Rajonipress shkollë dhe ombrellë e gazetarisë në Anamoravë
Shënimi i njëvjetorit të Agjencisë Rajonale të Lajmeve Rajonipress është përshkruar me një atmosferë profesionale ku kanë folur e dhënë vlerësimet e tyre njerëz të këtij profesioni, gazetarë me përvojë e të përkushtuar. Po sjellim disa nga opinionet e tyre.
Demir Krasniqi: Rajonipress është shkollë dhe ombrellë e gazetarisë në Anamoravë. Është një Universitet i gazetarisë nga i cili kemi mësuar të gjithë. Këtu e kemi gjetur vetën dhe jemi avancuar e mësuar edhe për fushën e gazetarisë. Rajonipress është një ambasador për Anamoravë, një medium që ka bërë kthesë në fushën mediatike.
Ismet Rashiti: Në gazetarinë bashkëkohore sukseset nuk vlerësohen me jetëgjatësinë e një mediumi informativ. Janë vlerat profesionale që e përcaktojnë kohën dhe vendin e një mediumi në një shoqëri.
Për aq sa e kam përcjellur unë “ Rajonipress”, kam përshtypjen se “ Rajonipress” , brenda një viti ka arritur t’i thyej kufijtë rajonal. Është informimi i shpejtë dhe profesional që e bëjnë të lexueshëm “Rajonipress”, jo vetëm në rajonin tonë, por në mbarë hapësirën shqiptare dhe në diasporë.
Sot, kur po ballafaqohemi me një konkurrencë jo të lehtë të vlerave, shpeshherë të përzier edhe nga antivlerat që nuk respektojnë as minimumin e etikes profesionale, është vështirë të mbijetosh. Jam i sigurt se “Rajonipress” e ka kaluar me sukses këtë “fruth” që shpeshherë din të jetë me pasoja fatale.
Viti i parë gjithmonë dhe kudo, aq më tepër në gazetari paraqet sfida. Kam bindjen se “Rajonipress” përgjatë këtij viti është dëshmuar si një medium profesional, ndaj nëse vazhdon me këtë tempo perspektiva e tij është e sigurt.
Flamur Hyseni profesor universitar tha se përgjatë këtij viti, rajonipress u bë pikë referuese dhe interesimi për të marrë informatën për ngjarjet ditore politike dhe lajme tjera , u bë shprehi e përcjelljes së lajmit të shpejtë, u bë pikë referuese e pasqyrimit të punës dhe jetës politiko – sociale në Gjilan dhe rajonin e Anamoraves.
Rajonipress u dëshmua me ofrim të alternatives për të marrë lajmin nga zhvillimet politiko – sociale rajonale dhe shpeshherë edhe qendrore, prandaj me këtë u bë si pikë referuese e dëgjuesit dhe lexuesit të lajmit dhe tanimë ka krijuar përfundimisht alternativën për të marrë lajmin e shpejtë.
Si Agjenci e lajmeve telegrafike, rajonipress e dëshmoi se mund të krijoi një performance mediale të pranueshme duke qenë aktual në lajme dhe përcjellje të ngjarjeve brenda 24 orëve pa u vjetërsuar lajmi.
Xhevdet Kallaba nga albinfo : Rajonipress nuk është më vetëm rajonal sepse i ka tejkaluar të gjithë kufij rajonal. Rajonipress është magje dhe bukë për shumë mërgimtarë që çdo ditë e përcjellin dhe e klikojnë atë.


