Unë këtë herë jam me policët
Nga Arben Idrizi – Studentët dhe të tjerët, duan të rrezatojnë humanizëm dhe urtësi, apo dhunë dhe pështjellim? Duan t’i zgjedhin problemet me mend apo me muskuj?
Kishte mjaft gjëra që më bënin të mos dilja në protestën e studentëve dhe jo vetëm të tyre në kërkim të dorëheqjes së rektorit Ibrahim Gashi. Kryesorja: shkoja me mendjen se sado mashtrues që të ishte, mbase do të kishte një trohëz ndërgjegje dhe këtë herë do të largohej me bisht ndër shalë. Edhe pse, i thosha vetes, ai s’ishte problemi i vetëm dhe edhe po të shkonte, një dreq e di çfarë surrogati do ta pasonte. Nëse do të bëhej pak zhurmë për ta larguar një dhe për ta sjellë një tjetër më të zi a të njëjtë si ai, le ta bënin pa mua. Më e keqja dhe çka më bën të ul kokën, është se nuk e di kush do të duhej të vinte në vend të tij. Por, do të mund të vinte një me zgjedhje të rregullta, duek respektuar ligjet dhe duke i plotësuar kushtet, do të më bëhej vërejtje.
E vërtetë.
E megithatë, përveç që s’jam me Gashin dhe me mashtrimin, s’jam as me protestën dhe prapaskenën e saj politike.
E mbi të gjitha, nuk jam me dhunën.
Ata studentë protestues që grushtohen me policë nuk kanë asnjë dallim, për mua, nga ata që i detyrojnë ata policë të përballen me ata studentë protestues.
Unë, siç do të thoshte Pasolini (sado që ndonjë debilli të Bordit të UP-së, ose të Kuvendit të Kosovës s’do t’i pëlqente t’ia citojmë), unë këtë herë jam me policët.
»Kur ju në … u grushtuat/ me policët/ unë simpatizoja për policët!/ Ngase policët janë bijtë e të varfërve. Vijnë nga periferitë, të fshatit a urbane qofshin// E mandej, shikojini si vishen: si palaço,/ me atë stof të zhubrosur që i vjen era pasul/ konvikt dhe popull. Më së keqi, natyrisht,/ qëndron gjendja psikologjike në të cilën janë katandisur/ (për dy groshë në muaj):/ pa buzëqeshje,/ pa miqësi me botën,/ të ndarë,/ të përjashtuar (në një përjashtim që s’e ka shokun);/ të poshtëruar nga humbja e vetisë njerëzore / për atë të policit (të jesh i urryer të bën të urresh)./ Janë njëzet vjeç, si ju, të dashur e të dashura«.
Pra, ata studentët dhe të tjerët, duan të rrezatojnë humanizëm dhe urtësi, apo dhunë dhe pështjellim? Duan t’i zgjedhin problemet me mend apo me muskuj?
Sepse duke zgjedhur të fundit, s’po duken të kenë dallim nga rektori dhe të vetët.
E në këtë mes, siç e pamë, po e pësojnë vetëm policët fzikisht dhe nga ana tjetër, mundësia për të dëshmuar kulturë dhe mençuri.
Po, xhanëm, ku duhej të merrnin shembullin e jo dhunës ata studentë?
Të parët e tyre vetëm dhunën e kanë pasur hem mjet hem qëllim.
E ku, xhanëm, duhej të merrte rektori shembullin e dorëheqjes?
Të parët e tij vetëm mashtrimin e kanë pasur hem mjet hem qëllim.
***
Mashtrimet janë të ndryshme.
Për shembull, një regjim si ai komunist i Shqipërisë, mashtronte edhe në përkthime. Por, kjo s’do të thotë se mund ta akuzojmë përkthyesin për mashtrimin. Përkundrazi. Unë nuk mund të them se përkthyesi i ‘Të mjerët’ të Victor Hugo (Rilindja, Prishtinë, 1985), Misto Treska, është përkthyes i keq e mashtrues. Do të ishte e pahijshme, jokorrekte dhe mosmirnjohje. Ama, ama mund të them se botimi shqip i “Të mjerët’, i këtij përkthyesi të palodhshëm, ka prerje censurale. E mira është se përkthyesi në shumicën e rasteve ka lënë një shenjë te prerjet, me çka cilido lexues i vëmendshëm do të mund t’i binte në erë cungimit të tekstit, qoftë edhe në mënyrë të vagët. Po ka edhe raste kur pa një krahasim me një botim tjetër në një gjuhë tjetër s’mund të kapësh gjë nga prerjet.
Gjatë leximit dhe krahasimit me botimin italisht (mund të konsultohet edhe në: www.liberliber.it), (u përket më tepër njohësve të gjuhës së origjinalit t’i bëjnë krahasimet e tilla dhe të tjera), unë kam evidentuar, e mund të ketë edhe më tepër, këto prerje:
Pjesa e parë, libri I, kap 13; libri VII, kap I.
Pjesa e dytë, libri VI, kap IV-XI; libri VII, kap V-VIII;
Pjesa e katërt, libri I, kap III; libri V, kap, IV; libri VII kap V.
Me kaq, besoj që në ribotimet e librit t’i mundësohet lexuesit të ri që s’ka mundësi ta lexojë në një gjuhë tjetër, ta lexojë të plotë në gjuhën amtare, edhe n’i paçtë bindjet ideologjike të asaj censure të ikur.
***
Vite më parë kam shkruar për dhe evidentuar prerje të tilla censurale te libri i Tuqididit: ‘Lufta e Peloponezit’, por s’e di nëse ribotimi (sepse ka pasur një të tillë) është bërë i plotë. Nëse jo, është e dhimbshe që lexues e studentë që e lexojnë vetëm në shqip do të mbesin pa i njohur dhe shijuar gjithë ato faqe të mrekullueshme të censuruara, sidomos fjalimet e Perikleut dhe bisedimet mes athinasve dhe prijësve të ishullit Melo, që, për mua, janë pjesët më të vlefshme të librit.
***
Mbase ka edhe të atillë që do të mund të më thoshin se sot është banale të flasësh për probleme të tilla, kur të gjithë mund të lexojnë në të paktën një gjuhë të huaj.


