Ka ndërruar jetë Ibrahim Hetem – Seferi, një aktivist i dalluar i kauzës sonë kombëtare
Gjilan – I madh e i vogël nga Zhegra e Malësisë së Karadakut e më gjerë, e kanë njohur Ibrahim Hetem Seferin, humanistin, njeriun e fjalës dhe aktivistin e denjë të çështjes sonë kombëtare. Ai, pas një sëmundje kohe, ndërroi jetë në moshën 78-vjeçare. Ibrahimi ishte një aktivist madh i kauzës sonë kombëtare shqiptare. Ai ishte i lindur më 6 shtator të vitit 1939 në fshatin Sefer, fshat i Malësisë së Karadakut, i cili padrejtësisht iu aneksua Komunës së Preshevës. Lindi ky njeri në folenë e heroit kombëtar, Idriz Seferi, në vendin ku shquhej për trimëri e burrëri. Jo vetëm kaq.
Qysh në moshën e re, Ibrahim H. Seferi, mbeti pa njërin prind, pa nënën e dashur e të shtrenjtë. Andaj, në vitin 1956, ai filloi të punojë si mësues në fshatin Peqenë. E më pas, pas kryerjes së shërbimit ushtarak, filloi punën si zyrtar i gjendjes civile në fshatin Caravajkë të Preshevës, gjer në kohën e pensionimit të tij. Nga kushtet e vështira, që ofroi ky fshat, në mars 1983, bashkë me nëntë fëmijët e tij është shpërngulur me familje në fshatin Zheger, ku kishte pjesën më të madhe të familjes Seferi.
Ibrahim H. Seferi qe një aktivist i denjë i çështjes kombëtare, ku aktiviteti i tij nuk pushoi, sidomos është shqua në inkuadrimin e tij në Lidhjes Demokratike të Kosovës të posaformuar, si anëtar i Kryesisë dhe pikërisht, shtëpia e tij ishte atë kohë zyra e këtij subjekti të sapoformuar. Mu për këtë shkak, ai qe i arrestuar dhe u mor disa herë në pyetje nga organet e serbe, të cilin e kanë maltretuar fizikisht.
Gjatë kohës së luftës së vitit 1999, ai ishte kontribuues në të gjitha fushat e jetës. Pas lufte u kthye në vendlindje, por i qe i thyer në zemër, sepse, shtëpinë ia kishin bërë shkrumb e hi dhe u desht që familja e tij ta fillojë jetën nga fillimi. Aktivitetin e tij e zhvilloi si humanist në shoqatën “Nëna Terezë” në Zhegër, ku me anëtarët e tjerë, shpërndau ndihma të shumta për popullatën e posakthyer nga lufta e fundit 1999.
Më 17 maj të vitit 2000, shtëpinë e të ndjerit e vizitoi presidenti historik dr.Ibrahim Rugova, ku i bëri nderë familjes dhe grykës se Karadakut. I ndjeri ishte anëtar për pajtimin e gjaqeve, ku në aktivitetin e tij dhe zgjuarsinë që pati, bëri që shumë familje të këtij lokaliteti të kthejnë dinjitetin dhe nderin që patën.
Ibrahim H. Seferin, vdekja e gjeti në shtrat të rrethuar me miq e dashamirë të shumtë që aq shumë e deshën dhe e respektuan sa ishte gjallë. Të gjithë ata që e njohën, dhanë mesazhe më të mira për jetën dhe veprën e tij. Thonë: “Njerëzit e mirë, nuk vdesin. Ata ikin në përjetësi, por vepra dhe puna e tyre mbetet si një fanar drite, e cila do të ndriçojë çdo etapë kohore”.
Andaj, familja dhe rrethi i tij janë krenar që të patën një njeri me autoritet që pati në çdo mes të kësaj ane të Karadakut jetik të Idriz Seferit. Ibrahim H. Seferi, tash i ndjerë, pas vete la 9 fëmijë, katër djem e pesë vajza. Por, ai la pas vete edhe shumë nipa e mbesa. I qoftë lehtë dheu i Kosovës!/tefik selimi/rajonipress/


