2013!
Nga Xhemal Ahmeti – Viti që shkoi, megjithatë ishte i suksesshëm dhe shqiptarët në disa sfera ecën para!
Definitivisht: shqiptarët nuk janë amishët e postmodernes.
Përkundër ca librave e pamfleteve nga sfera e kulturës dhe politikës, të cilat me çdo kusht duan t’i shpallin plisat e shekullit 21 pasardhës të drejtpërdrejtë të Manusë, Adamit, Enkidusë apo ndonjë statuje tjetër të imagjinatës dinamike humane, shqiptarët ecën me dy këmbë mbi tokë. Ata u sollën si të gjitha shoqëritë passekulare brenda perëndimit dhe ecën në shumë drejtime përpara e në disa mbrapa.
Në Shqipëri ndodhi rokada. Në Kosovë u burgosën plotë primatë të përfhisrë në krim. Zgjedhjet komunale u zhvilluan në mënyrën më të të mirë të mundshme. Mediat në Kosovë si asnjëherë më parë dëshmuan se janë vërtet pushteti i katërt dhe elektorati, votuesit manifestuan jo si zakonisht dështimin e tyre politik, por pushtetin e tyre efektiv, ashtu siç i ka hije çdo demosi. Në Maqedoni është faktori shqiptar ai që është pranuar salloneve ndërkombëtare për të folur mbi mundësitë dhe shanset e këtij vendi për të hyrë në BE apo jo, për t’u quajtur siç quhet apo ndryshe. Lugina në Serbinë jugore vazhdon të ndihet jetime dhe ndoshta pikërisht për këtë ajo doli edhe më këmbëngulëse në të drejtat e saja demokratike, kulturore e ekonomike se sa rëndom.
Kryesorja dhe sinteza e gjithë këtyre lëvizjeve, në të gjitha pjesët shqiptare, është fakti se përkundër tensionit dhe presionit shqiptarët askund nuk u bënë nxitësit e dhunës, por ata që edhe me sakrificë e “humbje“ u bënë garancia e paqes aty ku vepruan.
POZITIVET
Politika – Në Shqipëri ndryshimi nuk është për tu festuar për arsye se humbi Sali Berisha e fitoi Edi Rama, por sepse nuk u u shkel parimi themelor që mundëson demokracinë: u respektua vota e qytetarëve dhe nuk u bë çmos që ajo, vota, të falsifikohet në favor të ndonjë ideologjie, klani apo kërkese të ndonjë force eksterne. Edi Rama jo vetëm që premtoi shumë gjëra por edhe dëshmoi energji që në start të pushtetit të tij, sidomos duke zgjedhur edhe njerëz jo vetëm të spektrit doktrinar që përfaqëson, por edhe specialistë të dëshmuar në fusha të ndryshme. Mediet si Tema, Dita dhe Respublica ofruan më shumë se vetëm asistencë në përhapjen e idesë së demokracisë dhe shtetit ligjor, duke sulmuar objektivisht jo vetëm pozitën por edhe opozitën për defektet, strategjitë dhe edhe për më shumë duke ofruar shembuj konkret e të argumentuar se si duhet të duket një shtet i suksesshëm; front që ndikoi tek shumë qytetarë për të matur votën përtej lidhjeve e simpative spontane ose strukturalisht të korruptuara.
Në Kosovë mediet si Klan Kosova, RTK, Tribuna, Zëri, Express, Kosova Sot kontribuuan në mënyrë të vazhdueshme dhe në kongruencë duke ekspozuar deri në asht gati çdo potentat për post politik. Kjo ndikoi që qytetari mos të jetë gjahu dhe viktimave e atyre që e zënë më së pari “në rrugë“, por i dhanë mundësi elektorit të jetë i parapërgatitur në zgjedhjen e tij për këtë apo atë alternativë. Në një analizë krahasuese ndërmjet medieve kosovare dhe tjerave të rajonit, janë këto media të listuara që e bënë vërtet një (r)evolucion në drejtim të gazetarisë objektive në gadishull.
Përkundër kritikave të shumta ndaj dialogut Kosovë – Serbi, qeveria kosovare bëri mirë që nisi dialogun.
