ARKATANA

Hasi: Januzaj duhet të zgjedhë vetë për të ardhmen

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Prishtinë – Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Besnik Hasi ka thënë se Adnan Januzaj duhet lënë i qetë që ai të zgjedhë vetë për të ardhmen e tij. Hasi, që aktualisht është zëvendëstrajner i Anderlehtit në Belgjikë, e njeh mirë yllin e ri të Manchestwr United, duke qenë se Januzaj ka rrjedhur nga akademia e Anderlehtit, ku Hasi punon prej më shumë se 15 vitesh. “Unë e kam njohur që të vogël, kur luante tek Anderlehti dhe shihej qartë se ishte një talent.

Më pas kaloi te Manchesteri dhe arriti që në një kohë të shkurtër të zinte vend edhe në ekipin e parë. Unë personalisht nuk kam folur as me atë dhe as me babanë e tij, që nga momenti kur Januzaj iku nga Anderlehti”, ka thënë Hasi në një intervistë për “Supersport”. “Këtu në Belgjikë çmenden për të dhe me të drejtë, por me sa di unë ai nuk e ka zgjedhur akoma kombëtaren me të cilën duhet të luajë. A duhet të luajë për Kosovën apo Shqipërinë? Nuk di se çfarë të them, pasi kjo do të jetë një zgjedhje që do ta bëjë vetë lojtari dhe babai i tij, i cili ndikon shumë te Januzaj. Unë mendoj që ai duhet të lihet i qetë në zgjedhjen që do të bëjë”, ka shtuar më tej ai.

Ish kapiteni shqiptar ka folur edhe për Kombëtaren shqiptare. Sipas tij, skuadra që drejton aktualisht italiani De Biazi ka një shans më shumë për t’u kualifikuar në Evropianin e 2016-ës.

“Me ndryshimin e formatit të Evropianit mendoj se edhe vende si Shqipëria kanë shanse kualifikimi”, ka thënë Hasi.

Me rregullat e reja në kualifikim kalojnë dy skuadrat e para të grupit dhe e treta shkon në barazh.

Eco Higjiena

“Mendoj se ne kemi një skuadër të mirë dhe me afrimet e bëra mund të arrijmë në një të ardhme të afërt që të kualifikohemi”.

I pyetur në lidhje me faktin që tek Anderlehti nuk luan asnjë shqiptar, ndryshe nga Lacio, ku Igli Tare, me të cilin Hasi luajti te Kombëtarja është drejtor sportiv, ai u përgjigj: “Unë dhe Tare jemi në kushte të tjera”.

“Së pari, klubet belge kanë më pak të ardhura sesa ato italiane dhe së dyti, Tare është në një pozicion krejt tjetër nga unë, pasi është drejtor sportiv dhe bën politikat e klubit. Gjithsesi, ka pasur lojtarë shqiptarë që na kanë interesuar, pavarësisht se nuk i kemi marrë dot”, ka thënë Hasi. Në fund, ish-kapiteni kuqezi ka folur edhe për të ardhmen e tij si trajner.

“Unë e pata një mundësi në fund të vitit të shkuar për të drejtuar Meshelenin, por presidenti i Anderlehtit ndërhyri, ashtu sikundër bëri në momentin kur më kërkoi Federata Shqiptare, duke mos më lejuar. Ai mendon se e ardhmja ime është këtu dhe në një të ardhme të afërt mund të marrë i vetëm drejtimin”.