UBT

Tupalla kërkonë rikthimin e emrit të rrugës “Zenel Hajdini” në Prishtinë

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Familja e Heroit të Popullit, Zenel Hajdini, nga Tupalla e Medvegjës, kërkojnë nga kryetari i komunës së Prishtinës z.Shpend Ahmeti që të rikthehet emri i rrugës”Zenel Hajdini”, ata këtë gjë e kan bërë përmes një letre të hapur dërguar këti të fundit.

Në vazhdim ju sjellim letrën e hapur të dërguar nga familja Hajdini, kryetarit të Prishtinës.

LETËR E HAPUR KRYETARIT TË KOMUNËS SË PRISHTINËS, z. SHPEND AHMETI

I nderuari kryetar i Komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti

Ju drejtohem me këtë shkresë në emër të familjes së Heroit të Popullit, Zenel Hajdini, për të kërkuar ndihmën tuaj lidhur me një vendim të lëshuar nga Kuvendi i Prishtinës në kohën kur ju nuk ishit përfaqësues i këtij institucioni.
Në fakt, është fjala për ndërrimin e emrit të rrugës ku gjendet RTK-ja, nga Zenel Hajdini, në Xhemail Prishtina.
Ky vendim u mor në kohën kur kryetar i Prishtinës ishte z. Ismet Beqiri, ish nxënës i shkollës fillore “Zenel Hajdini”, në Prishtinë, e cila e mban emrin e këtij dëshmori që nga paslufta e Dytë Botërore e deri më sot.

Në kohën kur u ekzekutua ky vendim, ne si familje u ndiem të mllefosur, të indinjuar dhe të provokuar shumë, aq me tepër kur edhe në luftën e fundit në Kosovë kjo familje dha edhe një dëshmor të kombit – Hashim Hajdinin.

Menjëherë pas marrjes së kësaj informate lidhur me ndërrimin e emrit të kësaj rruge, pata shkruar një artikull në të përditshmen «Gazeta Expres» ku shpreha habinë time të madhe se si një nxënësi, i cili për 8 vite u shkollua në një shkollë, në oborrin e së cilës qëndronte busti, kurse në klasat ku mbante mësimin qëndronte varur fotografia e këtij heroi, nuk iu dridh dora të nënshkruante një vendim, me të cilin pas 50 vjetësh hiqej mbishkrimi me emrin e këtij heroi në njërën nga rrugët më të vjetra dhe më të mediatizuara në Prishtinë.

ARKATANA

Shpresova se ky artikull do të trokiste në ndërgjegjen e këtij kryetari dhe të vartësve të tij por, me gjasë, Ismet Beqiri aso kohe e kishte harruar të kaluarën e tij prej filloristi dhe, si duket, edhe nuk lexonte më gazeta. Ishte bërë tani më KRYETAR komune!

Padashur të paragjykoj për meritat prej patrioti të Xhemajl Prishtinës, biografinë e të cilit fatkeqësisht nuk e njoh aq mirë, mendoj se do të ishte nderë e respekt ndaj veprës dhe familjes së tij që t’i vihej emri i Xhemajl Prishtinës ndonjë rruge a sheshi të ri, që janë ndërtuar në Prishtinë më shumë se kurrë në këto vitet e pasluftës.

Kjo logjikë veprimi, nga njëra anë do t’i bënte nderë vet Komunës së Prishtinës dhe atyre që janë të thirrur t’i ruajnë vlerat historike të së kaluarës sonë, e nga ana tjetër nuk do të anatemonte një hero, sakrificën e të cilit e njohu mbarë populli shqiptar gjithandej ku jeton, duke përjetësuar emrin e Zenel Hajdinit: në Aradhen e parë që u themelua në Kosovë, në 10 shkolla fillore e të mesme, në kazerma, rrugë e sheshe.

Zenel Hajdini është sinonim i luftëtarit të lirisë në Kosovën Lindore, trevë kjo e mbetur sot nën Serbi, e cila është duke mbijetuar falë atyre pak shqiptarëve që me xhelozinë dhe fanatizmin më të madh ruajnë vatrat e tyre, duke i bërë ballë një diskriminimi të paparë ekonomik, politik e kulturor që është duke ua bërë shteti i Serbisë.

Ne si familje e Zenel Hajdinit dhe të gjithë ata që me votën e tyre ju sollën në kreun e këtij institucioni, mbetemi me shpresë se ardhja e juaj në krye të Kuvendit të Prishtinës do të sjellë një frymë te re dhe një botëkuptim më ndryshe karshi atyre që menduan dhe vepruan nën pretekstin se historia e popullit shqiptar filloi prej ardhjes së tyre në pushtet.

Dhe për fund, z. kryetar, ju lusim që të ushtroni ndikimin tuaj tek organet përkatëse në Komunën e Prishtinës për të korrigjuar këtë padrejtësi që i është bërë familjes sonë dhe gjithë atyre që sakrifikuan djemtë dhe vajzat më të mira për këtë liri që ne sot po e gëzojmë./medvegjanet/

8 shkurt 2014
Ali Hajdini, Francë