Kukeli i gatshëm ta ndihmojë Zurichun
Ka kaluar një vit që nga momenti kur mesfushori kosovar i Zurichut, Burim Kukeli, përjetoi tmerrin. Ai, gjatë një ndeshjeje miqësore u lëndua rëndë nga Simon Gretheri i Belinzonës.
30- vjeçarit iu thye këmba dhe që atëherë nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje zyrtare për Zurichun. Ai ka filluar stërvitjet e plota dhe shpreson të ndihmojë ekipin në pjesën pranverore të Superligës së Zvicrës.
“Tani jam mjaft mirë. Natyrisht që më mungojnë ndeshjet, por jam i gatshëm dhe po stërvitem me forcën maksimale. Jam në rrugë të mirë”, ka thënë Kukeli, sipas “Sport.ch” të mërkurën.
Kukeli e mban mjaft mirë në mend atë moment të tmerrit dhe dhembjen që përjetoi. Ndërsa diagnoza që mungoi aq gjatë nuk i erdhi si befasi, pasi që në fillim e diti se ishte serioze.
“Natyrisht që e di çfarë ndodhi. Dhimbjet e mëdha më penguan fillimisht që të mendoja qartë. Nuk e di se si mund të duroja atë dhimbje. Gjëja më e keqe ishte se e dija se do të duhej kohë e gjatë derisa të rikthehesha. Ishte një zhgënjim i madh, pasi për një javë fillonte stinori pranveror. Për kundërshtarin që më shkaktoi dëmtimin në atë moment nuk mendova fare. Unë e kam ditur menjëherë se do të mungoj gjatë. Këmba po më qëndronte zvarrë. Kur e pyeta fizioterapistin gjatë rrugës për në spital, ai më tregoi se ishte diçka e keqe”, tregon Kukeli.
Lëndimi i rëndë ia cenoi karrierën Kukelit. Ai sa ishte futur në majat e karrierës, duke luajtur për një skuadër të madhe të Zvicrës, siç është Zurich dhe ishte duke u paraqitur me përfaqësuesen e Shqipërisë.
“Dy muajt e parë ishin mjaft të vështirë, pasi më duhet të ecja me paterica dhe isha i varur nga të tjerët. Terapia më mori shumë kohë. Gjatë asaj periudhe nuk mendoja për përfundim të karrierës, ndonëse dëmtimi ishte tepër i rëndë. Por, thjesht mendoja nëse do të kthehesha ndonjëherë në formën që isha para lëndimit. Tash jam shëndosh dhe po përmirësohem javë pas jave. Sigurisht se jam në dispozicion të skuadrës. E di se do të duhet kohë derisa të gjej formën më të mirë. Por, shpresoj të kthehem në fushë sa më shpejt”, ka thënë Kukeli.


