Agim Ramadani, një emër që nuk lakohet
Gjilan – Ky emër që na vije pas çdo shtrëngate, bashkë me agun e çdo dite, u bë simbol dhe idol i vetë brezave të UÇK-së, pa dallim moshe. U bë idol edhe i brezave që i buzëqeshën shlirshëm Kosovës pas 12 Qershorit 1999. Ky emër që na vije pas çdo shtrëngate, bashkë me agun e çdo dite, u bë simbol dhe idol i vetë brezave të UÇK-së, pa dallim moshe. U bë idol edhe i brezave që i buzëqeshën shlirshëm Kosovës pas 12 Qershorit 1999 ka shkruar Sabit Rrustemi.
Po mbushen gjashtë muaj që kur Kosova dhe ne, mbetëm pa strategun e luftës së Koshares, pa shkulësin e gurëve të kufirit, që ndanin etninë tonë, pa luftëtarin e paepur, pa lirikun në rritje të poezisë shqipe, pa piktorin që derisa qëndronte Bjeshkëve të Jasiqit me bashkëluftëtarët e tij, nderohej me çmimin më të lartë të Akademisë Europiane të Arteve, pa njeriun që dinte dhe i bashkonte si armët si shqiptarët … Agim Ramadanin.
Ky emër që na vije pas çdo shtrëngate, bashkë me agun e çdo dite, u bë simbol dhe idol i vetë brezave të UÇK-së, pa dallim moshe. U bë idol edhe i brezave që i buzëqeshën shlirshëm Kosovës pas 12 Qershorit 1999.
Arsyet e këtij emri simbol, këtij emri që nderon dhe fisnikëron trimërinë e Idriz Seferit, kreshnikut të Karadakut, që nderon dhe fisnikëron flijimin dhe sakrificën e Jasharajve të Prekazit, në krye me kryelegjendën, Adem Jasharin, duke u rreshtuar në luftën për lirinë e Kosovës, këtij emri që me shkathtësinë e ushtarakut udhëhoqi Betejën e Koshares, dhe u vu në mbrojtje të popullit të pambrojtur ( kujtojeni Junikun ) , tashmë dihen edhe nga dhjetëra e dhjetëra faqe gazetash që shkruan për të, edhe nga qindra rrëfime bashkëluftëtarësh që e kujtojnë vazhdimisht atë, po edhe nga i lashti e i bukuri Dukagjin që e pranoi në gjiun e vet, edhe në kohë të stuhishme e, edhe në kohë të lavdishme.
Letërnjoftimi i Agim Ramadanit, edhe para se të rreshtohej në radhët e UÇK-së, nuk ishte i panjohur. Vinte nga Gryka e Karadakut, gjegjësisht fshati Zhegër, prindërit e të cilit kishin zbritur prej thellësive të këtyre maleve të po kësaj ane gati para një shekulli. Tre maji i vitit 1963 do ta sillte atë në jetë, si djalin e katërt në familjen e Hysni Ramadanit.
Zhegra do jetë vendi ku ai mësoi abecenë e shqipes, abecenë e jetës po, edhe abecenë e trimërisë, pa e harruar deri në vdekje edhe abecenë e buzëqeshjes, që e kishte një nga dhuntitë më të veçanta të cilën ia kishte falur natyra.
Bashkëvendësit gjithmonë do ta kenë në kujtesë një Agim të buzëqeshur, posi dielli i çdo mëngjesi.
Deri në vitin 1982, Agimi do të bashkëjetojë i pandashëm me vendlindjen. Arti i shkathtësive ushtarake do ta grishë në Zagreb, ku brenda pesë viteve arriti të veçohet si kadeti më i mirë i Akademisë ushtarake, obligimet e së cilës i kreu deri në vitin 1991.
Fundi i këtij viti do të jetë edhe fundi i shërbimit në një armatë që quhej jugosllave dhe e cila për shqiptarët përherë kishte pasur rolin e pushtuesit.
Për gati shtatë vite do bëjë jetë emigrant në Zvicër duke i u kthyer hobeve të fëmijërisë dhe rinisë, krijimeve letrare, pikturave dhe urave të miqësisë me të tjerët. Një shkathtësi gjithashtu e veçantë e Agimit.
Përmes këtyre “angazhimeve të lira” Agimi e zmbrapste mallin për më të dashurit, dhe, e “kompenzonte” disi mungesën e vendlindjes, mungesën e Kosovës, duke e forcuar njëkohësisht unin e tij në kërkim të lirisë, aq të dëshiruar.
Marsi i vitit 1998 dhe kushtrimi i Jasharajve të Prekazit ia mënjanoi të gjitha dilemat, Agimit. Gjaku kryengritës i Shaban, Hamzë e Adem Jasharit, i atyre vogëlushëve që më mirë ngrehnin këmbëzat e pushkëve se hapat e këmbëve të tyre për braktisje shtëpie, tek Agimi rizgjoi Unin kryengritës dhe ai, ditëlindjen e tij të 35 –të të jetës së tij do ta festonte me krisma pushkësh e kushtrimesh nëpër shumë pjesë të Dukagjinit.
Agimi s’ do të pushojë e s’do të ndalet si në kushtrimet luftarake, ashtu edhe në kushtrimet poetike po edhe në kushtrimet mobilizuese e frymëzuese për të nxitur dhe për të arritur lirinë e Kosovës. Ai do ta ketë fatin që si strateg ushtarak, jo vetëm t’i shkelë gurët që ndanin me dekada etninë shqiptare por, edhe t’i shkulë ata gurë dhe të ngritet në piedestalin e trimërisë shqiptare me betejën e Koshares.
