Cana: Një Komb, një Kombëtare
Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana thotë se duhet të ekzistojë vetëm një Kombëtare. Kësi soji ai përjashton mundësinë që të vesh fanellën e Përfaqësueses së Kosovës në futboll, në ndeshjet miqësore ndërkombëtare, të cilat janë lejuar nga FIFA.
Lajmi.net ka shtruar pyetjen në rrjetin social Twitter se ‘Kush do të luajë për Kosovën?, të adresuar yjeve si Xherdan Shaqiri, Pajtim Kasami dhe Lorik Canës. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Canës duke shprehur qartazi preferencën e tij për vetëm një Kombëtare.
“1 Komb, 1 Kombëtare”, ishte përgjigja e Canës në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Twitter. Yje si Adnan Januzaj, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami e shumë të tjerë prej tani e tutje do të mund të bartin fanellën e shtetit nga prejardhja e tyre.
Mirëpo, kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana mendon ndryshe. Ai insiston se nuk i njeh dy ekipe shqiptare. Qendërmbrojtësi i Lazios ka bërë me dije se edhe ai vetë mund të mos e shkëmbejë ekipin e Shqipërisë me atë të Kosovës që tani mund të marr formë.
Selektori i Kosovës, Albert Bunjaki ka paralajmëruar se do t’i ftojë futbollistët kosovarë që luajnë në Përfaqësuese tjera, por Cana mund të mos ketë ‘qasje në rrjet’.


