Hidromorava

Mos pritni shumë nga loja e re, me lojtarë të lodhur!

/ 14 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA – Zgjedhjet lokale, si ato parlamentare: Më 22 tetor 2017 mbahen zgjedhjet e rregullta (më në fund diçka e rregullt në Kosovë) lokale, të rëndësishme për qytetarin e çdo vendi normal sepse rezultatet e këtyre zgjedhjeve ndikojnë në cilësinë e jetës së qytetarëve. Te ne në Kosovë është më ndryshe sepse përfaqësimi dhe mbrojtja e interesit të qytetarit është bira e fundit e kavallit në projektet politike të analfabetëve partiakë që kryesisht merren me probleme të natyrës globale, si faktorë të pashmangshëm në vendimmarrje të proceseve më të mëdha botërore.

Kosova, si rast sui generis, sot është e njohur në botë për sportin e karatesë ku, në përputhje me numrin e banorëve dhe kushteve, ka arritur rezultate të admirueshme dhe për politikanët injorantë dhe të korruptuar, falë të cilëve çdo vit jemi të radhitur në majat e listave të shteteve më të korruptuara në botë. Realisht në Kosovë nuk është aspak e vështirë të bëheni politikan, mjafton të keni para të pista, lidhje familjare, mungesë elementare të dinjitetit dhe lakueshmëri ekstreme të boshtit kurrizor, në kundërshtim me ligjet e natyrës dhe arkitekturës së Zotit që na ka krijuar si qenie me qëndrim vertikal përkundër ligjeve të politikës që ju shndërron në akrobat cirku me kurriz llastikë dhe maskenball, me shumë maska dhe më me shumë fytyra. Çuditërisht, përkundër të gjitha këtyre “dhuntive”, pjesa më e madhe e politikanëve janë shndërruar në supermenë prej plastmasi, as nuk treten dhe as nuk riciklohen e që nënkupton se seriozisht e rrezikojnë mjedisin ku sundojnë. Zgjedhjet parlamentare shkaktuan një lloj tërmeti politik duke i zhvendosur pikat e sundimit nga ata që tradicionalisht ishin parapaguar për pushtet, deri tE këta që shumë e gjakojnë pushtetin, por që kësaj radhe nuk e morën pikërisht për shkak të makiavelizmit primitiv dhe arrogant përmes një gojëtarie mashtruese.

Po çfarë ndodhi midis dy zgjedhjeve: Me shumë mund dhe me shumë sakrifica personale të detyrimit të hiqni dorë nga disa privilegje, pas shumë pazareve u formua qeveria e Kosovës që e ka një brishtësi aq shumë të shprehur sa që, edhe një ëndërr e një deputeti të vetëm mund t’i shkaktojë dhe i shkakton makth dhe ankth të rëndë këtyre që janë në pushtet por që nuk kanë ende shtet. Kryeministri i mëparshëm e që tash u shndërrua në një hakmarrës dhe inatçorë të pashpjegueshëm nuk e pati një ditë të hajrit ta bëjë punën si duhet ngase u dhunua nga ata me të cilët, për hir të pushtetit deshi të bënte koalicion por se u refuzua nga dhunuesit e djeshëm, pasi i shërbeu qëllimit të tyre. Isa Mustafa u sulmua në çdo cep të Kosovës së pavarur dhe “sovrane” nga partneri me të cilët gladiatori politik, në pamje të dhunshme por me përmbajtje paqësore, Avdullah Hoti bënte biseda për “harmonizim të programit qeverisës…” e që në fakt i ngjante ndërtimit të kalasë së Rozafasë; Dulla i hidhte disa gurë ditën, Isa ia rrafshonte natën anipse, në rrënojat e këtij koalicioni grykës për pushtet e bënë flijimin siç parasheh legjenda të Ismet Beqirit që e gurëzuan dhe e gozhduan duke e lënë pa asnjë pozitë! Isën e keqtrajtuan fizikisht dhe psikikisht dhe ai, sipas ligjeve në fuqi duhet të përfitojë si viktimë e dhunës. Tash, Ramushi u bë kryeministër dhe opozita e pabashkuar, në mungesë të guximit ta sulmojë fizikisht Ramushin, po e përdorin një mënyrë tjetër të presionit; kërcënimi i mbajtjes 24 orë nën presion dhe lufta e ftohtë të rrëzimit të qeverisë duke e përdorur, herë Zafir Ajnshtajnin politik apo ndonjë deputetë të komuniteteve pakicë si gogol shantazhues kundër qeverisë Haradinaj në përgjithësi dhe Halil Matoshit në veçanti.

