Vokrri për mediat serbe: Kosova do të luajë, s’mund të na ndalni më
Beograd – Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, në një intervistë për gazetën serbe “Blic”, është shprehur optimist në prag të mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, më 4 e 5 dhjetor në Salvadore de Bahia të Brazilit, ku do të shqyrtohet edhe çështja e futbollit kosovar. Vokrri është shprehur i bindur se Kosova do të luajë së shpejti miqësore ndërkombëtare.
“Kosovën e ka njohur 105 vende, ndërsa Gjibraltarin që nuk e ka njohur askush ka zhvilluar ndeshje miqësore. Neve nuk na lejojnë dhe ky është turp për sportin. Ne vetëm duam të luajmë futboll”, ka thënë Vokrri për “Blic”. “Nuk shkojmë në Brazil sepse nuk bëhet fjalë për një Kongres, por vetëm mbledhje të Komitetit Ekzekutiv. Nuk e di as nëse do të diskutohet për këtë temë. Nuk kemi premtime, por shpresojmë që përfundimisht do ta marrim lejen që përfaqësuesja A e Kosovës të zhvilloj miqësore”, theksoi tutje Vokrri.
Ai është i kujdesshëm edhe për shkak të këndvështrimit të ndryshëm të FIFA-së dhe UEFA-së ndaj çështjes së Kosovës. “Për FIFA-në mjafton që vendi të njihet ndërkombëtarisht, kurse UEFA insiston që shteti të njihet nga Kombet e Bashkuara. Edhe në Serbi opinioni i futbollit e di që shumë shpejt do të luajmë ndeshje, por nuk e kam të qartë pse FSS po e përkeqëson kaq shumë situatën”, ka shtuar kreu i FFK-së. Sa i përket takimit me kreun e FFS-së, Tomislav Karadzic në muajin e kaluar në selinë e FIFA-s, Vokrri është shprehur: “Ishte shtrëngim duarsh i dy njerëzve normal. Takimi ynë është zhvilluar nën ombrellën e FIFA-së dhe nuk ka asgjë të çuditshme rreth asaj që kemi diskutuar. Jemi të vetëdijshëm që Beogradi po thirret në Qeverinë e Serbisë dhe Kombet e Bashkuara, por jam i sigurt që do të luajmë së shpejti futboll”, u shpreh Vokrri.
Sa i përket pjesëmarrëse eventuale në ciklin kualifikues për Euro 2016, shorti i të cilit do të tërhiqet në mars, Vokrri ka deklaruar: “Nuk e di nëse Kosova do të pranohet deri në mars të vitit të ardhshëm në OKB, kur do të hidhet shorti për grupet e kualifikimeve për Euro 2016. Mirëpo, ne pas shpalljes së pavarësisë veç kemi zhvilluar ndeshje miqësore dhe pres që ky të jetë hapi i parë i synimit tonë përfundimtar, që një ditë të jemi pjesë e kualifikimeve në garat e mëdha”.


