Mobi Casa

Zoo-shoqëria

/ 7 minuta lexim
ARKATANA

Nga Emin Azemi – Në Kosovë ka ndodhur historia dhe tash po e shkruajnë ‘fëmijët e luftës’, në Maqedoni ende po vazhdon të kontrabandohet historia për interesa puro personale. Në Kosovë, historia ngadalë po mbyllet brenda kopertinave të librit, kurse në Maqedoni ajo po futet nëpër ‘’bordelet’’ e abuzivizmit primitiv të qarqeve profitere.

Shumë vite e dekada më parë, ngjarje e zhvillime të bujshme në Kosovë, merreshin si model dhe frymëzonin shtresa të shumta njerëzish në Tetovë, Dibër, Strugë, Kërçovë… Ishte 68-ta, vit ky që koincidonte me dy ngjarje të mëdha – me 500-vjetorin e lindjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe organizimit të demonstratave të mëdha të rinisë shqiptare të Kosovës. Si fëmijë, me kureshtjen e nxënësit të fillores, ende i kam të fiksuara imazhet dhe jehonat e atyre ngjarjeve. Atëherë flitej për do ngjarje të bujshme në Prishtinë, përmendej flamuri, Universiteti, Republika. Pamundësia për të marrë vesh më shumë mbi këto ngjarje, që vinte nga limitet e moshës së njomë, megjithatë, nuk e bënte krejt të zbehtë përfytyrimin për ata njerëz që ishin përleshur me policinë, në mbrojtje të kauzave që më vonë i kuptuam se ishin themeli i shtetndërtimit të Kosovës. Për herë të parë, atëbotë, pata dëgjuar edhe për një emër, i cili më vonë do të bëhet pjesë e formimit dhe brumosjes së ideve nacionale të brezave të shumtë – Adem Demaçi.

Gjashtëdhjeteteta, flamuri, Demaçi, Gjergj Kastrioti, Universiteti, Rilindja, Republika, Kosova po thadroheshin në kujtesën tonë si arketipa që s’mund t’i gjenim në librat oficialë shkollor.

Pastaj shumë ujë kaloi nën urë. Vite e dekada u rrokullisën mbi pellgun e gjerë të kohës, duke fundosur mbetjet e një kohe të pakthim, në njërën anë dhe, duke mbajtur në sipërfaqe idetë që do të lëvizin levat e proceseve të rëndësishme kombëtare, në anën tjetër.

Të diplomuarit në Prishtinë u kthyen në Maqedoni. Disa ngelën në Kosovë… disa u bënë emra, disa të tjerë u bënë viktimë të ambicieve të tyre të tepruara dhe joreale… thjesht u tretën në ‘ujin’ e sertë të konkurrencës… Por, ajo që ngel e pakontestuar është fakti se shumë ngjarje që do të zhvillohen në hapësirën shqiptare në Maqedoni, do të kenë vulën e intelektualëve të shkolluar në Prishtinë. Thjesht, refleksioni i gjithë asaj energjie iluministe që akumulohej në Kosovë, gjente mënyra e sebepe të zbrazej në Maqedoni. Ngjarjet madhore (UT dhe UÇK), ishin dy shtyllat e larta të risementazimit të një krenarie të fjetur kombëtare, që me kalimin e kohës, në momente e rrethana të caktuara, derivuan nga idetë sublime në trajta “pragmatike” të përfitimeve të çastit.
Shumëkush, nëse jo publikisht, së paku në vete, është pyetur këto javët e ditët e fundit – a thua janë shterur modelet e Kosovës në Maqedoni? Apo, ndoshta, ato modele u përdorën vetëm sa për të instaluar një komoditet të radhës, që hëpërhë, po faturohet vetëm si arritje kulmore që nuk ka nevojë për oponencë, për kontestim, për garim idesh e veprimesh alternative?

Ka të tjerë që thonë (edhe me të drejtë ndonjëherë) se shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë nevojë për kurrfarë ‘’tharmi’’ nga jashtë, sepse mjaftojnë kapacitetet e tyre të brendshme për të lëvizur gjërat në drejtim të duhur. Por, ja që, në një të kaluar jo shumë të largët u dëshmua se pikërisht ai ‘’tharm’’ nga jashtë ishte i patjetërsueshëm për të ngutur ardhjen e bukës në magjet e shqiptarëve të Maqedonisë.

