Berisha në ‘top-10’ talentët e ardhur në Serie A
Sulmuesi i ri i Romës, Valmir Berisha, është zgjedhur në mesin e 10 talentëve më të mirë që kanë zbarkuar në Serie A gjatë afatit kalimtar të janarit, të përzgjedhur nga ‘Eurosport’.
“Vjen me një mbiemër që nuk është i rëndë, por ai tashmë po quhet Ibrahimoviqi i ri. Sulmuesi i fuqishëm suedez vjen nga skuadra e Halmstadsit. Top-golashënues në Botërorin U17, me 7 gola në 7 ndeshje. U kërkua edhe nga Borussia Dortmund”, shkruan për të ‘Eurosport’, për të përmendur më pas origjinën e tij. “Ai është me prejardhje nga Kosova. I rrezikshëm në zonën e rreptësisë, teknikisht i mirë, ashtu si Ibra”, thuhet aty.
Nëse shohim listën në përgjithësi, shohim se përpos Berishës aty janë edhe tre bashkëlojtarë të tij të Romës. Tomas Vestenicky nga Chelsea, Leandro Paredes nga Boca Juniors (i cili u huazua te Chievo) dhe Antonio Sanabria nga Barcelona (u huazua te Sassuolo).
Futbollistët tjerë në listë janë Ruben Bentacourt i Atalantës (nga PSV), Andryan Oliveira Tavares i Cagliarit (nga Flamengo), Andy Polo i Interit (nga Univ. San Martin), Alexis Zapata i Sassuolos (nga Envigado) dhe Antonio Vutov i Udineses (nga Levski Sofia). Berisha momentalisht është pjesë e skuadrës juniore të Romës.


