UBT

De Biasi: Sulmi ynë në krizë

/ 10 minuta lexim
FIDANISHTJA

Tiranë – Trajneri i Kombëtares, Gianni De Biasi, e ka krijuar tashmë një ide të skuadrës që do ketë në dispozicion për kualifikimet e EURO 2016, të cilat startojnë në shtatorin e 2014-ës. Ai kërkon t’i paraprijë çdo problemi apo mangësie, duke filluar që nga sulmi, repart që sipas italianit aktualisht e shqetëson më shumë. Gjatë intervistës së “Panorama Sport”, tekniku ka folur për situatën e Hamdi Salihit, duke uruar që “snajperi” kuqezi të kthehet në Evropë, si dhe ka dhënë versionin e tij lidhur me dyshen e Liteksit, Vajushi-Gjasula.

Mbledhje me trajnerët e moshave, për çfarë u fol më konkretisht?

Ishte një mbledhje në sensin strategjik, gjatë të cilës u diskutua mbi atë çka është bërë deri tani, por më së shumti për atë çka duhet të bëjmë në vazhdim. Pak a shumë një lloj rezymeje dhe projekt-bashkëpunimi të të gjitha skuadrave kombëtare, duke filluar nga U-17 deri te kombëtarja e parë.

Ka lidhje kjo me një kritikë që ka bërë presidenti i FSHFsë, Armand Duka, gjatë një interviste televizive, ku thoshte se nuk ka bashkëpunim mes ekipeve tona kombëtare?

Presidenti me të drejtë i shikon gjërat më në kompleks, por duhet thënë se gjatë kësaj kohe, mua si trajner i ekipit të parë, më është dashur të punoj më shumë me skuadrën time për ta organizuar në konceptin që kisha projektuar, plus që më duhej edhe të ambientohesha paska me këtë realitet që gjeta në Shqipëri. Tani, së bashku me Redi Jupin (drejtori i zyrës së talenteve në federatë) kemi menduar se ka ardhur momenti i një organizimi disi më të gjerë, ku natyrisht bëjnë pjesë ekipet kombëtare U-17, U-19 dhe U-21, të cilat në vetvete ndihmojnë njëra-tjetrën dhe të gjitha bashkë vihen në funksion të Kombëtares A.

Dakord, por këto gjëra janë bërë pak a shumë edhe më përpara, çfarë ndryshon tani? Çfarë të reje ka në këtë mes?

Vizioni i punës dhe ideja e të çuarit përpara të një projekti unik. Çfarë dua të them me këtë? Duhet që secili trajner të jetë më i predispozuar të ndjekë jo vetëm ndeshjet e skuadrës që drejton, por edhe të ekipeve të tjera. Për shembull, trajneri i U-19 të shikojë ndeshjet e U-17, apo U-21 të shikojë U-19, me qëllim që të kemi mundësi të afrimit në skuadrën e parë të sa më shumë lojtarëve të rinj që mund t’i japin Kombëtares. Natyrisht edhe unë do shkoj të shikoj ndeshjet e U-17, U-19 dhe U-21, paçka se të kësaj të fundit janë disi më të vështira për t’u ndjekur, pasi luhen pak a shumë në të njëjtën kohë me kombëtaren e parë. Përtej kësaj, diskutuam se nuk duhet të ndalime vetëm te vëzhgimi, por edhe te sugjerimet që mund t’i japim njëri-tjetrit.

Të tipit?

Për shembull, Skënderi (Gega) të japë mendimin e tij lidhur me një, dy a më shumë lojtarë që luajnë tek U-19, për mënyrën sesi mund të trajnohen, duke qenë se në një të ardhme të afërt mund t’i ketë pjesë e skuadrës së tij tek U-21. Ashtu sikundër edhe unë me trajnerin e U-21. Por edhe anasjelltas, çdokush nga trajnerët, duke filluar nga Mustedanagiç, Strakosha dhe Gega, të mund t’i sugjerojnë trajnerit të Kombëtares një ide, mendim, mbi lojtarët apo edhe mënyrën e lojës. Në pak fjalë, një bashkëpunim reciprok, më i ngushtë, që edhe duke shpresuar, duhet të na çojë te një konkluzion pozitiv, i rezultateve të kombëtares së parë.