Ramush Haradinajt ia kanë frikën prandaj nuk e sulmojnë, siç ia kam frikën edhe unë që nuk po e sulmoj kurse Isa Mustafën donin ta bënin lëkurë për tupanë. Kundërshtimin ndaj qeverisë Haradinaj po e bëjnë patriotët e dëshmuar të LDK-së, në me krye Isa Mustafën dhe Avdullah Hotin, sakrifica e të cilëve për lirinë e Kosovës është tregim apo përrallë më vete dhe disa mbeturina të jugosllavizmit, të aziluar me të gjitha privilegjet nën koqet e Albin Kurtit. Ky është realiteti në Kosovë, e pranuam apo nuk e pranuam, na pëlqeu apo nuk na pëlqeu. Realisht, pata shkruar edhe më herët, po të kishte pozita e sotme një emancipim elementar politik, nuk do ta merrte pushtetin kurrsesi por vullnetarisht do t’ia dorëzonte shumicës “shqiptare”; LV, LAA, Listës Serbe dhe pakicave tjera, duke ua lënë tërë përgjegjësinë për vendimet e rënda siç janë Demarkacioni, Asociacioni, bisedimet me atdheun e Listës Serbe, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe kërkesave tjera që do të shtrohen nga Serbia e që do të përkrahen nga BE. Por pozita e deshi më shumë pushtetin se rehatinë duke ia bërë të mundur opozitës që të forcohet shumë kurse pozitën po e pret fati i Ferrit të Dante Aligerit.

Ramush Haradinaj e ka marrë qeverisjen në kohën më të keqe të mundshme dhe po të bëhej pozita e mençur, jo që duhet t’i bëhet presion Ramushit por do të duhej ta përkrahte verbalisht dhe mos ta votojë aty ku vlerësohet se i bënë dëm vendit. Ramushi ka kondicion dhe vullnet por qeverisja nuk bëhet në palestrën e ushtrimeve e as në Five Stars. Ramushi nuk duhet të pengohet me asgjë, së paku në 100 ditët në vijim. Aq kohë ju duhet ta merrni veten edhe nëse bëheni synet e lëre më të merrni vendime të rënda dhe të rëndësishme për vendin. Ramushi ka vullnet dhe guxim t’i shtyjë disa procese e që të tjerët nuk e kanë. Demarkacionin nuk mund ta ndryshojë asnjë politikan a subjekt politik në Kosovë, pavarësisht fjalëve të forta që i thonë e së paku këtë mund ta bëjë Komisioni klientelist i formuar dje në përbërje të të cilit janë voajerë “shkencorë”, që të tillë i kanë bërë politikanët injorantë si dhe të tillë që pjesën më të madhe të jetës e kanë shpenzuar dhe shfrytëzuar duke punuar kundër interesave të shqiptarëve dhe Kosovës kurse tani, përmes Purgatorit të Komisionit për Decentralizim duan ta pastrojnë të kaluarën e tyre. Çuditërisht, këtë përbërje të Komisionit për Decentralizim e admiron edhe LV-ja ndonëse e ka të qartë se janë duke e bërë një punë të pamundur dhe janë të dështuar krejtësisht. Klientelizmi është shumë i qartë, shpërbleheni për kundërshtim të Demarkacionit në qeverisjen paraprake duke e materializuar me para këtë dëgjueshmëri ndonëse e dini se po e bëni punën e Sizifit apo Don Kishotit!

