Anel Rashkaj rikthehet në Përfaqësuese? Ja çfarë thotë Bunjaki
Mesfushori kosovar, Anel Rashkaj siç duket do të rikthehet në formacionin e përfaqësueses së Kosovës në futboll, shkruan IndeksOnline.
Rashkaj i cili bëri për vete tifozët me paraqitjet e tija në ndeshjet miqësore të Kosovës, mund të ftohet për herë të parë nga përzgjedhësi Albert Bunjaki për ndeshjet kualifikuese në Kupën e Botës “Rusia 2018”.
Këtë lajm për “IndeksOnline” menaxheri kosovar nuk ka mundur as ta pranoj, por as ta mohoj për shkak se lista e futbollistëve të ftuar zbulohet më 5 qershor dhe nuk është etike të zbulohen emrat për shkak të korrektësisë ndaj gazetarëve.
“Listën do ta publikoj me datën 5 qershor në ora 11:00. Deri atëherë e kam princip që asnjërit me i dhënë emra të lojtarëve shkaku i korrektësisë që kam me ju gazetarët. Nuk mund ta mohoj, por as ta pranoj”, ka thënë Bunjaki për IndeksOnline.
Lojtari i lindur në Prizren, kishte luajtur në ndeshjet e para miqësore të Kosovës, por largimi nga elita e futbollit norvegjez me Sandnes ULF, kishte bërë që ai të mos ftohej më.
Kosova më datën 11 qershor do të takohet me Turqinë, në stadiumin shqiptar “Loro Borici” të Shkodrës./IndeksOnline/


