Kuqi s’i ka renet për Vushtrri
Shefki Kuqi i ka falënderuar tifozët e skuadrës së Llamkos Kosovës, ‘Forca’, të cilët e kanë ftuar t’i bashkohet ekipit bardh e kaltër. Ai ka thënë se nuk mund t’i bashkohet ekipit vushtrrias, derisa synon që karrierën ta vazhdoj në Angli.
Shefki Kuqit po i vjen mirë që tifozët e skuadrës së Llamkos Kosovës, ‘Forca’ e kanë nisur një fushatë në rrjetin social facebook që ta bindin për ta veshur fanellën e ekipit bardh e kaltër.
Ish reprezentuesi i Finlandës, ka falënderuar Forcën për këtë nismë, por thotë se nuk mund t’i bashkohet Lalmkos Kosovës pasi ka plane tjera.
“I falënderoj tifozët ‘Forca’ për këtë thirrje, por unë kam plane tjera. Edhe unë do të kisha pasur dëshirë që të paktën ta luaj një ndeshje me Lalmkos Kosovën, por unë do të kthehem në Angli brenda kësaj jave”, ka deklaruar Kuqi për Express.
Shefki Kuqi, prej që i ka dhënë fund aventurës te skuadra skoceze Hibernian gjatë verës që shkoi, ka mbetur pa klub. Ai thotë se shumë shpejt do të bëhet me klub.
“Kam disa oferta dhe besoj që shumë shpejt do të ndodh diçka”, ka theksuar Kuqi, i cili paralajmëron se karrierën do ta vazhdoj në futbollin anglez.
Vushtrrisi ka përsëritur edhe një herë që dëshiron të luajë në një ekip serioz dhe që ka ambicie.
Kuqi, i cili ka lindur në Vushtrri, Kuqi pjesën më të madhe të karrierës e ka kaluar në futbollin anglez. Ai në vitin 2000 nga ekipi finlandez FC Jokerit ishte transferuar te Stockport County.
Që nga ajo kohë Kuqi ka luajtur edhe për: Sheffield Wednesday, Ipswich Town, Blackburn Rovers, Crystal Palace, Fulham, Swansea City, Derby County, Newcastle United dhe Oldham Athletic.
Kurse, në sezonin 2009–2010, 36 vjeçari e ka pasur edhe një eksperiencë të shkurtët te skuadra gjermane, TuS Koblenz, nga e cila u largua vetëm pas gjashtë muajve.


