Ilir Ramushi: Pushteti komunal me vite i ka gënjyer banorët e Llashticës
Gjilan – Lavdërimet e pushtetit gjilanas me të arritura, që prezantohen qoftë nga kreu i komunës, qoftë nga drejtorët e drejtorive komunale përmes konferencave me gazetarë, nuk i bëjnë më përshtypje qytetarëve të Gjilanit, pasi që në këtë komunë në fakt ka pas më shumë fjalë se punë. Kështu së paku shprehet Ilir Ramushi përfaqësues i NISMA për Gjilanin, që pritet së shpejti të ulet edhe në ulësen e këshilltarit komunal, pasi që do të kandidojë në këto zgjedhje për asamble komunale.
Duke iu referuar deklaratave për të arriturat në komunë, sidomos të bëra nga Lutfi Haziri, Ramushi ka thënë se po të ishte gjendja siç thonë zyrtarët e Komunës, edhe opozita, në këtë rast NISMA, do të ishte shumë e kënaqur dhe e lumtur me ato të arritura nëse do të realizoheshin.
Sipas tij, Drejtoria e Shërbimeve Publike duhet ta trajtojë me prioritet çështjen e kanalizimeve dhe ujërave të zeza në qytet dhe në fshatra ku gjatë reshjeve të shiut, sheshet shndërrohen në pellgje të pa kalueshme e fshatrat përmbysje të tëra duke shkaktuar dëme materiale të pakompenzuara asnjëherë. “Me prioritet duhet të filloj ndërtimi i Ambullantes ne fshatin Llashticë” ka reaguar Ramushi duke dal në krah bashkëfshatarëve të tij, premtim ky shumë i hershëm i bërë nga Lutfi Haziri për banorët e këtij fshati që të paktën as rrjetin e kanalizimit nuk e kanë të rregulluar, fakt ky që tregon mashtrimet ndër vite të këtij pushteti të orientuar në interesa klanore e familjare.
Ai shprehet i pakënaqur edhe me reagimin e dobët të Drejtorisë për Shërbime Publike gjatë sezonës së dimrit sepse fshatrat nuk kanë marr trajtimin e duhur duke pas parasysh që nxënës të kësaj ane ecin me kilometra të tëra për të vijuar mësimet në shkollë, derisa vlerëson se as ndriçimi publik nuk mirëmbahet si duhet dhe si pasojë në disa lagje të qytetit dhe fshatra ka muaj të tërë që nuk ka ndriçim.
Ramushi kërkon nga Drejtoria e Shërbimeve Publike që ta zgjidhë me prioritet edhe problemin e transportit urban, përpara se të krenohet me rrugët e rendit të tretë. “Ne si opozitë i kemi përkrahur dhe do t`i përkrahim punët e mira që bëhen nga ky pushtet dhe nga kushdo qoftë tjetër, mirëpo kjo nuk ka ndodhur asnjëherë dhe po shihet se nuk do të ndodhë” ka thënë Ramushi./rajonipress/


