Një vit i mbrapshtë për politikën
Nga Mero Baze – Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, zgjedhjet vendore në Kosovë, protestat për armët kimike, por dhe çlirimi i debatit publik në të dy vendet, janë një sinjal i hidhur për arrogancën politike dhe statuskuonë, që po instalohej në politikën shqiptare.
Shqipëria ishte duke shkuar në një depresion të fortë ekonomik, social dhe politik, për shkak të një qeverie që fshehte të vërtetën dhe përpiqej të sundonte, në vend që të qeveriste. Me një retorikë dhe patetizëm të vjetër, gjeneruar prej ish-kryeministrit të vendit, Shqipëria kishte mbërritur në pikën kur qytetari i ngjante shërbëtorit, që e rrahin dhe nuk e lënë të qajë.
Vendi po zhytej në një krizë të fortë ekonomike, ndërsa qeveria thoshte jemi vendi i dytë pas Gjermanisë, vendi po përballej me probleme të forta sociale, me një nivel papunësie rreth 40 për qind, me një skemë të dështuar pensionesh, me një arsim të shkatërruar dhe sistem shëndetësor të falimentuar, ndërsa qeveria fliste për qytetarë të lumtur.
Ekonomia shqiptare po hynte në recesion, borxhi i brendshëm kaloi nivelin 65 për qind zyrtarisht, biznesi nuk kishte marrë pagesat që i takonin në rreth 300 milionë euro, orientimi i zhvillimit ekonomik po shkonte drejt një skeme gjigande piramidale, ndërsa qeveria shmangte të dhënat nga sytë e publikut dhe fliste për stabilitet financiar.
Protestat në vend ishin shuar, pas vrasjeve tragjike të 21 janarit, ndërsa debati publik kishte humbur kuptimin nga kontrolli mbi mediet dhe imponimi i një retorike të dhunshme optimiste. E gjithë kjo reflektohej, në një arrogancë të shtuar të pushtetit dhe vetëngrefosjen, se askush nuk ishte në gjendje t’i prekte më.
Opozita ishte një shumicë e dukshme në vend, por e frikësuar dhe rrezikuar nga vjedhja e votës, ndërsa pushteti filloi të blinte deputetët e saj dhe të fuste ndasinë brenda tyre.
Kjo panoramë, e cila i përket gjashtëmujorit të parë të këtij viti, ishte e gjitha një laborator ku po eksperimentohej, për të parë vdekjen klinike të demokracisë, ose mbijetesën e saj.
Për gjithë këto arsye, më 23 qershor, 1 milionë shqiptarë votuan kundër Sali Berishës dhe qeverisë së tij, pa ndonjë pritshmëri për mrekulli nga qeveria që po vinte, por të bindur se koha e tij kishte mbaruar.
Të gjithë ata që ishin të dëshpëruar nga vdekja e protestës, nga mungesa e debatit publik, nga arroganca e qeverisë dhe retorika nacionalkomuniste e pushtetit, patën fatin të shikojnë se nervi i shoqërisë nuk kishte vdekur. Shqiptarët reaguan si një shoqërie e gjallë aktive, dhe e përgjegjshme, duke zhvilluar zgjedhje të mira dhe duke mundësuar rrotacionin.
Qeveria e re, e cila filloi punën në Shtator, u ndesh me një situatë katastrofike, të paverifikueshme dhe iu desh një audit ndërkombëtar të kuptonte, se borxhi po shkonte tek 70 për qind e GDP, se borxhi ndaj biznesit ishte katastrofik, se shëndetësia dhe arsimi kishin falimentuar dhe se në çdo ministri, çdo zyrtar është kandidat për në qeli.
Disa akte populiste të qeverisë, tentuan të fokusohen tek distanca nga korrupsioni dhe tendenca për të kontrolluar territorin dhe ndërtimet pa leje, luftën kundër lojërave të fatit si dhe betejën me evazionin fiskal. Në mes të këtyre akteve populiste, qeveria u përball me një sprovë të vështirë. Qeveria më mike e shqiptarëve, ajo e SHBA, i kërkoi qeverisë shqiptare, të pranonte demontimin e armëve kimike të Sirisë, kundrejt një pakete ndihmash dhe reciprociteti, që synonte fuqizimin e raporteve mes dy vendeve dhe ndihmë financiare.
Kryeministri shqiptar ua pranoi ofertën dhe tentoi ta menaxhonte atë si një aksion personal. Depresioni i muajve të parë të qeverisë, agresiviteti i opozitës dhe përfshirja e saj në protesta, bëri që vendi të pushtohej nga një valë protestash, të cilat u bënë acide dhe rrezikonin të ktheheshin në trazira. Edi Rama kishte në dorë vetëm të vajtonte shansin e humbur dhe e vajtoi me një ligjërim brilant, cinik, dhe paksa poshtërues, për ata që nuk shikonin, atë çfarë ai shikonte dhe dëshironte të shikonte, nga ai projekt.
Akti i tij shënonte një standard të ri qeverisje, një vëmendje reale ndaj protestës qytetare, e cila vetëm dy vjet më parë në atë bulevard ishte shtypur me gjak. Qytetarët u kthyen nga protestues në falënderues të qeverisë dhe zbuan nga sheshi Sali Berishën dhe Lulëzim Bashën, në një përpjekje të tyre për t’i përdorur protestat politikisht.
Viti po mbyllet me një debat të gjallë për buxhetin dhe paketën fiskale, ku biznesmenët shqiptarë, ata që nuk guxonin t’i kërkonin as lekët e tyre Sali Berishës, po diskutojnë plot pasion shpesh kundër qeverisë për iniciativën e saj. Kjo është në të vërtetë fitorja reale e shoqërisë ndaj politikës dhe vendosja e një standardi të ri, komunikimi mes tyre.
Në Kosovë po ashtu zgjedhjet vendore, ndryshuan jo vetëm gjeografinë politike të Kosovës, por thyen dhe mitin e disa politikanëve të vjetër që dukeshin të paprekshëm. LDK triumfoi aty ku mungonte e vjetra, Vetëvendosja fitoi kryeqytetin me një fytyrë qytetare dhe me plot përpjekje për të pasur program, ndërsa disidenca politike brenda partisë në pushtet, prodhoi plasaritje reale.
Qytetarët e Kosovës, votuan me inteligjencë dhe ndëshkuan në kapilaritet politikën në pushtet, kudo që ishte dhe e kujtdo parti që ishte.
Viti 2013 po mbyllet si një vit ku shqiptarët ja dolën t’i gjunjëzojnë politikanët, duke e kthyer suksesin e tyre në një Vit të Mbrapshtë për politikën.