Demarkacioni nuk ndryshon, Asociacioni formohet sipas Marrëveshjes së Brukselit prandaj nuk i besoj zonjës së BE në Prishtinë kur thotë se do të formohet sipas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe Kushtetutës së Ahtisar Kosovës të cilën nuk e njohin pasuesit e liderit historik, Nikolas Maduros në Kosovë. Kosova do të ketë shumë probleme sepse është një ngrehinë, pa themele të forta. E çmoj shumë angazhimin e SHT, presidentit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi i cili bëri sakrificë personale dhe familjare duke shkuar në Nju Jork dhe duke i lutur të gjithë që ta pranojnë pavarësinë e Kosovës. Kur e pashë Hashimin në Nju Jork seç m’u ngritën emocionet shkaku se 100 % ngjante me Isë Boletinin në Londër! Duhet pranuar se HTH, të cilin shoqëria civile e Vetëvendosjes, në me krye Roza (Besa) Luksemburgu (Luzha) e bënë lesh në hotelin e masonit (ndërtuesit) të Marecit, gëzon respekt të jashtëzakonshëm në planin ndërkombëtar. Po, ne injorantët nuk ia dimë rëndësinë Hashimit dhe, vetëm kur ta humbim (gojëkëqinjt thonë të ndodhë sa më parë, unë i uroj jetë të gjatë) do ia dimë vlerën dhe rëndësinë që e ka. Behgjet Pacolli është legjendar, sikur që ishte Hudini magjistar, sepse për 10 ditë të aktivitetit i siguroi disa njohje dhe votat për UNESCO! Hajt 1 prill, hajt! Ramush Haradinaj bëri shumë mirë që nuk aplikoi për anëtarësim në INTERPOL ndryshe do të merrte përgjegjësi për dështimin e qeverisë paraprake. Dhe fakti tjetër është se nëse Gjet Pacolli nuk ka qenë në gjendje t’i sigurojë votat për pranim në INTERPOL, si do ta bëjë këtë kryeministri Haradinaj si ish viktimë, pikërisht e INTERPOLIT. Haradinaj do të ketë shumë probleme por këta që po e sulmojnë Ramushin do të kenë edhe më shumë probleme nëse i ngjiten pushtetit pas së cilit janë kapur shumë. Dikush në këtë mes do të rrëshqas aq shumë sa që do ta thyej qafën dhe kurrizin (nëse u ka mbetur gjë prej tij).

UBT

Zgjedhjet lokale dhe premtimet globale: Të gjithë janë të interesuar për rezultatet e mundshme të zgjedhjeve lokale të 22 tetorit 2017. A do ta përsërisë LV suksesin e zgjedhjeve parlamentare, a do të forcohet Isa me 40 xhuxhat e mbetur, a do ta vazhdojë PDK rrugën e “velika teposhtëzës” siç thonë rahovecianët, a do ta fitojë AKR ndonjë qytet pos Marecit, si do të ndahet AAK në Zonën Operative të Dukagjinit, a do ta ruaj NISMA për Kosovën Brukselin politik – Malishevën si kryeqytet dhe shumë pyetje të tjera. Është herët të parashikohen rezultatet e zgjedhjeve lokale. Një gjë e kam shumë të qartë se balotazhi përkatësisht marrëveshjet politike para balotazhit do të jenë përcaktuese për fituesin e zgjedhjeve lokale. Do t’i kemi dy situata, e para nëse partitë shkojnë të vetme në zgjedhje dhe, e dyta nëse bëjnë koalicione para balotazhit i cili do të bëhet në, së paku 75-80 % të komunave.

1. Lëvizje Vetëvendosje, në komunat ku mendon se mund të fitojë ka dërguar lojtarët më të fortë kurse aty ku gjasat i ka më të vogla ka dërguar militantë sakrifikues apo kamikazë politikë. LV ka një epërsi të madhe ndaj subjekteve tjera garuese në planin e komunikimit me masën sikur edhe disiplinën spartane të urdhërdhënës dhe zbatimit. Janë shumë aktivë në rrjetet sociale dhe kanë kapacitet të madh mobilizues. Angazhimin dhe përkushtimin militant e kanë shndërruar në besim, në fe politike. Prizreni ishte shembull tipik për këtë. Salla e mbushur plotë, orkestra parazgjedhore funksiononte si ora serkisuf. Dihej kur duhet të duartrokiste e kur të hidhen sloganet për partinë dhe liderin. Nuk kishte këtu kakofoni sikur te subjektet tjera. E kanë përkrahjen e plotë mediale të “Gorillës që nuk e pamë” si dhe për mrekulli e instrumentalizuan “shoqërinë civile” të LV-së që i kanë futur në lista për asamblistë komunalë ndërsa, për pak u dështoi që përfaqësuesi i “shoqërisë civile” të kësaj Lëvizjeje të emërohet ministre e Kulturës. Synimin kryesor e kanë ta ruajnë Prishtinën dhe t’i fitojnë ca qytete tjera ndonëse Shpendi nuk i ka përmbushur premtimet dhe ende po e mbanë veten me gurabijat e Isa Mustafës që po i përdorë si infuzion, për mbajtje të pushtetit. Fëmijët e Shpendit në GAP deklaruan se Shpendi i ka përmbushur 11 premtimet nga 12, madje edhe të 12 e ka para lindjes. Po të deklaronte ndryshe GAP për Shpendin do të ishte sikur fëmijët e mi, Shkëmbi dhe Blini të thonë se e kanë babën e keq. Premtimi i Shpendit për furnizim 24 orësh me ujë, ndoshta është realizuar dikund por, po mos ta kisha bunarin që më furnizon 24 orë me ujë, përveç se do të më kapte zgjeba (zhuga), do të isha rrezik serioz edhe për përhapjen e zgjebes në vendet ku i frekuentoj. Përkundër kësaj, nëse çdo parti garon e vetme, jam i sigurt se Lëvizja Vetëvendosje do të fitojë në 12 komuna përfshirë këtu edhe Prishtinën dhe katër komuna tjera të mëdha. Nëse partitë E tjera e bëjnë një aleancë para balotazhit, lehtësisht mund të ndodhë që LV-ja të mos e fitojë asnjë komunë!