Sa herë do flasim e shkruajmë për Agimin, nuk i a vlen të themi se ai ka rënë apo është vrarë.
Jo. Ai vetëm është shndërruar në Agim lirie dhe po bën një jetë të pavdekshme, në mbarë etninë shqiptare, duke u shfaqur herë pas here si amanet, si simbol, si idhull, duke u lakmuar nga breza të tërë.
Agimi, sot e tutje, më së paku është i vendlindjes, i Gjilanit. Sepse tash e tutje, Agimi është i tërë Kosovës, i tërë shqiptarëve.
Bashkë me agun e lirisë, është edhe i Dukagjinit, i kësaj fushe të plleshme, i kësaj kështjelle bjeshkësh të pathyeshme.
Agim Ramadani, në veçanti është i Koshares. Është një copë Karadaku që lëshon dritë lirie. Është simbol i bashkimit shqiptar, simbol i thyerjes së mitit ndaj një ushtrie sllave.
Jo rastësisht, rënia e tij u fsheh për një kohë prej bashkëluftëtarëve.
Jo rastësisht rënia e tij i nxirrte lotët edhe të ndjerit Prof. Fehmi Aganit, kur dëgjoi kumtin e zi.
Jo rastësisht rënia e tij ishte dhe një shpërthim i ri për liri nga bashkëluftëtarët e tij për ta vazhduar më tutje betimin e tij “ edhe i vdekur kam me luftue” .
…
Agimin e bëri për vete lufta çlirimtare, liria aq e shtrenjtë për Kosovën. Agimin përjetshëm e përvetësoi Dheu i Kosovës.
Biografia dhe letërnjoftimi i tërësishëm i Agim Ramadanit , vetëm sa ka zënë për t’u shpaluar, për t’u prezentuar dhe njohur.
Prej cilës do anë që do nisemi drejt tij, do ta shohim shembullin e papërsëritshëm të një ushtaraku, po edhe njërën nga figurat më të ndritura në vargun e figurave që u bënë gurëthemeli i një Kosove të re, të dëshiruar, të kërkuar e të gjakuar gati një shekull.
Agim Ramadani, në të gjitha variantet e së ardhmes, është dhe do mbetet një emër që nuk lakohet.
Emër që shëndritë përmes lirisë!
(E lexuar në Zhegër, më 11 Tetor 1999, në një Tubim të papërsëritshëm, me rastin e gjashtëmujorit të rënies heroike të Agim Ramadanit)
———————————————-
Sot bëhen 18 vjet nga rënia e luftëtarit dhe heroit Agim Ramadani. Ndërsa në kuadër të manifestimit tradicional ”Ditët e Shqipes”, mbahet një akademi, ku do të përkujtohen dëshmorët e Brigadës 138 “Agim Ramadani” dhe rënia e Heroit Agim Ramadani.
Më poshtë po ua sjellim një historik të shkurtër rreth Betejës së Koshares dhe rënies së heroit Agim Ramadani.
M’u shtershin sytë nëse pushoj; lirinë tënde me ëndërrue; mallkue qoftë gjaku im, nëse m’vrasin pa luftue”. Këto janë vargjet e poezisë “Liria”, që Agim Ramadani pat shkruar në ditët e tij të fundit, para se të vdiste.
Palët në këtë betejë kanë qenë të pabarabarta, por UÇK-ja ka pasur përparësi strategjike, pasi beteja është zhvilluar në kufirin me Shqipërinë. Pikërisht për këtë arsye, ajo njihet edhe si ngjarja që theu kufirin shqiptaro-shqiptar.
Pas një beteje të ashpër, UÇK-ja arriti të krijojë avantazhe dhe të dëbojë e të zmbrapsë ushtrinë jugosllave. Për 70 ditë radhazi në luftimet e përditshme, Brigada 131 “Agim Ramadani”, nga radhët e veta kishte humbur 140 luftëtarë.
Beteja ka thyer kufirin Kosovë-Shqipëri, gjë që sipas ish-luftëtarëve ishte një korridor i rëndësishëm për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Agim Ramadani ka qenë anëtar i Akademisë Evropiane të Arteve, ndërsa poezia e piktura kanë qenë pasionet e tij gjatë shkollimit të lartë në Zagreb. Ai është pjesë e antologjive të ndryshme të letërsisë shqipe botuar pas vitit 2000.
Programi i manifestimit “Ditët e Agimit 2017”
Në Zhegër të Gjilanit, më 1, 2 dhe 3 Maj, mbahet manifestimi tradicional kulturor “Ditët e Agimit 2017”, që i kushtohet nderimit të figurës poliedrike të heroit të kombit Agim Ramadani-Katana.
Manifestimi në fjalë mbahet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri, ndërsa realizohet nga Shoqata Kulturore “Ditët e Agimit”.
“Ditët e Agimit” nisin më 1 maj, me aktivitetet “Edhe me sport kujtojmë Agimin” ku do të kemi turnir në futboll të vogël, turnir të shahut dhe “Flakadanët në përkujtim të 114 dëshmorëve të Betejës së Koshares”.
Aktivitetet vazhdojnë më 2 maj, me orën e madhe letrare “Muza e Agimit” si dhe me ngjarjen sportive ne hendboll.
Më 3 maj, mbahen aktivitetet për kremtimin e ditës së shkollës SHFMU “Agim Ramadani” si dhe ditëlindjes së heroit, me vendosjen e kurorave të luleve te shtatorja e Agim Ramadanit në Gjilan si dhe me “Krosin e Lirisë”, (nga varri i Idriz Seferit deri te kroi i Agimi), për t`u përmbyllur me tubimin qendror “I këndojmë Agimit”.


