“Dardania” mbrëmë tregoi se Lutfi Haziri po shkon pa balotazh
Nga Gani Sadiku – Mbrëmë isha prezent në një tubim të madh të nëndegës së LDK-së, “Dardania I dhe II”, në Gjilan si i ftuar i Lutfi Hazirit. Edhe pse kisha përvojë nëpër tubime të tilla nga jeta ime publike, ju them të drejtën kur u futa në një sallë të ndriçuar mirë, së cilës nuk i shihej fundi, dhe e mbushur përplot me njerëz, filluan të më kapin emocionet e masës dhe thash me vete, o Zot i madh, më duket vetja sikur në kohën e Ibrahim Rugovës. Nuk kaloi shumë kohë, erdhi Kryetari Haziri me ç‘rast krejt salla u ngritën në këmbë. Sërish emocione dhe duartrokitje të pafundme. Pas shumë fjalimeve, i erdhi radha kryetarit Haziri, ta marrë fjalën, që siç duket mezi e priste masa.
Filloi t’i përshëndeste radhazi të moshuarit, veteranët, të rinjtë, të rejat, burrat dhe gratë, e t’i falënderonte për një tubim kaq masiv.
Ai i njihte pothuajse gjithë të pranishmit dhe një pjese të mirë ua tha emrin, që ishte një dëshmi shtesë se ai i njeh njerëzit e qytetit të tij. Thash me vete, liderët janë të tillë.! Konkret, ngrejnë emocione në masë, dhe me pak fjalë qojnë mesazhe të kjarta në publik.
Njeri me plot dinamizëm, që foli shkurt dhe qartë, siç flasin udhëheqës, para betejave të mëdha të cilët i kanë përfunduar përgatitjet e ushtarëve për fitore të pakthyeshme. Po po fitore.! Sepse për dallim nga kandidatët e partive tjera,
Luta i kishte përgatitur vet ushtarët e Ibrahim Rugovës për fitoren e radhës. Atij nuk i duhen fjalët, dhe propaganda e të ardhurve nga Prishtina, sepse ky ka lidhur aleancën e pa shkëputshme me qytetarin e Gjilanit.
Atij nuk i duhen as qytetarët e ardhur me autobus nga qytetet tjera, sepse ai e din që enët e boshe bëjnë më tepër zhurmë.
Këto janë zgjedhje lokale, dhe se Gjilani ka mjaftueshëm banorë entuziast dhe përkrahës të LDK-së, që Lutën do ta nxjerrin fitues pa balotazh.
Strategët, luftën e fitojnë shumë para se të zbresin në fushëbetejë, ndërkaq vetëm të dobëtit, kërkojnë fitore në fushën e mejdanit.!
Kandidatët e partive tjera në Gjilan me sa shihen, nëpër çdo takim synojnë të ngrejë entuziazmin e qytetarëve, duke përdorur një fjalor të dobët politik me një synim edhe më të dobët për të ardhmen, dhe gjykoj se kanë ide të çoroditura, pa sinergji logjike, ekonomike e sociale.
Vendit i mungon lideri shpirtërorë, me përmasa kombëtare, dhe qytetari i vendit e din mirë se njeriun e përmasave të tilla kombëtare duhet ta pres vetëm nga LDK-ja. Politika e një lideri, ka në fokus dy elemente: Njeriun dhe Ligjin.
Këto dy elemente Luta i ka dimesionuar që heret, sepse ai e ka hetuar me kohë se, nëse ekuilibri mes tyre prishet, politika humbet jo vetëm terren por edhe përmbajtje.
Ne jemi dëshmitarë se si nuk duhet të qeveriset as komuna dhe as shteti. Kemi përjetuar një qeverisje të keqe jo vetëm të komunës së Gjilanit për 6 vjet nga PDK-ja, por edhe të Kosovës në përgjithësi. Njerëzit e kësaj partie erdhën në pushtet me premtimin se do të sillnin një model të mirë qeverisës, ku të dyja elementet e mësipërme të gjenin një ekuilibër ekuivalent me politikat e tregut.
Me pak fjalë, shqiptarët donin shtet, dhe u besuan njerëzve të tillë, por siç duket dështuam në vlerësim dhe pasi që rrumpalla e pushteteve prej pavarësisë e këndej, e kishin shkatërruar themelin e shtetit, donin politika të adaptuara konvergjente me momentin dhe kohën, nga të cilat ata vetë përfitonin në mënyrë progresive dhe sistematike.
Qytetarët e vendit, nuk duan një komunë as një shtet i cili fokusohet në mosfunksionimin e ligjit. Pa dyshim se nuk duam një shtet, që politika ndërhyn drejtpërdrejtë në punën e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ku barrën e ligjit ia lenë ta bartë më i dobëti, pasi ai i “forti” dhe i pushtetshmi dinë të gjejë “gjuhën” edhe me drejtësinë.
Është e kuptueshme që të kërkosh zbatimin e ligjit dhe të mësosh njerëzit të edukohen me domosdoshmërinë e respektimit të tij, është alfa dhe omega, si dhe Abetarja e bërjes së një shteti për të cilin, kemi qenë dakord që nga koha e pasluftës.
Ç’farë shihet si tendencë në këtë qasje qeverisëse të z. Haziri, dhe cilët janë protagonistët e politikës së tij.? Ai synon një standard të ri në politikë jo vetëm në komunë por edhe shtetnore.
Kyçja e qytetarit të zakonshëm, Punëtorit, Gruas, Shoqërisë Civile etj duke pamundësuar protagonizmin individual të çdo kujt. Protagonizmi individual sjell tendenca për ta reduktuar qeverisjen vetëm në “bërjen e shtetit”, dhe vetëm me njerëz vasalë, çon hap pas hapi në autoritarizëm, madje edhe në totalitarizëm. Kur kjo tendencë shoqërohet me aparatin propagandistik i cili mandej fillon dhe ngritet në sistem…
Ne me të vërtetë përjetuam kohën e kapjes së shtetit, deri sa kapësit në emër të luftës e të çlirimit, gllabëruan krejt pasurinë shoqërore dhe individuale, ndërsa ne sot detyrohemi të bëjmë politika për ç’kapjen e një shteti të lodhur e të nëpërkëmbur, të ngjashme me prenë e luanit, i cili e liron atë vetëm kur e ndjenë se preja nuk merr frymë më, dhe s`ka shans t’i ikë nga kthetrat./rajonipress/


