Uji Dea

Shpirtbardh e smirëzi

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Blerina Rogova Gaxha – Jemi kështu sepse jemi historia vetë. Thonë evropianët rrojnë mbi historinë. Jemi kështu sepse secili prej nesh kemi lindur mes luftërash të çmendura. Mes flakëve dhe tymit.

Mes zhurmës së çelësave të orës policore. Jemi kështu sepse kemi lindur larg qyteteve e vendeve ku s’kemi guxuar të lindim. Jemi kështu sepse kemi lindur mes protestave, mes dy gishtërinjve dhe dy fjalëve. Sepse fryti në bark ka mundur të dëgjojë vetëm thirrjet për liri e demokraci dhe krismat e armëve. Sepse s’kemi pasur kohë për ninullat.

Jemi kështu sepse jemi rritur pa guxuar kurrë të pyesim, por kemi pasur gjithnjë një përgjigje të vetme për cilëndo pyetje. Kështu sepse kemi lindur mes luftërash të çmendura. Nuk rrojmë dot pa zhurmë. Pa ecur mes varresh nuk rrojmë.

Jemi kështu sepse nuk e kemi më ‘dopingun’ e armikut. Dhe kur s’i kemi armiqtë i shpikim ata. Duhet t’i shpikim, qofshin edhe vetë miqtë. Të gjithë miqtë janë armiq, në emër të së vërtetës, sepse kemi harruar, nuk dimë ndryshe ta prodhojmë, ndiejmë euforinë e kënaqësinë. Pa armiq. Nuk rrohet pa armiq se monotoni.

Jemi kështu sepse kemi lindur mes boshllëkut të rrugëve. Qetësisë pas krismave, bombave dhe sirenave të policisë. Ndoshta kemi lindur të çoroditur mes këtij boshllëku. Pas qetësisë së luftrave të çmendura në luftëra të reja. Kemi lindur kështu mes shtëpive të djegura e qyteteve të rrënuara. Mes mureve të reja dhe ‘dopingut’ të ri, që memecëroi njerëzit, të mos flasin më me njëri-tjetrin. Sepse kemi prerë me thikë kohën dhe një epokë.

Kemi lindur diku ndërmjet dje dhe atëherë. Dhe ndërmjet secilës kohë për asnjërin prej nesh nuk ka pasur kohë. Kështu sepse gjithnjë kemi pasur frikë nga vetëurrejtja. Prandaj veten urrejmë më shumë se çdo gjë tjejtër.

Jemi Njeriu – i zhvezhur e i tëhuajtur nga gjithë ç’i takon. Luftë e madhe për një trohë. Njerëzit janë njerëz gjithkund, thonë. Por njerëzillëk të tjerët s’patën. Ndoshta sepse na kanë parë më pak dhe na kanë mësuar të urrejmë veten. Mbase për këtë nuk flasim më me njëri-tjetrin.

FIDANISHTJA

Sepse kemi lindur mes rrënimit të miteve dhe rrënimit të heronjve. Kështu sepse kemi lindur mes krijimit të heronjve të rinj sipas standardit të miteve të vjetra. Mes krijimit të heronjve të pasur, të mençurve të varfër dhe budallenjve të pasur. Ose sepse kemi lindur mes boshllëkut të kohëve, dhe për këtë kemi shndërruar gjithkë në armik.

Jemi kështu sepse kemi frikë nga ajo që jemi dhe na vjen turp ta pranojmë. Sepse kemi lindur mes boshllëkut të qenies sonë. Dhe na vjen turp ta pranojmë, sepse kishim zemrën e madhe dhe dëshirën flakë, por kohë s’patëm për gjë tjetër. Sepse kemi lindur mes boshllëkut të prindërve dhe fjalëve të ëmbla që s’i thanë, mes boshllëkut të të rriturve dhe çdo gjëje që duhej përpirë, pa guxuar të pyesim përse. Jemi kështu sepse nuk kishte kohë për gjë tjetër.

Jemi kështu sepse kemi lindur spitaleve përplot baktere dhe wc-ve që vjellin jashtëqitje. Shkollave me xhama të thyer e mësuesve pezmëvjellës. Mes boshllëkut ku jeta kushton më pak se pesë pare. Mes grushteve dhe uniformave ku një akuzë është falas. Mes masave të pafytyra, aty ku fytyra e vërtetë nuk gjindet dot se kushton ma shtrenjtë thuaj sa edhe vetë jeta.

Jemi kështu sepse territori ku kemi lindur është kaq i egër e kaq mizor. Kohë s’kemi pasur si të mësohemi të sillemi brenda tij. Muret aq të larta qenë dhe koha aq e pamjaftueshme, sa që asnjë model nuk kishte kohë të presë. Prandaj jemi kufizuar vetëm me vetveten, veç veten kemi në duar, dhe në fund të fundit vetëm atë mund ta asgjësojmë urrejtshëm.

Sepse kemi lindur në territorin e budallenjve të pasur dhe të të mençurve të çmendur. Jemi kështu sepse gjyshërit dhe gjyshet i kishim analfabetë të mençur, dhe sot analfabetët shkruajnë për ne. Sepse ata të padijshmit na mësuan vetëm për vlera njerëzore, të cilat i humbëm rrugës dikah. Jemi kështu sepse urrejmë veten dhe tjetrin dhe përqeshim veten dhe tjetrin, dhe sepse nuk kemi guxim për atë që na takon. Jemi kështu sepse rrugës humbëm ndershmëri e njerëzi ose s’patëm kohë ta mësojmë ndonjërën prej tyre. Kemi lindur kështu mes kohëve të çmendura dhe s’mbërritën të kapim kohën tonë. Kështu jemi. Jemi vetja edhe kur jemi përtej saj – shqiptarë bre!

Jemi sepse nuk ta falim suksesin. Nuk të shohim në sy dhe me bukën tonë, dertin e kemi të huajin. Jemi për 100 palë qejfe, edhe kur jemi me shpirt ndër dhëmbë. Jemi krejt ndryshe sepse jemi mësuar të jemi edhe ata që s’jemi…populli që ka sajuar fjalën më të idhët ndër popuj, “smirëzi”! Edhe smirë edhe futë. Sepse kemi lindur kësisoj.