Tash a mund të merret model Prishtina për Tetovën, a mund të kemi ndonjë VV edhe në Tetovë e Shkup dhe gjetiu? Pse në Kosovë po formalizohet guximi qytetar për të dalë nga gëzhoja e inferioritetit që kishte imponuar mendësia hundëpërpjetë e disa njerëzve, të cilët pretendonin se vetëm ata janë kompetentë për të ndarë licenca të patriotizmit dhe, pse ky guxim antikonformist e antiinferiorist nuk po ndodh në Maqedoni? Pse, në Kosovë, ‘ushtari’ i thjeshtë nga populli, po e sfidon ‘komandantin’ e fuqishëm e të paprekshëm? Atje (në Kosovë) vota u tregua më e fuqishme se dora e padukshme e meritokracisë absurde tek shqiptarët e Maqedonisë. Kjo edhe për faktin se ndoshta në Maqedoni, ende ka më shumë komandantë se ushtarë, apo se këta të fundit ende po vuajnë pasojat e guximit të tepruar për t’u bërë pjesë e historisë, atëherë kur disa të tjerë e kishin shkruar historinë ende pa ndodhur ajo.

UBT

Në Kosovë ka ndodhur historia dhe tash po e shkruajnë ‘fëmijët e luftës’, në Maqedoni ende po vazhdon të kontrabandohet historia për interesa puro personale. Në Kosovë, historia ngadalë po mbyllet brenda kopertinave të librit, kurse në Maqedoni ajo po futet nëpër ‘’bordelet’’ e abuzivizmit primitiv të qarqeve profitere.

Mendimi ndryshe. Kush e përfaqëson në Maqedoni? Ose, ata që pretendojnë se po mendojnë ndryshe sa ka të ngjarë që me apo pa vetëdije t’i djegin shanset e një alternative të njëmendët. Disa të frikësuar nga humbja e primatit opozitar, nuk po ofrojnë kurrfarë hapësire për të zëvendësuar njëtrajtshmërinë pushtetore me ide të reja, më aktive, e më energjike, pos që ëndërrojnë të zëvendësojnë partnerin e tanishëm shqiptar me vetveten. Naivitetin e sotëm duan ta zëvendësojnë, nesër, me inferioritetin e tyre.

Të tjerët, të vetafishuar si mendimtarë ndryshe, të ardhur vonë në paradhomat e nacional-romantizmit nga një rrugëtim i kotë kozmopolit, po gjejnë strehë në ‘radikalizmat’ e çastit, vetëm sa për të mbushur bateritë e zbrazura në ecejaket me axhendë tepër personale.

Atë që e thërret Prishtina, sa e dëgjon Tetova? Nëse në kohë më të vështira dinim të huazonim modele për të rivitalizuar jetën kombëtare këtu, tani, në kohë të qeta, po del se tetovarët e pastiçerive në Maribor, Split, Poreç, Sarajevë po tregohen më vigjilent kundrejt kauzës kombëtare, sepse vetëm ata nuk po e këmbejnë zanatin e tyre ballëdjersitur me favoret që të jep revolucioni i ndryshimit të biografive brenda natës.

Të mendosh ndryshe, jo gjithmonë nxjerr në sipërfaqe ide automatikisht të zëvendësueshme, po ama të mos mendosh fare është t’ua bësh qejfin atyre që hiçin e tyre e shumëzojnë me të arriturat kolosale kombëtare. Ka rrezik që ky shumëzim të ketë prekur shumë segmente shoqëror në Maqedoni dhe është çështje kohe se kur do të kemi ne këtu një përllogaritje tjetër të parametrave që ndajnë pakurrizorët e zvarranikët nga gjenerata e djemve e vajzave të diplomuar nëpër universitetet e Perëndimit. Lufta kundër kësaj zoo-shoqërie nuk mund të jetë efikase përderisa të mos çmontohet mendësia se vetëm meritokracia e gjysmanalfabetëve të veshur me pushtet të pamerituar mund të na e përcaktojnë ritmin e zhvillimit dhe të emancipimit tonë.

(Autori është analist nga Maqedonia. Ky arikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)