Moyes: Januzaj, një talent i madh
Trajneri i Manchester United-it, David Moyes nuk ka asnjë dyshim për potencialin e futbollistit me origjinë shqiptare Adnan Januzaj.
Kohët e fundit 18-vjeçari ka gjeneruar një reputacion negativ për shkak të simulimeve të tij në fushën e blertë, por trajneri skocez nuk shqetësohet aspak nuk ky fakt.
Nuk e vras mendjen për këtë. Januzaj është një futbollist shumë i talentuar. Nuk kam dyshime se ai do të bëhet një nga futbollistët më të mirë që ka luajtur në Angli për shumë kohë, madje edhe te Manchester United, ka thënë Moyes, transmeton “Supersport”.
Mediat kanë nisur ta krahasojnë djaloshin Januzaj me Cristiano Ronaldon, por Moyes mendon se është herët për të bërë krahasime të tilla.
E mbaj mend kur Cristiano Ronaldo shpërtheu të United. Në atë kohë shumë njerëz thoshin të njëjtat gjëra për të. Por unë për asnjë çast nuk do ta krahasoja Januzajn me Ronaldon. Djaloshi është vetëm 18 vjeç dhe ka perspektivë të përmirësohet shumë. Ai do të mësojë, do të kuptojë më shumë nga futbolli. Ai po kontribuon shumë në ndeshjet e Machester United, ka theksuar Moyes.
Januzaj këtë edicion ka shënuar tre gola në 16 ndeshje ku është aktivizuar në të gjitha kompeticionet.
Pak muaj më parë mesfushori rinovoi kontratën me Mancester United deri në qershor të 2018. Ai mbërriti te klubi i mirënjohur anglez në fillim të vitit 2011, i transferuar nga të rinjtë e Anderlechtit në Belgjikë për 500 mijë euro.
Pas një starti mbresëlënës me “djajtë e kuq”, çmimi i kartonit të tij është shumëfishuar, madje nuk mungoi interesimi i klubeve të mëdha evropiane para se 18-vjeçari të rinovonte me United.


