Shqiptarëve u duhet uniteti
Kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Jonuz Musliu, i cili njëherit është edhe kryetar i Lëvizjes së Progresit Demokratik, vizitoi kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni, Ali Ahmeti, me të cilin bisedoi për zhvillimet politike në rajon dhe problemet me të cilat po përballen shqiptarët e këtyre dy republikave fqinje.
Zoti Musliu e njoftoi për së afërmi kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, për diskriminimin sistematik të Beogradit, kundër shqiptarëve në Luginë, arrestimin e ish pjesëtarëve të UÇPMB-së, rritjen e papunësisë, migrimin në heshtje dhe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, shprehu shqetësimin e tij për gjendjen e vështirë politike dhe ekonomike të shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe kërkoi unitet ndërpartiak e ndërshqiptarë, për t’i përballuar më lehtë këto vështirësi të natyrës politike dhe ekonomike.
Gjithashtu, zoti Ahmeti, kërkoi unitet ndërshqiptar rreth zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Serbi, që spektri politik shqiptar të dalë me një Listë të përbashkët, në mënyrë që ata vetë të vendosin për këto procese nëpër të cilat po kalon Lugina, njofton Qendra për Informim e LPD-së./rajonipress/


