e tërë kësaj klase politike të korruptuar, si në pozitë, ashtu edhe në opozitë, sepse liderët e çmendur pas marrjes së pushtetit me çdo çmim dhe zhvatjes së milionave me dhe për mafio-oligarkët politikë dhe nëntokën kriminale e kanë sjellë shtetin e Kosovës para rrezikut të ndarjes, duke e nxjerr si humbëse në raport me Serbinë! Përderisa partitë politike kosovare,si në pozitë ashtu edhe në opozitë, si në nivelin qendror, ashtu edhe në komuna, të vetmin preokupim e kanë vjedhjen dhe zhvatjen e qindra miliona eurove dhe që të punojnë ekskluzivisht për interesa të nëntokës dhe mafio-oligarkëve, Aleksandër Vuçiqi jo vetëm që arriti të bëhet lider i pakontestueshëm në Serbi, por tani, me 9 deputetë në Kuvend, 10 kryetarë komunash dhe fuqinë brenda Qeverisë Haradinaj, do të synojë të kapitalizojë drejt plan-synimit të ardhshëm, ndarjes së Kosovës! Lista Serbe udhëheq jo më pak se 10 komuna! Pra, një parti e pakicës do të udhëheqë për 4 vjetët e ardhshëm 10 komuna të Kosovës.
Faktorizimi i Listës
Analisti politik Florim Zeqa thotë se kthimi i sërishëm në tryezat e ndërkombëtarëve i temës së ndarjes së Kosovës nuk është risi dhe as befasi për kosovarët. Ai po ashtu thotë se rreziku i ndarjes se Kosovës ekziston nga momenti i hyrjes së forcave paqeruajtëse, respektivisht i vendosjes së forcave ruso-franceze mbi urën e lumit Ibër në Mitrovicë, i pasuar më pas me barrikada të njëpasnjëshme të serbëve e deri të i ashtuquajturi “Park i paqes” i shndërruar në muri ndarës mes serbëve dhe shqiptarëve. “Tani është edhe aspekti politik që favorizon synimet e serbëve për ndarje të Kosovës. Vuçiqi jo vetëm që arriti të bëhet lider i pakontestueshëm në Serbi, tani me 9 deputetë në Kuvend, 10 kryetarë komunash dhe fuqinë brenda Qeverisë Haradinaj, do të synojë të kapitalizojë drejt plan-synimit të ardhshëm, ndarjes së Kosovës! Në këtë mënyrë, Lista Serbe, e dirigjuar nga Beogradi, e cila i udhëheq jo më pak se 10 komuna, e bëri shefin e tyre real, Vuçiqin, nga Beogradi, edhe fituesin më të madh të zgjedhjeve lokale në Kosovë!”, u shpreh ai. “Këtë paradoks politik në Kosovë e bënë pikërisht këto parti politike në Kosovë, me papërgjegjësinë dhe mungesën e vizionit për të ardhmen e shtetit të Kosovës. Aleksandër Vuciqi nën petkun e të ashtuquajturit “dialog për Kosovën”, në çarqet diplomatike ka filluar ta ritestojë idenë për ndarje të Kosovës, si një “marrëveshje historike ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve”. E keqja është se për një ide të tillë as që po pyetën liderët shtetërorë të Kosovës”, tha më tej Zeqa.
Sipas tij, diplomatë amerikanë në rajon, por edhe të tjerë nga shtete të fuqishme të Bashkimit Evropian, të lodhur nga kjo klasë politike e korruptuar dhe tej inkriminalizuar janë duke matur pulsin e qytetarëve kosovarë për opsionin e ndarjes së Kosovës.
Përfshirja e SHBA-së
Politologu Gurakuç Kuçi thotë se Vuçiqi arriti të bëhet lider duke shfrytëzuar injorancën totale të të paditurve të quajtur politikanë nga Kosova.”Në anën tjetër, Vuçiq nuk u tregua asnjëherë i gatshëm për hapa seriozë veprimi në dialog me Kosovën, por vetëm u bë pjesë e demagogjisë, për më tepër Vuçiq duke e kuptuar thellësisht se si funksionon diplomacia e vjetër evropiane që është me plot cinizëm, e shfrytëzoi në maksimum këtë qasje”, u shpreh ai. “Ndarja e Kosovës dhe hapja e statusit të saj janë opsione dhe janë në tavolinë, por nuk janë serioze, për shkak të efektit domino në gjithë Ballkanin Perëndimor. Jemi para një status-kuoje që në fund të fundit krijon vetëm efekte defensive për të gjitha fuqitë, por që mund të krijojë jofunksionalitet dhe bomba të kurdisura. Mjerë ne që nuk kemi askënd në politikë, qeveri dhe parti politike që kuptojnë politikat e mëdha dhe mjerë populli për vete që ka zgjedh përfaqësues të tillë”, theksoi Kuqi.
