Shqiptarët e Luginës s’e dinë nëse do të votojnë në zgjedhjet e Serbisë
Beograd – Kryetari i Qendrës Koordinuese për Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë, Zoran Stankoviq, ka deklaruar se pret që deri të premten liderët shqiptarë të Luginës së Preshevës përfundimisht do të marrin vendimin për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të Serbisë dhe se vendimi do të jetë pozitiv.“Marrja e vendimeve të përbashkëta në ato hapësira është punë e vështirë për të gjithë, pra edhe për liderët lokalë shqiptarë. Pres që deri të premten do të merret vendimi dhe se do të dalin me një qëndrim të përbashkët”, ka thënë Stankoviq për RTS.
Ai tha se deputeti Riza Halimit ka shprehur qëndrimin e tij se do të dalë në zgjedhje dhe ka shtuar se pret që edhe liderët e tjerë do të marrin një vendim të tillë.
Stankoviq ka theksuar se të gjitha subjektet, si vendore ashtu edhe ndërkombëtare u kanë propozuar shqiptarëve të Luginës që të marrin pjesë në zgjedhje dhe se në kapacitetin e plotë mund të kenë dy vende deputeti dhe jo një si deri më tash.
Siç ka thënë Stanoviq, edhe nga Shqipëria ka ardhur sugjerimi për të marrë pjesë në zgjedhje, duke vlerësuar këtë si shume të rëndësishme dhe me peshë.
Siç njoftohet se liderët shqiptarë të Luginës Preshevës kanë zhvilluar dje një takim siç thuhet konsultativ, por ende nuk janë marrë vesh për dalje në zgjedhjet parlamentare.
“Jemi dakorduar që të vazhdojmë bisedimet për ditën e enjte në Preshevë” ka thënë kryetari i Partisë Demokratike, Nagip Arifi, me seli në Buajnovc.
Sipas tij të gjithë insistojnë që të ketë një listë e përbashkët. Ai ka shtuar se në takim nuk ka marrë pjesë vetëm lideri i Partisë për Veprim Demokratik, Riza Halimi.