Thatë bashkëpunim mes ekipeve, kjo nënkupton që nga Kombëtarja A të luajnë te Shpresat edhe ndonjë lojtar, si në rastin e Kaçes?

Absolutisht po. Në fakt, për momentin, unë kam vetëm Hysajn dhe Kaçen, të cilët për moshën që kanë mund të luajnë edhe me Shpresat dhe me Kombëtaren A, por edhe sikur të kisha më shumë sesa dy lojtarë, nëse do jetë e mundur, absolutisht do shkojnë të kontribuojnë për U-21. Në fund të fundit, dihet që skuadra që drejton Gega ka si objektiv primar furnizimin me sa më shumë lojtarë të rinj të Kombëtares së parë, ndaj nëse mua nuk do më duhen në një moment të caktuar, sigurisht që do vihen në dispozicion të tij.

Në një intervistë të fundit për “Panorama Sport” theksuat se skuadra ka nevojë për sulmues dhe portierë…

Sa u përket portierëve, nuk mendoj se kemi problem. Kemi Berishën, i cili është në moshë të re dhe paçka se nuk luan te Lacio, gjithsesi duke e njohur ambientin në atë klub, them se mjafton që ai të stërvitet rregullisht dhe besoj se do jetë i vlefshëm për Kombëtaren. Lacio ka një shkollë futbolli për portierët, ndaj të qenit tek ajo skuadër për Berishën dhe Strakoshën njëkohësisht, është një gjë pozitive. Më pas kemi edhe tre portierë të rinj të talentuar: Olsi Teqja (Anorthosis Gamagusta, Qipro), Strakosha (Lacio), por edhe portieri i të rinjve të Juventusit, Entonio Elezaj.

Po Ujkani?

Mbetet në orbitën e Kombëtares dhe do vlerësohet gjithnjë në bazë të lojës dhe formës që do ketë, por e theksoj që është pjesë e skuadrës. Sakaq, kemi probleme me sulmin, pasi Çani po luan shumë pak në Serinë B dhe për më tepër duket që nuk po jep atë që duhet, ndërkohë që shqetëson edhe e ardhmja e Salihit. Kam dëgjuar se mund të kthehet në Europë, çka mund të jetë një plus i madh për atë, por edhe për Kombëtaren. Kam lexuar se mund të shkojë te Legia e Varshavës, por mbi të gjitha unë si trajner uroj që ai të luajë rregullisht.

Uji Dea

Si qëndron problemi me lënien jashtë të Vajushit dhe Gjasulës?

Nuk besoj se ka problem. Që të dy janë lënë jashtë skuadre për arsye teknike, ashtu sikundër ka ndodhur edhe me lojtarë të tjerë në të shkuarën.

Si me Sadikun?

Pak a shumë. Mua, më shumë sesa ai lojtari i talentuar, të cilin realisht të gjithë e duan ta kenë në skuadër, më pëlqen më shumë ai që vë shpirtin në fushën e lojës. Që është i disiplinuar, kokulur dhe jep maksimumin për aq sa ka mundësi. Dhe ju besohet apo jo, ne kemi marrë pikë me Kombëtaren, pikërisht kur kemi luajtur me përulësi.

Dakord, por Vajushi e Sadiku nuk janë të tillë?