2. LDK po luan me “Çetën e elefantëve” që po iu skadon mandati por se ende mund të fitojnë në bazë të klientelizmit të ashtëzuar. Prishtinën mund ta rikthejë vetëm me ndihmën e Aleancës PANA. Në këtë mënyrë mund ta ruaj Gjilanin dhe Pejën si dhe disa qyteza ku sundojnë sulltanët e përjetshëm. Hapjen e fushatës nuk e bëri të qëlluar në sallën “1 Tetori”. Më mirë do të ishte ta niste fushatën për zgjedhje lokale në Katedralen Politike “Shën Tereza” të cilën do ta mbushte shumë dhe i kryqëzuari nga LV-ja Isa Mustafa do të shenjtërohej si martir i demokracisë. LDK, pa një marrëveshje me PANA, para balotazhit e sidomos pa përkrahjen e Alternativës për Kosovën, nuk do ta fitojë asnjë komunë të madhe përjashtuar Gjilanin e gjinollëve!

3. PDK e nisi fushatën nga Mitrovica në stilin e xhaxhit Enver duke biseduar gju me gju me popullin dhe duke pirë çaj rusi në qytetin, gjysmën e së cilës e mbanë nën okupim, Serbia e Rusisë. Për Mitrovicë e kanë një kandidate të jashtëzakonshme me botëkuptim të një demokracie moderne po ç’dreqin Valdetja kërkoi në çajtoret e Mitrovicës? Kadri Veseli tha se do t’i fitojnë shumicën e komunave të Kosovës me sloganin e Ramiz Lladrovcit. Forca e Ndryshimit. Madje tha se do ta fitojë edhe Hanin e Elezit ndonëse e ka të qartë se as Donald Trampi nuk do të fitonte kundër Rufki Sumës në Han të Elezit. Në marrëveshje me (P)ANA dhe LDK + Alternativa për Gjakovën, PDK do ta rikthente Mitrovicën, Ferizajin dhe do ta ruante ministrinë e Kulturës në Prizren, në të kundërtën mund të pijë çaj rusi në Skenderaj, Kaçanik, Drenas, Vushtrri dhe Besianë, si mysafirë të kryetarit të ardhshëm Agim Veliu.

4. AAK, pa marrëveshjen me aleatë do ta fitojë Deçanin, Isniqin, Gllogjanin dhe Zyrën e Kryeministrit në Prishtinë. Me një marrëveshje të interesit dhe mirëkuptim prej xhentelmenësh mund ta fitojë Gjakovën dhe Pejën + disa qytetëza e që nënkupton funksionalizimin e Zonës Operative të Dukagjinit me një shtrirje të lehtë jashtë këtyre kufijve.

5. AKR në zgjedhjet e ardhshme lokale fitoren e ka të sigurtë në Adis Abeba të Etiopisë, Kartum të Sudanit, Peshavar të Pakistanit, Islamabad të Afganistanit, Damaskus të Sirisë, Bengazi të Libisë dhe Osaka të Japonisë.
Presim e shohim, mund të ndodhin befasi deri në tavan, në Kosovastan!