PDK-ja janë joserioz
”PDK-ja janë joserioz dhe me sjellje të dëmshme ndaj marrëveshjes së prillit të 2011 ndërsa, Presidentja Atifete Jahjaga duhet të shpreh vullnetin e saj që të procedohet me ndryshimin e Kushtetutës dhe me shpalljen e zgjedhjeve të reja të drejtpërdrejta për President të vendit”, ka thënë Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në Mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie.
Mustafa ripërsëriti se mirëpresin të gjitha partitë, por që i takojnë qendrës së djathtë. Sa u përket zgjedhjeve lokale që do të mbahen në fund të këtij vitit, Mustafa tha se fitorja e LDK-së në to do të ketë një impakt të drejtpërdrejtë në fitoren në zgjedhjet qendrore. I quajti zgjedhjet e ardhshme vendimtare për Kosovën që të mundet qeverisja e keqe, qeverisja e korruptuar në nivel lokal dhe në nivel qendror.
Ai duke ju drejtuar anëtarëve të partisë së tij tha se tashmë kanë zgjeruar radhët e tyre me të rinj dhe femra.
“Sa u përket reformave zgjedhore dhe kushtetuese, i vlerësojmë joserioze dhe të dëmshme sjelljet e PDK-së ndaj marrëveshjes së muajit prill të vitit 2011. Ne konsiderojmë se Presidentja e vendit duhet të shpreh vullnetin e saj që të procedohet me ndryshimin e Kushtetutës dhe me shpalljen e zgjedhjeve të reja të drejtpërdrejta për President të vendit. Ndërsa po punojmë që të harmonizohen disa çështje që kanë të bëjnë me reformën zgjedhor”, ka thënë ai.
I pari i LDK-së tha se duhet nisur me besimin dhe bindjen se do të fitojnë. “Dëshiroj të theksoj se fitorja e LDK-së në zgjedhjet lokale do të ketë një impakt të drejtpërdrejtë në fitoren në zgjedhjet qendrore. Këto zgjedhje janë shans për Kosovën që të mundim një qeverisje të keqe, një qeverisje të korruptuar në nivel lokal dhe në nivel qendror. Aferat korruptuese, në organet më të ndjeshme të qeverisë, në ministritë që duhet ta luftojnë korrupsionin, rastet në shumë komuna të PDK-së, janë treguesi më i mirë se si po kultivohet shteti joligjor nga kjo qeverisje”, ka thënë ai.
Mustafa ka thënë se formën aktuale të qeverisjes duhet ta mundin dhe se duhet të instalojnë qeverisje të përgjegjshme, qeverisje në interes të qytetarit./Indeksonline/


