KKVITI

AAK e LDK në pushtet përmes PDK-së!

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Nga Adrian Çollaku – Zyrtarëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës duket se vonë u ka dalë “gjumi”. Tani kur reforma zgjedhore duhej të përmbyllej, ngase kanë mbetur vetëm edhe pak muaj deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale, drejtuesve të AAK-së u ka rënë ndër mend se takimi i liderëve për reformë zgjedhore qenka i kotë. E, në anën tjetër, vetëm para pak javësh pikërisht lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, e kishte thirrur një takim të tillë.

Do të thotë, me bekimin e liderëve partiakë, reforma zgjedhore nga komisioni i përkohshëm parlamentar u tërhoq dhe kaloi në nivel tjetër. Pra, ishin pikërisht këta liderë ata të cilët e sabotuan vazhdimisht punën e Komisionit për Reformë Zgjedhore, duke e çuar huq mundin e anëtarëve të këtij komisioni që të bëhen ndryshimet në legjislacionin zgjedhor.

Prandaj, me vetë faktin që ndryshimet në legjislacionin për zgjedhje kaluan në nivel të “lartë”, ka qenë e pritshme se nuk do të ketë reformë të mirëfilltë zgjedhore.Ndryshimet e deritashme janë sipërfaqësore. Partitë politike ende nuk kanë bërë as edhe më të voglin ndryshim. Ato kryesisht janë pajtuar për gjëra që janë edhe në ligjin aktual. Kosova edhe deri më tani ka qenë një zonë zgjedhore. Pragu elektoral ka qenë 5 për qind, ashtu sikurse janë pajtuar edhe partitë politike për të bërë “reformën” zgjedhore…

As pika kryesore e reformës zgjedhore, e cila ka të bëjë me mënyrën e zgjedhjes së presidentit të vendit, në mënyrë të drejtpërdrejtë nga qytetarët e jo nëpërmjet Kuvendit, duket se nuk do të realizohet. Për këtë madje, janë pajtuar edhe shumica e partive politike. Lidhja Demokratike e Isa Mustafës dhe Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit, janë të vetmet parti që janë për zgjedhjen e presidentit në mënyrë të drejtpërdrejtë nga populli, në mënyrë që t’u iket krizave të mundshme institucionale.

Eco Higjiena

Siç janë duke shkuar gjërat, as zgjedhja e presidentit nga populli nuk do të kalojë. Presidenti i Kosovës edhe në të ardhmen me gjasë do të vazhdohet të zgjidhet nga Kuvendi, sidomos bazuar në atë që partia më e madhe në vend, PDK-ja dhe disa parti tjera janë për zgjedhje të presidentit nga Kuvendi.

Madje, siç ka mësuar gazeta, kryeministri aktual, Hashim Thaçi, i cili vjen nga radhët e PDK-së, është në përgatitje të terrenit për të marrë nën drejtim postin e të parit të vendit. Sipas burimeve të gazetës, mësohet se Thaçi i frikësohet një gare të drejtpërdrejtë në zgjedhje, prandaj po preferon që zgjedhja e presidentit të vazhdojë të bëhet përmes Kuvendit. Bile, ai edhe në një intervistë dhënë për mediet lokale, ka thënë se nuk e ka ndërmend që të kandidojë më për kryeministër. “Tri mandate për të qenë kryeministër janë shumë, ndërkaq, një mandat është shumë pak”, kishte thënë Thaçi.

Derisa PDK-ja po i bën planet në mënyrë perfekte se si t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme, madje duke i vënë në objektiv postet kryesore politike, partitë opozitare, si AAK-ja e LDK-ja, duket se nuk kanë qëndrim të qartë se për çfarë “reforme” zgjedhore janë. Kanë rënë në një kllapim, ose po e shohin veten në pushtet vetëm përmes PDK-së.