UBT

Liderët e Luginës së Preshevës, i mbyti bajraktarizmi dhe injoranca

/ 6 minuta lexim
Hidromorava

Dilemat rreth pjesëmarrjes së shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, janë hequr që nga përfundimi i konflikteve të armatosura në Luginën e Preshevës. Dorëzimi i armëve të ish UÇPMB-së dhe arritja e Marrëveshjes së Konçulit, mbyllën kaptinën luftarake në rajonin e Luginës së Preshevës dhe i hapën rrugë proceseve integruese të shqiptarëve në organet komunale edhe shtetërore të Serbisë.

Pse pas kaq vitesh, që nga 2001, spektri politik (disa parti) vuajnë nga sindromi i pjesëmarrjes në zgjedhjet parlamentare, serbe, a në ato lokale mbajnë pushtet dhe privilegje?

Liderët e këtyre partive politike, që nuk kanë shtrirje as një hap më shumë nga komuna që qeverisin e kanë të qartë dilemën e daljes apo mosdaljes në zgjedhjet parlamentare të Serbisë. Por, për të fituar vota të “lira” politike dhe për tu shkuar për lale atyre që i sollën në pushtet përmes propagandës për “Flamur e bashkim kombëtar”, disa parti politike luginase, përdorin dredhinë politike, duke e mbajtur peng vullnetin politik të anëtarësisë dhe qytetarëve shqiptarë, të cilët janë lodhur e molisur me injorancën dhe bajraktarizmin e tepruar të udhëheqësve të tyre.

Naiviteti më i madh i këtyre partive dhe kryetarëve të tyre “shekullorë”, është kur në turmë të madhe shkojnë për konsultime në Tiranë dhe Prishtinë, për të marrë mësim se a duhet me dalë apo jo në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, a harrojnë se me dy këmbë janë me Beogradin, qoftë përmes pushtetit lokal, qoftë përmes Këshillit Nacional, qoftë edhe përmes Trupit Koordinues, të drejtuar nga Zoran Stankoviqi i famshëm!

Ndonëse marrin “nasihat” tek krerët institucionalë të Shqipërisë dhe Kosovës, të cilët i porositin të integrohen në shteti ku “hanë e lehin”, ata prapëseprapë vendosin sipas kutit të tyre. Gjysma dalin në zgjedhjet parlamentare për ta ruajtur praninë në organet shtetërore e gjysma i bojkotojnë ato për të mbajtur pushtet në zgjedhjet komunale.
Për t’i sqaruar më mirë dilemat e daljes apo mosdaljes në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 16 marsit, të cilat po prodhojnë huti te elektorati shqiptar, për shkak mospajtimeve të spektrit politik, për të dalë me një listë të përbashkët, shkëputëm prononcimet e dy kandidatëve të mundshëm për deputetë nga Lugina e Preshevës, të cilat kanë vendosur të garojnë në emër të shoqërisë civile dhe partive të tjera, që nuk janë në kosh me ato të kësaj ane.

Nexhmedin Saqipi, ka shfaqur gatishmëri, që në emër të shoqërisë civile, të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare dhe të jetë bartës i Listës për ardhmërinë e shqiptarëve në Serbi. I pyetur se çka e motivoi të futet në garë për deputet, kur dihet se në Luginë të Preshevës, sigurimi i një mandate në Parlamentin e Serbisë, është mjaft i shtrenjtë, i zorshëm dhe delikat. Ai, u përgjigj shkurt e shqip. Është vullneti i shoqërisë civile, që për herë të parë në historinë e kësaj Luginë, të dalë me një Listë të përbashkët për deputet popullor.

FIDANISHTJA

“Unë nuk i kam ikur besimit, që më ka ofruar shoqëria civile e cila është për ndryshime e që reflekton pozitivitet dhe dëshirë për përfaqësim të denjë të shqiptarëve në Kuvendin Republikan . Kjo tashmë është në duart e tyre nëse vërtet e duan ndryshimin e ndrydhur qe disa vjet nga disa parti politike, të cilat kanë manipuluar me vullnetin politik, në emër të një patriotizmi të rrejshëm e manipulative”, theksoi me bindje të thellë kandidati për deputetet Nexhmedin Saqipi.

Ai, në vazhdim shtoi se është i gatshëm të përballoj çdo sfidë, që i del përpara, ashtu siç ka vepruar gjithmonë në emër të paqes, tolerancës e mirëkuptimit për të mirën e popullit e në ngritjen e mirëqenies së tyre qytetare. “Është fjala e popullit dhe vota e tyre e lirë demokratike, të vendosin për ata kandidatë, të cilët më së miri do ta përfaqësojnë zërin dhe interesat e tyre për një jetë më të mirë, në vendin ku jetojnë dhe veprojnë”, u shpreh Nexhmedin Saqipi, kandidat për deputet në emër të Listës për ardhmërinë e shqiptarëve në Serbi.

Po i këtij mendimi është edhe Kujtim Sadriu, nga Presheva, kandidat për deputet nga radhët e Partisë Liberale të Çedomir Javanoviqit, i njohur si Çeda.
Kujtim Sadriu, nuk ka komplekse jo vetëm për të dalë në zgjedhjet parlamentare, kaq të përfolura në Luginë, por e ka guximin të dalë edhe me një parti, që nuk e ka selinë në Preshevë.

“Spektri politik i Luginës, nuk e ka problem daljen në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, por e ka ka problem kolltukun e deputetit, se kush do të ulet në të. Ky spektër vrapon për mandatin e deputetit e jo për zgjedhjen e problemeve të qytetarëve, të cilët i kanë sjellë para një ngërçi politik e ekonomik. Lugina e Preshevës, po zbrazet e po varfërohet nga e veprimet jot ë matura politike të liderëve të saj dhe nga premtimet boshe për bashkim me Kosovë, a nga ana tjetër bëhen copa për pushtet në Serbi”, deklaroi plot mllef Kujtim Sadriu, kandidat për deputet nga Presheva.

Ndërsa, sa i përket përpjekjeve për unitet të spektrit politik të Luginës rreth zgjedhjeve parlamentare serbe, Kujtim Sadriu, tha me humor: “Ata s’kanë unitet në shtëpi të vetë e lëre më në nivel komune e rajoni”. Lojërat e spektrit politik të Luginës në drejtimin: Tiranë – Prishtinë, janë më të tepër të një karakteri për të përhapur huti, defetizëm dhe anarki tek elektorati, për qëllimet e tyre të ngushta e të ulëta politike”, theksoi Kujtim Sadriu, kandidat për deputet nga radhët e Partisë Liberale të Çedomir Javanoviqit.

Se si do të rrjedhin bisedimet e spektrit politik të Luginës së Preshevës, rreth pjesëmarrjes në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Serbisë, me një Listë të përbashkët, do të tregoj e shtuna e kësaj jave, dita e pazarit në Preshevë!/Jehona PRESS/