Sipas tij, në këtë lojë të madhe SHBA-ja po rikthehet drejtpërdrejt në tavolinën e shahut për Kosovën në veçanti, por edhe Ballkanin në përgjithësi. “Sepse lider i Ballkanit Perëndimor nuk është më Rama, i cili u godit rëndë nga afera e drogës e ministrit të tij, por Vuçiqi, një antiamerikan i përbetuar dhe një demagog i stisur”, tha Gurakuç Kuçi.
Pushteti i shantazhuar
Prof. Muhamet Kelmendi thotë se parimisht duhet thënë që as Kosova nuk është më keq se disa vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, por se rreziku nga copëtimi është ai që e bën situatën akoma më shqetësuese. “Para Kosovës nuk është shumë as Serbia dhe as Mali i Zi. Në pozitë më të keqe është Maqedonia. Po kjo nuk më gëzon. Fakti se Kosova gjendet keq dhe se Serbia është forcuar rrjedh nga çështja e kërcënimit të kësaj pjese të Ballkanit nga Rusia nëpërmjet Serbisë, Maqedonisë dhe kriminelëve serbomëdhenj. Ky fakt ka frikësuar BE-në dhe si mekanizëm e ka futur në diskutim Asociacionin serb si mjet i kënaqjes së orekseve serbe mbi Kosovën dhe që natyrisht shpie nga ndarja e Kosovës. Kuptohet se këtë e ka ndihmuar shumë pushteti i vendosur në Kosovë në këto 10 vitet e fundit”, ka theksuar ai.”Të kapur pas interesave pasurore që i futën në veprimtari kriminale, pushteti në Kosovë u shantazhua dhe u pranuan marrëveshjet kriminale me Serbinë nën ndërmjetësimin e BE-së. Këto e bënë decentralizimin e Kosovës duke krijuar komuna tipike shoviniste serbe dhe të varura nga Beogradi dhe që janë duke ecur në rrugën e sanksionimit të pjesëve të okupuara të Kosovës nga Serbia me Listën Serbe ku faktikisht mbi 9 komuna u bënë tipike të shtetit serb dhe ato priten me Asociacion të organizohen në një njësi politike e territoriale si bazë e shtetit serb në Kosovë”, u shpreh më tej Kelmendi.
Sipas tij, Aleksandër Vuçiq dhe bashkëpunëtori i tij, Ivica Daçiq, po punojnë për të ripushtuar Kosovën ose për të copëtuar shtetin tonë.”Në këtë ane po punojnë edhe për tërheqjen e njohjeve për Kosovën dhe po vazhdojnë me akuza e bllokime të mëdha. Dhe, e keqja është kalimi i kompetencave për të ashtuquajturat bisedime me palën serbe tek Hashim Thaçi. Ky është personi që vetëm gjëmë i ka sjellë vendit tonë, Republikës së Kosovës. Nuk duhet asgjë dhe asnjë takim të bëhet me shtetin serb, pavarësisht se ku, pa një platformë të qartë dhe që del nga Kuvendi”, tha Kelmendi për “Kosova Sot”.
Kriza e shtetndërtimit
Analisti Arsim Haziri thotë se Kosova fatkeqësisht ballafaqohet me probleme të brendshme dhe po ia mundëson Serbisë që ajo në rrafshin ndërkombëtar të paraqesë Kosovën si shtet jo funksional, duke iniciuar njëherësh çështje që kanë të bëjnë me integritetin territorial, çka për Kosovën do të ishte tejet e rrezikshme. “Kosova aktualisht është në një rrezik të madh, si duke pasur në konsideratë ambiciet mëdha të pushtetarëve po ashtu edhe ndikimit të madh të Beogradit zyrtar përmes listës serbe”, u shpreh ai.”Paaftësinë për të prodhuar kredibilitet dhe avancim te gjendjes se brendshme po e posedon edhe qeverisja e tanishme, fatkeqësisht qeverisje e koordinuar mbi baza partiake dhe klanore. Përfundimisht konsideroj se pa ikjen e kësaj qeverisje dhe ardhjen e një mentaliteti tjetër Kosova s’mund të ketë qeverisje në baza të drejta qytetare, qeverisje për ekonomi dhe sistem më të drejt jetësor”, tha Arsim Haziri. Më optimist se kjo temë nuk do të vihet në tavolinë, për shkak të ndikimit të madh që mund të kenë mbështetësit e fuqishëm të pavarësisë së Kosovës, është analisti Blerim Burjani.”Nuk do të ketë dialog për asnjë temë të shkëmbimit të territoreve e as ndarje. Serbia dëshiron të fuqizojë komunat serbe me kompetenca ligjore të niveleve të garancive dhe nivele autonome”, u shpreh ai.
Sipas tij, Asociacioni i Komunave është vlerësuar si antikushtetues edhe nga Gjykata Kushtetuese.”Tani ideja serbe për një marrëveshje përfundimtare me Kosovën normal se do të ketë caqet politike të copëzimit të Kosovës, mirëpo jam i sigurt që kjo politikë nuk do të pranohet asnjëherë nga Kosova”, theksoi Burjani. Ai vlerëson se gjëja më mirë do të ishte të përmbyllet dialogu me njohjen e Kosovës shtet përfundimisht.
(Kosova Sot)


