Kllapia opozitare
Nga Arbana Xharra – Duket paradoksale, por është e vërtetë: momentalisht kryeopozitari i Kosovës vjen nga radhët e opozitës. Ai quhet Jakup Krasniqi. Nga pozita e kryetarit të Kuvendit të Kosovës Krasniqi me tone befasisht të ashpra dhe të qëlluara ka prekur qartë problemet e qeverisjes së sotme të Kosovës, një qeverisje që luhatet mes hajnisë dhe krimit. Dy liderët e opozitës së mirëfilltë, Isa Mustafa dhe Albin Kurti, sikur kanë rënë në kllapi, në gjumë dimëror, ose merren me tema sporadike.
Atë që nuk po e bëjnë me ngulm Mustafa dhe Kurti, tani për tani po e bën Jakup Krasniqi, me përkushtim, duke treguar se ka mbetur pak moral në skenën politike të Kosovës. Sjellja e Krasniqit është mesazh edhe për shokët e tij në PDK si puna e Hydajet Hysenit, i cili ndonëse është përpjekur të tregojë se nuk pajtohet me veprimet e qeverisë së Hashim Thaçit, por i njëjti, pra Hydajet Hyseni, nuk ngurroi të pranojë ofertën e Thaçit për të vizituar një “kongres të kotësive” në Korenë e Jugut.
Edhe pse zyrtarisht (ende) është pjesë e PDK-së, Jakup Krasniqi, flet për sistemin totalitar brenda partisë, mënyrën sesi janë bërë emërimet nga një person, nga Thaçi, të cilin tërthorazi e akuzon për sjellje diktatoriale. Krasniqi u distancua nga organet e reja të kësaj partie, duke refuzuar edhe pozitat që po i ofrohen. Ai po shfrytëzon secilën mundësi brenda sistemit që t’i kundërvihet bashkëpartiakëve me argumente dhe me gjuhë të ashpër, ashtu siç e meritojnë.
Ndërkohë opozita e Kosovës kryesisht po hesht! Sa i përket Ramush Haradinajt tashmë i kemi kuptuar ambiciet e tij, edhe nuk presim të ketë reagime nga AAK-ja. Kjo parti edhe ashtu po na jep shembuj çdo ditë për servilizëm karshi qeverisë së Thaçit. Bile është turp ta quajnë ende veten opozitë. AAK është dhe po sillet si pjesë e pushtetit.
Por, pse edhe dy krerët e partive të tjera opozitare, Isa Mustafa dhe Albin Kurti, janë “përgjumur”, mbetet enigmë. Në kohën kur në fytyrë po na përplasen skandale dhe denigrim i ashpër i proceseve politike të shoqëruara me rënien e vazhdueshme të standardit jetësor, përveç ndonjë deklarate sa për sy e faqe nuk kemi ndonjë veprim konkret kundër keqqeverisjes.
Opozita me këtë qëndrim vetëm sa është duke i ndihmuar të sigurohet vazhdimësia e politikës së diskredituar. Duke e harruar obligimin ndaj votuesve dhe të rolit që duhet të luajnë brenda institucioneve, Mustafa dhe Kurti po irritojnë qytetarët, të cilët prej tyre presin angazhim konkret për ndryshime. Argumentet nuk mungojnë për sistemin e korruptuar gjyqësor, zyrtarët qeveritarë të përfshirë në skandale, rrjetet e krimit. Këto argumente duhet t’i materializojë opozita. Nuk mjafton vetëm të konstatohen krimet e pushtetit. Ato duhet luftuar e parandaluar. Ngjarjet të cilat po devalvojnë shtetin duhet të jenë në agjendën e tyre. Vetëm ditëve të fundit LDK dhe VV kanë pasur rastin të reagojnë më ashpër për skandalin e radhës të kurdisjes së tenderit të ri të pasaportave të MPB-së, rrahjen e policit nga djemtë e Adem Grabovcit, lirimin e Bajrush Xhemajlit, mashtrimet e KEK-ut.
Nuk mjaftojnë vetëm fjalimet e deputetëve opozitarë në parlament. LDK dhe VV duhet ta prezantojnë para opinionit një projekt të qartë për ndryshim të qeverisjes. Në këtë drejtim mund të kenë mbështetje edhe nga një pjesë e qytetarëve, të cilët në zgjedhjet e fundit dhe të parafundit u kanë besuar premtimeve të rrejshme të Hashim Thaçit dhe partisë së tij.
Derisa Isa Mustafa politikën e tij e ka kufizuar kryesisht në dhe rreth Prishtinës (me suksese tejet modeste), Albin Kurti vazhdon të trumbetojë temat e mëdha, siç është bashkimi kombëtar.Në këtë mënyrë po harrohen brengat e vërteta të qytetarit, i cili nuk e ka prioritet në listën e dëshirave bashkimin me Shqipërinë, por një rrogë e cila ia siguron ekzistencën dhe pse jo edhe nja apo dy javë pushime në bregdetin e Shqipërisë. Por, krahas tyre duhet siguruar edhe bukën e përditshme, duhet paguar rrymën, duhet paguar shkollimin e fëmijëve, duhet paguar mjekun në rast sëmundjeje. Lista e brengave është e gjatë. Mustafa dhe Kurti vetëm duhet t’i ndërrojnë syzet që të shohin më mirë.


