ARKATANA

Fati i marrëveshjes varet nga zbatimi i saj

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Kosova dhe Serbia akoma nuk kanë arritur ta finalizojnë planin për zbatimin e marrëveshjes së arritur me 19 prill ndërmjet kryeministrave Hashim Thaçi e Ivica Daçiq. Prishtina zyrtare tashmë e ka prezantuar planin e saj të implementimit të marrëveshjes. Ai është pranuar nga zyra e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, ndërsa, Beogradi akoma është duke e studiuar.

Fati i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, varet nga zbatimi i saj. Kështu thonë përfaqësues të institucioneve të Kosovës të cilët për implementimin e marrëveshjes garantojnë se do të angazhohen edhe EULEX-i, NATO dhe OSBE-ja. Serbët e veriut të Kosovës vazhdojnë ta kundërshtojnë marrëveshjen, mirëpo, kryeministri Thaçi, i siguron ata se plani i përbashkët për veriun nuk është i drejtuar kundër askujt, raporton RTK.

Prishtina zyrtare tashmë e ka prezantuar planin e saj të implementimit te Catherinë Ashton, ndërsa, Beogradi akoma është duke e studiuar dhe për këtë ka kërkuar kohë shtesë. Profesori i të drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, thotë se Serbia ndodhet në situatën kur nuk mund të bëjë manovra tjera por, është e detyruar që ta zbatojë marrëveshjen me Kosovën.

“Jemi në një situatë kur veprimet konkrete janë shumë të domosdoshme si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, prandaj nuk ka kohë për të humbur dhe procesi i implementimit të kësaj marrëveshje do të jetë në një mbikëqyrje strikte nga ana e Bashkimit Evropian, dhe me gjithë vështirësitë e veta, marrëveshja do të zbatohet”, thotë Afrim Hoti për Radio Kosovën.

Eco Higjiena

Rezultati i dialogut Prishtinë-Beograd dhe zbatimi i marrëveshjes së arritur, përcakton qartë edhe rrugën e Kosovës dhe Serbisë drejt integrimit dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Emrush Ujkani, njohës i integrimeve evropiane shpjegon se në çfarë aspektesh ndërlidhet rruga e Kosovës dhe Serbisë me këto integrime, por pengesa nga ana e Serbisë nuk mund të ketë.

“Serbia më së paku ka fuqi për ta penguar Kosovën për përmbushjen e detyrimeve për MSA-në, por marrëveshjet tjera në një mënyrë tjetër ndoshta do të mund të jenë pengesë e saj, për aq sa ato fusha bëjnë pjesë në raportet tregtare, zhvillimin rajonal”, thotë Emrush Ujkani për Radio Kosovën.

Sidoqoftë, pikat e marrëveshjes Kosovë-Serbi, duhet të zbatohen deri me datën 15 qeshorë, kur shefat e shteteve anëtare të Bashkmit Evropian do të mbledhen për të vendosur për t’i dhënë Serbisë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa, Kosovës datën e nisjes së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.