Janë të rinj që, në këto momente, ndajnë si të thuash të ardhmen e tyre: ose të hipën vetja në qejf se ke bërë disa gola dhe vetëkënaqesh, ose ul kokën dhe vazhdon të punosh sikundër ke bërë ditën e parë kur i je futur rrugës së futbollit. Me Sadikun kam folur haptazi dhe qartazi dhe uroj që ai t’i ndjekë me kujdes këshillat që i kam dhënë. Vajushi është një lojtar i talentuar, që luan në një kampionat, jo ndër më të mirët në Europë, por gjithsesi i pranueshëm dhe që do ketë rast të tregojë edhe në Kombëtare. Sigurisht, për këtë edicion kualifikimesh nuk kam ndër mend të bëj shumë eksperimente. Grupi i lojtarëve, të cilin e kam pak a shumë në kokë, do jetë shumë më i ngushtë, pra nuk do ketë hyrje të reja sikundër gjatë këtyre dy viteve, me qëllim që të krijojmë kështu edhe një ekip sa më kompakt.

Po për Gjasulën? Nuk mund të bëjë ai fantazistin e Kombëtares?

Gjasula është një lojtar i talentuar, me një fizik të admirueshëm, që mund të na bëjë punë në mesfushën tonë, por i mungon grinta e duhur në fushën e lojës. Them se duhet të punojë më shumë në këtë aspekt.

Thatë që e keni një ide të skuadrës së ardhshme, po një modul loje, me një apo me dy sulmues?

Ma keni bërë shumë herë këtë pyetje. Nuk ka lidhje sa sulmues hedh në fushë, por mënyra e lojës. Unë gjykoj se kjo skuadër, me organikën që ka dhe me përulësinë që duhet ta dallojë nga skuadrat e tjera në çdo ndeshje, mund të luajë edhe me një “pykë” të vetme dhe me Ramën nga prapa. Kështu mund të kemi një skuadër me më shumë muskuj në mesfushë, dhe ndoshta nuk shënojmë shumë, por ama edhe nuk rrezikojmë që të pësojmë. Gjithsesi, këto janë vetëm ide të momentit, që mund të ndryshojnë deri në fillim të edicionit të kualifikimeve.

Trajnerët e kombëtareve, tri orë mbledhje në FSHF

Për herë të parë, dje katër trajnerët e ekipeve tona përfaqësuese kanë pasur një mbledhje të përbashkët, ku kanë diskutuar jo vetëm problematikën te skuadrat që drejtojnë, por më së shumti janë ndalur te e ardhmja. Në mbledhjen e djeshme, në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila zgjati gati tri orë, morën pjesë trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi, zëvendës/trajneri Paolo Tramexani, trajneri i Shpresave, Skënder Gega, trajneri i U-19, Foto Strakosha, ai i skuadrës kombëtare U-17, Xhemal Mustadanagiç, drejtori i zyrës së talenteve në FSHF, Redi Jupi, si dhe menaxheri i ekipit kombëtar, Alban Bushi. Sipas informacioneve në këtë takim u vendos që, tani e tutje, do ketë një bashkëpunim të ngushtë mes trajnerëve, kjo deri edhe në sugjerime ndaj njëri-tjetrit në lidhje me mënyrën e lojës, apo edhe trajtimin të lojtarëve të ndryshëm.

Sulmuesit, shqetëson Çani, “mburremi” me Sadikun

Armando Sadiku është i vetmi sulmues që luan rregullisht për momentin dhe ka shënuar më shumë gola për vitin 2013. Duke marrë parasysh golat, elbasanasi i Luganos ka shënuar 14 gola gjatë 2013-ës. Pas tij, ndër më rezultativët është Edmond Kapllani me 11 gola, nga të cilët 6 i përkasin këtij sezoni. Në podiumin e nderit ngjitet dhe Salihi, i cili në një vit në Kinë realizoi 9 gola, por duhet thënë se shkodrani ka mbetur pa skuadër, kjo pasi i përfundon kontrata në fund të këtij viti dhe nuk dihet ende nëse do shkojë sërish në Kinë, po do firmosë tek një klub tjetër në Europë. Sa i përket pjesës tjetër, Bekim Balaj po luan me hope në Poloni, ashtu sikundër edhe Sebino Plaku. Të njëjtën problematikë ka Ahmed Januzi në Ukrainë, por ai që shqetëson më shumë është Edgar Çani, i cili po zhgënjen me paraqitjet e tij te Karpi në Serinë B në Itali.