Gjatë vitit u zhvilluan disa debate që kishin të bëjnë me religjionet, identitetin, bashkimin e të ngjashme. Ato ishin të domosdoshme – thjeshtë për shkak se shoqëritë e hapura nuk duhet të kenë tabu- për të sensibilizuar shtetin dhe shoqërinë për problemet që vlonin në masë. Natyrisht se në debat ndikuan edhe diginautët e pailuminuar sa duhet për kohën që jetojnë dhe ithtarët e eurokomunistëve të demoduar si Pierre Bordieu që nuk duan të pranojnë se viti 68 qëmoti ka dalë në pension dhe paradigma tjera djersitin trurin human. Megjithatë asnjë debat nuk dështon për shkak të perspektivave, por kryesisht për shkak të jokompetencës. Ashtu si gjetiu edhe tek shqiptarët disa prej tyre dështuan për shkak të jokompetencës e disa patën sukses për shkak se u ndalën pa u zhvilluar sa duhet.
NEGATIVET
Politika – Muajve të fundit të vitit qeverisë kosovare duket se iu harxhuan bateritë, kapaciteti në dialogun me Serbinë. Ajo nuk fitoi gjitha ato mundësi që i ofroheshin. Serbët po: ata dolën triumfues në kontekst me politikën e tyre të jashtme, natyrisht duke pranuar që të heqin dorë hap pas hapi e përfundimisht nga veriu i Kosovës. Premtimet e Hashim Thaçit se do të luftojë kundër korrupsionit dhe anomalive të shumta të qeverisjes së tij mbetën retorikë me rimë, ballon që pritet të plasë para zgjedhjeve nacionale, nëse ai nuk bind me hapa konkretë se ka interes ta bëjë demokracinë dhe shtetin ligjor.
Edi Rama e nisi mirë dhe pati një krizë: kërkesa amerikane për demontimin e armëve siriane e vuri përballë një sfide të rëndë ose më mirë thënë ndërmjet dy zjarreve: nga njëra anë amerikanët donin që Shqipëria të jetë pro, e nga ana tjetër shumica e vendeve të BE-së dhe rajonit ishin kundër. Duket sikur Rama ende nuk ishte bërë aq sa duhet mik me diplomacinë, strategjitë dhe pushtetin saqë doli i papjekur në vendimit e tij, më pak për Jo-në se sa për arsyetimin që bëri pas vendimit.
Në Maqedoni partia në pushtet priti më shumë se sa duhet deri në reagimin e saj kundër politikës etnokratioke politike dhe socioekonomike të Gruevskit. Të bashkuara të gjitha qeveritë dolën në raport me Luginën: të gjithë premtuan dhe nuk bënë asgjë.
FACITI
Summa summarum shqiptarët patën vit të mirë. Natyrisht që kërkesat e masave janë edhe më shumë mirëqenie, liri dhe ligj, mirëpo edhe ato duhet të kuptojnë se asnjë shtet në botë nuk ia ka dalur që brenda 5 apo 30 viteve të zgjedh gjitha problemet e tij. As shqiptarët nuk janë autor të njohur mrekullish.
Çka duam për vitin që hymë: Të kërkojmë përgjegjësi për dështimet sociale,politike, ekonomike pa u bërë atentat moral, human personave që elektorati, bashkëqytetarët i kanë zgjedhur në postet kyçe të vendit.
Mediet do të fitonin edhe më shumë besim nëse nuk ushtrojnë vetëm funksionin e kallëzuesit parapenal të veprimeve destruktive të pushtetit; ato do të ndihmonin shumë më shumë nëse do të djersiteshin duke bërë propozime konkrete, sugjerime të menduara mirë se si mund të evitohen defektet dhe cilat mund të ishin alternativat konkrete për ikje nga situatat dëmprurëse – me shembuj dhe të provuara diku tjetër.
Qeveritë ndoshta do të bënin mirë nëse nuk luanin aq tepër me telin e arrogancës dhe të bëhen më transparente në punën e tyre. Dhe: sa më pak krime!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)


