FIDANISHTJA

Zonat ekonomike sjellin përfitime për Anamoravën

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Krijimi i zonave ekonomike në rajonin e Anamoravës krijon vende të reja të punës, lehtësira për bizneset dhe përfitime tjera. Kështu u tha në debatin e organizuar nga Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” kushtuar krijimit të zonave ekonomike në rajonin e Anamoravës.

Debati me temën “Zona Ekonomike e Anamoravës – prioritetet dhe përparësitë”, të organizuar nga Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” dhe i përkrahur edhe nga AZHR Lindje me seli në Gjilan ka ngjallur interesim tek ekspertët, shoqëria civile, bizneset dhe strukturat institucionale që merren me çështjet ekonomisë.

Panelisti i parë Bajrush Ymeri, kryetar i komunës së Artanës, tha se në nivel lokal janë angazhuar për krijimin e kushteve sa më të mira për qytetarë, por se në zhvillim ekonomik nuk qëndrojnë mirë. “Jemi angazhuar për krijimin e zonës ekonomike të përbashkët”.

Ai tha se bashkë me Gjilanin do të krijojnë një zonë të përbashkët ekonomike. Sipas tij, për këtë qëllim janë bërë vizita studimore në Çeki e SHBA. Ymeri tha se krijimi i zonës ekonomike do të nxis investitorët dhe të ndihmojnë në zhvillimin e përgjithshme ekonomik në Kosovë, t’u krijojmë qasje në transport, në energji dhe të mira të tjera. “Kjo pjesë e lidh tërë rajonin e Anamoravës, sikurse që nuk e ka larg as Prishtinën dhe pjesë të tjera të Kosovës” tha Ymeri.

Riad Rashiti, drejtor për Zhvillim Ekonomik në Gjilan, ka theksuar se krijimi i zonës ekonomike, ka për qëllim kryesor mbështetjen e bizneseve. Ai tha se komuna ka bërë hapa të mirë për krijimin e lehtësirave, që prej atyre administrative deri te heqja e taksave për biznese. Ai tha se krijimi i zonave ekonomike nuk janë të lehta dhe shtoi se e tërë kjo është një procedurë e mundimshme.

Sipas Rashitit, është e nevojshme që Gjilani të ketë minizona ekonomike, por komuna po ballafaqohet me mungesë të tokës. Ai tha se privatizimi e ka dëmtuar shumë Gjilanin dhe nuk u arrit që të ruhet ndonjë parcelë për ndonjë zonë ekonomike.
“Nuk kemi hapësira në komunë të Gjilanit e nevoja për zona ekonomike është shumë e madhe. Ka interesim për shfrytëzim të tokës së komunës e komuna nuk ka tokë”, ka thënë Rashiti, i cili tha se thelbësore mbetet zona ekonomike rajonale, dhe shtoi se Gjilani mund të bisedojë edhe me komunën e Parteshit, e cila ka më së shumti tokë komunale në rajon.

Uji Dea

Almir Hyseni, nga Agjencioni Zhvillimor Rajonal Lindje, ka thënë se agjencia po i përkrah komunat, bizneset, ndërmarrjet e vogla e të mesme. Ai ka përmendur praktikat e rajoneve të tjera dhe ka shtuar se ka mundësi të shumta për krijimin e zonave ekonomike.

Ismajl Jonuzi, nga Komuniteti i Biznesit “Reforma”, që tubon bizneset e Gjilanit, ka thënë se që prej themelimit të Inkubatorit të Biznesit nuk pati rezultate. Sipas tij, zhvillimi ekonomik është e vetmja shtyllë e një vendi e bizneseve duhet krijuar infrastrukturë ligjore. “Mund të krijojmë sa të duam zona industriale, por biznesi është para bankrotit, rinia është e papunë e nuk i kemi identifikuar problemet që po e pengojnë zhvillimin ekonomik”, tha Jonuzi, që shtoi se ligji i prokurimit po u ngulfat biznesin. “Askush nuk po investon në Kosovë, investitorët po ikin në shtetin e rajonit”, tha Jonuzi, që e quajti të paarsyeshme mospasjen e një strategjie zhvillimore në nivel vendi.

Burim Haliti, ekspert i ekonomisë, tha se krijimi i zonave ekonomike është me rëndësi dhe se duhen të merren praktika që kanë dhënë sukses, derisa Mejdi Zymberi, biznesmen, ka derdhur kritika në zhvillimet ekonomike në Kosovë, që nga politikat doganore. “Kosova ka falimentuar e Anamorava është edhe më keq”, tha Zymberi, derisa Sahit Abazi nga inkubatori i biznesit, tha se Gjilani mund të ketë zhvillim vetëm në sferën e bujqësisë .

Kurse Leonard Miftari, drejtues i një instituti për zhvillim ekonomik, kërkoi të di për koston e zonës ekonomike, derisa Avni Rudaku, nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se zona ekonomike lindi si nevojë e jo me diktat nga lart. Ai përmendi edhe trekëndëshin rajonal, mundësinë e zhvillimit ekonomik ndër rajonal.

Xhevat Aliu nga Qendra Rajonale e Punësimit, tha se ka shumë nevojtarë për punë e zhvillimi ekonomik krijon vende të reja pune. Ai tha se ka mbi rreth 30 mijë punëkërkues, që është dëshmi se ka fuqi punëtore, por që nuk janë të përgatitur për tregun e punës. Ai tha se ata po aftësohen, por se po ka probleme.

Në debat kanë folur edhe Shaban Terziu, Mejdi Selmani etj./rajonipress/

Mund të ju interesoj: