A do të mundet kryetari i ri i komunës, t`u rezistojë servilëve, karrieristëve që bëjnë turr pas secilit pushtet
Nga Sinan Sadiku – Tani e kemi kryetarin e ri të komunës së Dardanës. Ky është Qëndron Kastrati, kandidat i LVV-së, të cilit ia uroj fitoren, duke i dëshiruar suksese në punën e tij të re dhe me mjaft përgjegjësi. Qëndroni është djali i Isa Kastratit, dëshmor, hero i kombit. Kryetarin e ri nuk kam pas rastin ta takoj e as të bisedoj me të, ndërsa babain e tij, heroin Isa Kastrati e kam njohur. Me Isën jam njohur në fillim të viteve të nëntëdhjeta në kuadër të veprimtarisë atdhetare brenda LDK-së e cila atëherë ka qenë një Lëvizje Kombëtare.
Nja tri-katër herë jemi takuar në mbledhjet që LDK i mbante me përfaqësuesit e degëve në objektin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe kam pas rastin t`i dëgjoj fjalimet e tij. Po ashtu kam pas rastin që me të bisedoj me orë të tëra për problemet dhe sfidat e atëhershme kombëtare. Isa ka qenë një atdhetar i përkushtuar, i vendosur, guximtar dhe i gatshëm për sakrifica. Ka qenë i sinqertë dhe nuk ka hezituar t`i shpreh mendimet dhe vizionet e veta. Shumë më shumë se fjalët i ka dashtë veprimet konkrete…
Duke qenë djalë i atdhetarit Isa Kastrati dhe familjar i disa personaliteteve që një pjesë ose tërë jetën ia kanë kushtuar çlirimit kombëtar, kemi arsye të shpresojmë, të presim, të besojmë që Qëndroni punën e kryetarit do ta kryejë me ndershmëri dhe përkushtim. Me që e ka traditën familjare, një përvojë bukur të mirë në aktivitetin politik, besoj që edhe sa i përket aftësisë menaxheriale nuk qëndron keq. Menaxhimi në radhë të parë varet nga vullneti, nga puna dhe nga përkushtimi.
Nuk është lehtë t`u rezistosh servilëve dhe karrieristëve
Kur hyri UÇK-ja në Koretin shumica e njerëzve që vraponin për t’u fotografuar, për ta mbajtur rendin, që paraqiteshin të afërt me çlirimtarët, me njëfarë pushteti, ishin po ata njerëz, ose vinin po nga ato familje të cilat kishin pushtet, vendosnin rend dhe ekspozoheshin kur vinte Stafeta e Rinisë, gjegjësisht e Titos. Njerëzit e tillë që vrapojnë pas secilit pushtet, që nuk kanë turp, nuk skuqen, që nuk kanë fytyrë, deri tani kanë depërtuar në çdo qelizë të pushtetit. Atyre nuk kanë mundur tu rezistojnë personalitetet tona politike, madje ka ngjarë diçka e pabesueshme nuk kanë mundur t`u rezistojnë as viktimat e dikurshme të tyre, të burgosurit politikë!
Nuk është e lehtë t`u rezistohet të tillëve. Ata dinë si të depërtojnë, dinë të t`i thonë fjalët më të ëmbla, dinë të të “gjinden” në lloj-lloj situatash, dinë të të shërbejnë dhe kuptohet dinë ta kërkojnë dhe marrin “hakun”, çmimin, me takt, me stil të përsosur, sepse ata dinë edhe të kërkojnë. Ata dinë të japin por edhe më mirë dinë të marrin. Pastaj ata dinë që të këshillojnë, të udhëzojnë, të nxisin që ti dalëngadalë t`i harrosh idealet tua, t`i harrosh bashkëveprimtarët tuaj dhe të bëhesh si ata, një njeri që vrapon pas krijimit të pasurisë pa zgjedh asnjë mjet, që e keqpërdor pozitën dhe paratë e fituara në mënyrë të paligjshme për t`i kënaq nevojat e çoroditura të cilat gjithnjë vijnë duke u shtuar, kurrë nuk ngopen.
