Me portretin e shkrimtares, eseistes dhe përkthyeses, Enkela Kasi
Gjilan – Sot, salla e KK të Gjilanit ishte e mbushur plot me artdashës jo vetëm nga Gjilani, por edhe nga mese të tjera, si: nga Bujanoci, Presheva, Ferizaji, Prishtina, Vitia e mese të tjera të Kosovës. Sabit Rrustemi, poet e organizator i manifestimit kulturor Ars Clubi “Beqir Musliu” në Gjilan, tha se, kësaj radhe, në “Vjeshtën letrare …” e kemi shkrimtaren, poeten, eseisten e përkthyesen, Entela Kasi, e cila, siç dihet, është e emëruar Ambasadore për PAQË nga Federata për paqë universale, me status në OKB . Dhe, jo vetëm kjo?
Entela Kasi është e lindur më 13 gusht të vitit 1975 në fshatin Cangonj të Devollit, fshat që ka spikatur për traditat e tij kombëtare dhe patriotike. Është e diplomuar për gjuhën angleze, më 1998. Aktualisht Entela është kryetare e PEN Qendrës të Shqipërisë dhe anëtare e bordit. Ajo, mbi të gjitha, është poete, romansiere, eseiste dhe përkthyese. “Kjo poete, romanciere, përkthyese dhe eseiste nga Shqipëria, sikur ka ardhur në Kosovë për të dëshmuar talentin e saj poetik.
Ajo është autore e e këtyre veprave poetike: “Ëndërr e paemër”, “Koha e Kalit”, “Pasion dhe Krim”, “Në këtë muzg pikëllimi”. Andaj, për veprën e saj poetike janë shprehur disa nga kritikët tanë vendas dhe të huaj, të cilët e kanë vlerësuar mjaft lart veprimtarinë e saj letrare. Fatushe Haliti tha se, poezia e saj është përfshirë në “Mbrëmjet Strugane të Poezisë”2001 dhe 2002, si edhe në një Festival Ndërkombëtar i poezisë në Izmir i organizuar nga PEN International dhe PEN Qendra e Turqisë në vitin 2007, ku është lauruar me kupën e kristaltë të këtij festivali, midis poetëve të vitit. Është ftuar në aktivitet më të rëndësishme për letërsinë nga PEN International, në Ballkan, Europë, SHBA, Azi, Afrikë, Kinë, Japoni, dhe në Korenë e Jugut.
Është përkthyer në: maqedonisht, turqisht, anglisht, frëngjisht, arabisht,etj, dhe vepra e saj është botuar në antologji dhe revista letrare në vende të ndryshme të botës. Ka sjellë në gjuhën shqipe romanin “Kujtime të Mirelës” të Eugene Schoulgin dhe veprën e përzgjedhur të Casimiro de Britos,”Muzika e botës” etj. Ndërsa, dr. Basri Çapriqi, studiues i letërsisë shqipe, tha se, romani “Të korrat e Krishtlindjeve”, i cili që nga fillimi nis të na shpalosë tragjiken e një historie të një personazhi të gjetur në vorbullën e një kaosi, me shumë elegancë shndërrohet në një rrëfim për kaosin që ka zënë brenda një popullatë të tërë, apo gjithë vendin.
Herë me një ligjërim mimetik që i afrohet një realiteti të vrazhdë momental, e herë me një ligjërim metaforik me synim të zgjerimit të përmasave të rrëfimit diku larg në histori apo edhe me larg në mite të lashta. Romani jep gjithë përmasën e kaosit apo të tragjikes, që ka goditur si nga qielli një popull dhe një vend. Ky është një roman i absurdit, ka shtuar S. Çapriqi. Ai më tutje ka thënë se, “të duket se autorja i gjen një shteg apo një fill kaosit nga e ka shpënë personazhin, si me magji mjegullohen të gjitha daljet, mbyllen të gjitha shtigjet dhe kaosi merr përmasën e vet rrënuese. Asnjë insistim për ta arsyetuar apo për ta heshtur. Një pamje e plotë, totale, me përmasat reale të tragjikes njerëzore. Ikja, largësia, në çaste është përmasash të paarritshme dhe bashkësia, hapësira, hapësira totale që ndjell përfytyrime të ngarkuara me mall, kujtim, dhembje të motshme, të djeshme, të artikuluara me gjeturi dhe origjinalitet.
Në drejtim të kundërt, jo ikjeve, jo largësive, por shigjetim që vjen nga largësitë tek shpirti është dhembja. Ajo kurrë nuk merr arratinë drejt qiellit, kurrë. Dhembja nga shëmtia e botës përreth, ka çaste kur në vizionin e saj del i trandur, si tërbim vetëshkatërrues, gjatë ecjes përditë, gjatë ballafaqimit me të qenit, me ekzistencën, e që është dëshmi e sigurt për të nesërmen e letërsisë”, ka shtuar S. Çapriqi, studiues i lënësisë.
E Sadik Bejko, në mungesë, fjalët e tij të shkruara i lexoi Nexhat Rexha, i cili tha se, “Në rastin e romanit “Të korrat e Krishtlindjeve” të E. Kasit nuk kemi historinë e madhe, qilimat e kuq nën këmbët e Agamemnonit apo të yjeve të sotëm hollivudiane, por një histori moderne të po së njëjtës racë: gjaku dhe vdekja mbillen në të gjitha faqet e romanit. Ky roman i botuar në vitin 2003, edhe në këtë ribotim me ndryshime, pas dhjetëvjetësh, është një prozë e ndikuar nga poetika e tragjikes, nga struktura e baladës”.
