Shaqiri – Januzaj, reklama më e bukur shqiptare
Njëri ka fituar gjithçka me Bajernin, ndërsa tjetri po shkëlqen në Premier Ligë dhe është bërë lider tek Mançesteri, edhe pse vetëm 18-vjeç…
Shumë mund t’i quajnë “tradhëtarë”, ose disa të tjerë t’i kenë inat dhe t’i urrejnë. Por nëse sot Shqipëria e futbollit është bërë më e njohur, merita është jo e faktit që ka dalë në vend të parafundit në grupin e eliminatoreve të Botërorit “Brazil 2014”, për projektet e stadiumit dhe vonesat për të zbatuar qoftë edhe ankandin, apo për kampionatin e një niveli të dobët dhe fushat skandaloze (përfshirë edhe gjykimet), por sepse dy talente shqiptare janë në fokusin ndërkombëtar dhe po bëjnë reklamën më të bukur të një vendi që pas çdo muaji duhet të përballet me realitetin e hidhur se në Evropë shumë pak e duan, duke i përplasur “derën” e anëtarësimit në BE, apo duke mos i dhënë “dorë” në çdo hap të rëndësishëm. Por, nga politika tek futbolli, ndryshimi është rrënjësor, shkruan “Sportekspres”.
Dhe pikërisht tek bota e topit ne duhet të krenohemi me dy shembuj: Xherdan Shaqirin dhe Adnan Januzajn. Njëri luan tek Bajern Mynihu dhe duke nisur nga pardje është shqiptari që i ka fituar të gjithë trofetë e mundshëm që mund të arrijë një futbollist sa i përket kolektivitetit. Plot 6 trofe për futbollistin e lindur në Gjilan dhe rritur në Zvicër, ngjyrat e të cilët mbron në Kombëtare. Sigurisht, mund të përfaqësonte ngjyrat kuqezi, por kjo është një histori tjetër, një histori botërore, e cila na ka mësuar se pikërisht s’ka asgjë absolute, por gjithçka është relative.
Sa vetë do të besonin se Gjermania një ditë (sot) do të mund të hidhte në fushë një ekip të përbërë nga 20% futbollistë që kanë lindur në Gjermani, por që janë me origjinë jogjermane?! E duke iu larguar kësaj, mund të gjejmë tek Shaqiri atë shqiptar që vërtet është një reklamë për ne, një “ambasador”, i cili i dhuron fanelën një tifozi kuqezi që kishte udhëtuar në Marok, apo që në këpucët e tij mban flamurin, ashtu si edhe në “Twitter” e kudo s’harron të flasë shqip.
Nga një “tradhëtar” që ka fituar gjithçka në një talent (vetëm 18-vjeç), që me siguri në të ardhmen do të ketë fituar shumë, nëse vazhdon me këto ritme.
Po flasim për Adnan Januzajn, futbollisti me origjinë nga Istogu, i cili ende s’e ka vendosur se cilën Kombëtare të përfaqësojë (Belgjikë, Angli, apo Shqipëri) por që është i fokusuar ekskluzivisht tek fusha, aty ku po tregon vlerat dhe po merr “përdore” Junaijtidin (dhe s’po flasim për Uest Ham, Hull, apo ndonjë tjetër, me gjithë respektin për këto skuadra). Një tjetër gol i mrekullueshëm i tij, në një ndeshje ku e kanë lavdëruar të gjithë. Ai ende s’ka fituar asgjë, por moshën e ka përpara dhe, nëse vazhdon me këto ritme, askush s’mund ta ndalojë.
“Januzaj është i jashtëzakonshëm”. Mojes e komenton kështu, ndërsa në Premier kundërshtarët kanë nisur ta “keqtrajtojnë” (ndërhyrje)…
Diçka që Kristiano Ronaldo provonte çdo ndeshje kur luante me Junajtidin. Rruga është ajo, thjesht s’duhet të humbë në elozhe dhe të bëhet “mburravec”.


