Në kujtim të pishtarit të demokracisë
Nga Vjosa Osmani – Nëse dikush në Kosovë personifikonte përpjekjet për paqe e pajtim, ai ishte Fehmi Agani, shkruante gazeta britanike ‘The Independent’, dy javë pas vrasjes së Akademikut, në maj 1999. Ai përshkruhej si një ndër figurat më eminente intelektuale shqiptare të asaj gjenerate, që përpos si politikan, kishte dëshmuar veten edhe si shkrimtar e mësimdhënës i devotshëm.
Edhe 14 vjet pas vrasjes së Fehmi Aganit, vepra e tij mbetet dritë udhërrëfyese për të gjithë ata që patën fatin të punonin me të, si dhe për të gjithë ne që ende mësojmë nga veprimtaria e tij e palodhur për paqe e liri. Shpirti i tij pacifist vërehej jo vetëm në punën e tij, por edhe në fjalët e tij në kontakt me të tjerët.
Ai besonte thellësisht në dialog, si një ndër vlerat themelore të demokracisë. Gazeta ‘The Independent’ në vitin 1999 theksonte se pavarësisht vuajtjeve që Agani kishte përjetuar në duart e shtetit serb vetëm pse ishte shqiptar, ai refuzonte të shfaqte urrejtje.
Kjo gazetë po ashtu raportonte se në natën e parë të intervenimit të NATO-s në Kosovë, pasi kishin ardhur lajmet që Richard Holbrooke ishte larguar nga Beogradi duarthatë, Fehmi Agani dha intervistën e tij të fundit për War & Peace Reporting në Londër. Kur u pyet se çka pritet të ndodhë, ai u përgjigj: “Vetëm Zoti e di. As nuk guxoj ta marr me mend”. Ai, si duket e parandiente tentimin për shfarosje që do ta bënte regjimi serb ndaj popullit shqiptar. Dhe fatkeqësisht ajo ndodhi, dhe përderisa NATO sulmonte nga lart, Serbia hakmerrej në tokë, dhe sulmonte civilët. Por sulmoi dhe vrau në mënyrën më makabre edhe shumë udhëheqës intelektualë të shqiptarëve, ndër ta edhe Fehmi Aganin. Sot kur e kujtojmë veprën e tij kombëtare, si themelues e nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe si dorë e djathtë e presidentit Rugova, ai vazhdon të jetë i pranishëm në jetën e të gjithë qytetarëve të Kosovës që sot e gëzojnë lirinë, falë punës e sakrificës së tij dhe të shumë e shumë intelektualëve e veprimtarëve të tjerë.
Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova e kujtonte Profesor Aganin si njeriun më aktiv në lëvizjen tonë për liri, pavarësi e demokraci. “Ai ishte gjithmonë në vijën e parë të veprimit në planin publicistik, diplomatik dhe të veprimit në terren” theksonte presidenti Rugova në vitin 2004, ku edhe e dekoroi Aganin me urdhrin “Hero i Kosovës” për vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Akademik Fehmi Agani do të mbahet në mend si një vizionar i projektit të pavarësisë së Kosovës. Ai ka dhënë gjithë potencialin e vet njerëzor e akademik në shërbim të projektimit, të argumentimit dhe të realizimit të idesë së çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës, si dhe krijimit të miqve dhe miqësive anekënd botës, miqësi të cilat po i thellojmë edhe në ditët e sotme. Ai përgjithmonë do të mbetet Hero i Kosovës.
(Autorja është deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe anëtare e Kryesisë së LDK-së. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën “Tribuna”)