Ndërsa, Ibrahim Kadriu, romansier i kësaj ane, tha se, po e respektoj organizatorin e këtij manifestimi kulturor dhe se, kam nderin që gjendem këtu, ku nderohet shkrimtarja nga Tirana Enkela Kasi, një autore shumë prodhimtare, e cila ka bërë emër të madh ne letrat tona. “Unë nuk po flas më tepër për veprimtarinë e Enkelës, për faktin se më parë foli z. Basri Çapriqi, i cili është njohës i mirë i letërsisë. Aty ishte fjala, se, kjo shkrimtare ka ditur jo vetëm të shkruajë vepra, por edhe të zgjedhë temën e veprës, e cila e ka rëndësinë e veçantë. Bastriu e tha dhe në formë të shkurtër e përmblodhi përmbajtjen e veprës së Entela Kasit, e cila autore po vjen me ndryshime tjera në letërsi.
Ajo e ka lexuesin, i cili po e pranon se tematika e trajtuar është e një kohe të sotit, që është rrëfyer në mënyrë reale. Pra, si shtoi I. Kadriu, krijues, “Të korrat…” është krijuar në një atmosferë sa reale aq mitike; një atmosferë të tishtë që të nxitë britmën dhe sharjen e drejt asaj hipokrizie “njerëzore” e cila, siç mund të kuptohet, e ka mbajtur autoren në ethe derisa ia ka dhënë formën e përkryer të asaj kohe zezonë. Jo vetëm psikologjinë e turëmë, por sidomos të individit, e ka spikatur bindshëm, njësoj si edhe jetën në ankand, udhëkryqet e asaj jete dhe orvatjet për dalje nga ato udhëkryqe që përfundojnë në reflekse që varfërojnë shpirtin deri në kufirin e çmendurisë”.
I. Kadriu tha se, “ky roman, me gjithë atë galeri, qëndron lart në mesin e krijimeve të autorëve të tjerë në këto vitet e fundit. Për lexuesin është një mundim i bukur: i trishtuar me fatet njerëzore të atij sistemi të të çmendurve dhe i ngazëllyer me potencialin estetik të krijueses, përmes kalitjes së ambientit shoqëror e politik dhe të karaktereve viktimë të atij ambienti që ishte apo është edhe sot e gjithë ditën në Shqipëri”.
Virion Graçi, në fjalën e tij, ka shtuar, Entela Kasi, shkrimtare, “ e vetëdijshme për lëndën e pasur jetësore prej mitologjisë antike deri te ankthet moderne shqiptare, ka rigjetur mjeshtërisht teksturën e duhur duke aktualizuar në një rrëfim prekës e alucinant tragjeditë e padukshme të njerëzve dhe frymën konkrete të vitit të kobshëm 1997….” Ndue Gjika, ka thënë se “Të korrat…” është vepër në udhëtim tragjik, pa heroizëm, tek preken nivelet në fundin shoqëror. Është ajo gjendje kur zbathen të fshehtat e gjalla të jetës tek përjetohet simbolika e vdekjes dhe përvijohet një shpresë e re në teh të kohës që lëkundet. Besimi është kthyer në një dritë të zbehtë që nuk tregon shteg, por më tepër ngatërron kufijtë në dilemën e ekzistencës”.
Në fund autorja, Entela Kasi, shkrimtare nga Tirana tha se, letërsia mbetet letërsi, dhe atje janë edhe gratë, elementi femëror, qenia femërore pa të cilën as jeta nuk do të kishte kuptim. Gruaja, është burimi i jetës, ajo sjell në jetë njerëz të tjerë, popullon planetin, dhuron, e i ka dhuruar botës edhe burrat, të cilët drejtojnë botën. “Sot Gjilani ishte me mua. Më ka nderuar më së shtumti. Nuk e kam pritur këtë. Andaj, duke ardhur në këtë vend të këtij manifestimi kulturor, u afrova dhe e nderova bustin e të madhit hero, Agim Ramadani, i cili gjendet këtu afër. Sa ndjeva emocione. Isha e tëra me fjalën e Agimit dhe me heroizmin e tij në luftën e fundit 1999.
Këtë figurë e njoha nga Ibrahim Kadriu, shkrimtar, i cili ka bërë kompletin e veprave të këtij heroit të kombit. U frymëzova nga vargjet e këtij poeti dëshmor, i cili nuk më hiqet dot nga mendja. Po ndjej në vete se kam emocione, për faktin se më quajt shkrimare madhore. Jo! Karshi të madhes sonë, Nënës Terezë, unë e vogël jam dukem si te jem nënë sjetullën e saj. Ajo është ambasadorja e njerëzimit. Vij nga Korça dhe ja fati im po loz me vepra anë e kënd trojeve shqipe. Po jam aty, ku janë të gjithë njerëzit e këtij vendi shqiptar. Andaj, tha Entela, “ne bëjmë vepra për të rrëfyer të tjerët. Librat e mi janë mbushur me atdheun e ndarë padrejtësisht, por ja erdhi koha dhe kjo kohë në Ballkan po punon për ne? Ju faleminderit gjilanas, ju më bëtë të jem e lidhur fort me njerëzit e këtij qyteti të bukur, që këto “sende” kulturore po i bëni më bukur se kudo tjetër. Jetofshi sa malet!”, tha Entela Kasi, shkrimtare nga Tirana./Tefik Selimi/rajonipress/