Disa nga tipat e tillë nuk e lëshuan rastin, nuk e humbën asnjë minutë dhe qysh dje i plasuan në facebook fotografitë me kryetarin e ri të komunës z. Qëndron Kastrati.
Nëse kthehemi katër vite më herët, të njëjtit i ke në fotografi me z. Begzad Sinani i cili që zgjedh kryetar për të dytën herë. Jam shumë i sigurt se jo pak nga ata do të fotografoheshin edhe me z. Shaip Surdulli, po t`i fitonte zgjedhjet, madje edhe me ndonjë tjetër. Për njerëzit e tillë është i mirë secili që vjen në pushtet, sepse për disa nga ata, ose për paraardhësit e tyre, të mirë kanë qenë edhe pushtuesit që ishin të veshur me pushtet. Të fotografohesh me njerëzit e tillë menjëherë pas fitores nuk është ndonjë mëkat, sepse thuajse nuk ke mundësi të mos e bësh atë. Ata të ngjiten, nuk të lëshojnë, e keqpërdorin mirësinë dhe mirësjelljen tënde.
Disa nga njerëzit që i janë bashkuar Vetëvendosjes kanë qenë aktivistë, madje edhe militantë të partive të tjera. Falë partive në të cilat kanë vepruar ata kanë ushtruar funksione të ndryshme dhe disa prej tyre punët nuk i kanë kryer ashtu siç është dashur t`i kryenin. Ka edhe raste kur kanë bërë keqpërdorime, dallavere, vjedhje… A mund të pritet që të njëjtit të ndryshojnë dhe të sillen e veprojnë në përputhje me idealet dhe programin për të cilin angazhohet LVV? Do të dëshiroja të ngjante kjo, por e di që nuk do të ngjajë. Si i ri lexoja romane të ndryshme të cilat më bindnin se njerëzit që i bashkoheshin Partisë Komuniste, që dilnin partizanë, shpejtë edukoheshin, humanizoheshin dhe përkryheshin, duke i lënë prapa veset dhe të këqijat njerëzore.
Më vonë e kuptova se diçka e tillë ngjan vetëm në romane, jo në realitet. Andaj, jam plotësisht i bindur, që njerëzit të cilët kanë bërë shumë të këqija derisa kanë ushtruar funksione të ndryshme, nuk mund ta frenojnë veten dhe të mos e vazhdojnë të njëjtin avaz edhe pas kalimit në Vetëvendosje. Duke i ditur këto, e di që kryetari i ri z. Qëndron Kastrati, nuk e ka lehtë ta krijojë një ekip profesional që do ta ndihmonte në realizimin e premtimeve për të cilat është zotuar gjatë fushatës dhe në saje të të cilave i ka fituar zgjedhjet.
Nuk e ka lehtë, madje e ka shumë vështirë, por nuk e ka të pamundur. Atij tani do t`i ofrohen shumë njerëz të veshur me rroba të engjëllit, por të cilët nuk i kanë të njëjta me të synimet, idealet… Nuk është lehtë, është shumë vështirë t`i refuzosh njerëzit e tillë. Disa nga veprimtarët e mëhershëm prej të cilëve me të drejtë kemi pritë të punojnë me përkushtim në realizimin e idealeve të përbashkëta, madje gati të gjithë prej atyre që janë pajis me pushtet, kanë dështuar në këtë drejtim.
Po shpresoj që Qëndroni nuk do të dështojë, sepse vetëm ashtu do të del faqebardhë dhe do të kontribuojë në realizimin e atyre idealeve për të cilat babai i tij, heroi Isa Kastrati, ka vuajtur nëpër burgjet e ish Jugosllavisë, duke përjetuar tortura nga më të tmerrshmet dhe në fund ka rënë për të mos vdekur kurrë, po për ato ideale.
Edhe njëherë kryetarit të ri, z. Qëndron Kastrati, ia uroj fitoren, duke i dëshiruar suksese dhe vetëm suksese në realizimin e programit që e ka premtuar gjatë fushatës./rajonipress/


