Bunjaku për italianët: E ardhmja jonë, e ndritshme
Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki, në një intervistë për gazetën italiane, “Il Messaggero”, është shprehur i bindur se Kosova do të ketë një të ardhme të ndritshme në futboll, derisa e ka vlerësuar tejet të rëndësishëm vendimin e FIFA-s për lejimin e ndeshjeve miqësore
“Futbolli ynë ka qenë për shumë vite i izoluar, prandaj tash kërkohet angazhim i madh nga ana jonë për ta kompensuar kohën e humbur. Mirëpo, me gjithë pengesat që i kemi pasur ne kemi arritur ta ndërtojmë një model efikas të punës, duke filluar nga zero në krijimin e përfaqësueseve të të gjitha grupmoshave.
Përveç kësaj, kemi punuar në krijimin e një baze të dhënave të të gjithë futbollistëve me origjinë nga Kosova që luajnë në Evropë”, ka theksuar përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku, në intervistën dhënë gazetës italiane ‘Il Messaggero’.
Në lidhje me vendimin e fundit të FIFA-s për lejimin e miqësoreve, por me kushtëzimin e mosparaqitjes së simboleve shtetërore, përzgjedhësi kosovar është shprehur: “Mendoj se vendimi megjithatë është një hap pozitiv drejt pranimit të plotë të Kosovës në futbollin ndërkombëtar.
Kufizimet e vendosura nga FIFA janë të përkohshme dhe ne jemi të sigurt se së shpejti ato do të jenë të tejkaluara. Objektivi ynë është për të marrë pjesë në eliminatoret për Kupën e Botës 2018 në Rusi”…(Tribuna – Arena).


