Mobilizim i jashtëzakonshëm po mbretëron në LDK-në e Gjilanit
Gjilan – Nën udhëheqjen e kryetarit të Degës së LDK-së në Gjilan, njëherit nënkryetarit në nivel qendror, Lutfi Haziri, sot janë mbajtur një sërë takimesh, duke filluar me shtabin zgjedhor të degës, për të vazhduar me Kryesinë, nëndegët, Forumin e Gruas dhe atë të Rinisë.
Në këto takime, në të cilat morën pjesë edhe kandidatët për deputet të kësaj partie në Kuvendin e Republikës, përkatësisht Lirije Kajtazi, Imet Rrahmani, Valentina Bunjaku Rexhepi e Isa Agushi, kryetari Lutfi Haziri theksoi se fryma mobilizuese e cila po mbretëron në LDK-në e Gjilanit, është garanca më e fortë për fitoren e madhe në Gjilan, Anamoravë dhe mbarë Kosovën të Koalicionit të Besës dhe Shpresës.
Gjatë takimeve të sotme u vlerësua lartë programi i LDK-së, i cili buron nga kandidati i koalicionit LDK-AKR-Alternativa, Abdullah Hoti, për të cilin u tha se do të krijoj mirëqenie për qytetarët, rritje të ekonomisë e të vendeve të reja të punës.
Në takimet e shumta të Degës së LDK-së, në të cilat kanë marrë pjesë edhe kandidatët për deputet nga koalicioni i Besës dhe Shpresës, strukturat e LDK-së konfirmuan përgatitjet e larta për tubimin e parë me strukturat e partisë, i cili do të mbahet të dielën, në ora 17:00, në Teatrin e qytetit.
Në fund të takimeve, kryetari Lutfi Haziri tha se LDK e Gjilanit është në shërbim të të gjithë kandidatëve që vijnë nga kjo parti, duke i nxjerrë fitues të padiskutueshëm, të cilët do të jenë zëri më i mirë i Gjilanit dhe Anamoravës në Kuvendin e Republikës thuhet në njoftimin e Saranda Bllacës zëdhënëse e LDK-së./rajonipress/


